Lifestyle

March 14, 2016 | 9:10

Valbona Selimllari: Make up-i?! Dhunti personale

Prej ditës kur u zgjodh më e bukura e Shqipërisë, kanë kaluar plot 20 vite, por bukuria është një nga ato detajet e skalitura bindshëm thuajse në çdo tipar të saj. E kjo rëndom nuk do të përkthehej në standardin klishe të tipit, ndërsa vitet bëjnë tutje, mosha bën të vetën. E kundërta ka ndodhur me Valbona Selimllarin, që edhe pse i ka kaluar të 40-at për shumëkënd mbetet etalon i bukurisë së përjetshme. Krenare për genet e arta?! Deri diku e ndien këtë privilegj, që sakaq vjen i gërshetuar edhe me faktorin kujdes ndaj vetes. Po, po. Valbona është fanatike e bukurisë natyrale, origjinalitetit, por jo e imazhit manekin dhe atij të llangosur nëpër kremra, produkte kozmetike etj. Dhe një nga ato që në dukje ngjan si sekret i Bonës, është të praktikuarit e make upit sa më rrallë në përditshmërinë e saj të punës, ndërsa nëpër ngjarje të rëndësishme dhe evente festive, e fokusuar në tonalitete të lehta, por të zgjedhura me kujdes që nuk ia rëndojnë aspak tisin e hijeshisë femërore. Dhe Valbona, një nga pikat e forta të imazhit të kuruar, ka make up-in e kujdesshëm të cilin ia beson vetëm duarve të saj. “Nuk më ka mësuar askush të trukohem. Duke qenë se më jepet shumë për të pikturuar, shpesh kam mësuar dorën dhe detajin estetik, herë në letër dhe herë në fytyrë. Them me bindje se nuk kam nevojë të imitoj askënd, apo ca më pak të bëhem kopje e ndonjë personazhi vendas apo të huaj. Duke njohur strukturën e fytyrës sime, përpiqem të praktikoj një grim të lehtë, por në tonalitetet e ngjyrave të tokës. Kryesisht përdor ngjyrën kafe, gri, të zezë… Asnjëherë nuk kërkoj ta ngarkoj portretin tim me ngjyra të forta, madje edhe kur jam pjesë e ndonjë feste apo organizimi të veçantë”, thotë Valbona. Në fillimet e moshës, kur sapo kishte dalë nga konkurset e bukurisë, thotë se bënte shumë pak gabime në trukim, sepse duke pasur tipare të dukshme, nuk i është dashur t’i theksojë më tepër. Ama, rimelin nuk e ka ndarë asnjëherë nga vetja, sepse gjithnjë i kanë pëlqyer qerpikët e gjatë. “Por, nuk mund ta mohoj që gjatë pjesëmarrjes nëpër aktivitete të ndryshme bukurie, një grimore amerikane më ka mësuar disa truke interesante sa i takon grimit, të cilat më kanë rezultuar të vlefshme gjatë viteve. Aplikimi i dritë hijeve poshtë syrit, elementi i tonit të bardhë poshtë vetullës, konturet e lyera të buzëve përpara aplikimit të buzëkuqit apo shkëlqyesit, janë vetëm disa prej këtyre sekreteve të tualetit që më kanë dhënë dorë në të grimuarit e vetes”, përfundon ajo.

Botuar në revistën Psikologjia nr.66

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top