Marrëdhënie

June 25, 2020 | 8:10

Varësia emocionale / Pa ty nuk ekzistoj!

“Pa ty, nuk ekzistoj”. Për ju është gjithçka, nuk e konceptoni jetën pa atë njeri. Me të ndihesh i plotë, ndërsa pa të, nuk je asgjë … ose kështu beson se është. Mendimi juaj fiks është “Pa ty, nuk ekzistoj”. Ndoshta jeni ndjerë disa herë në këtë gjendje, mbase e keni jetuar ose po e jetoni tani.

Kur e gjithë bota juaj rrotullohet rreth personit që dashuroni, nëse ky i fundit ju braktis, gjithçka shkatërrohet. Papritur, gjithçka fillon të humbasë kuptimin e saj. Ndihesh i braktisur, emotiv, i vetmuar. Nuk dini çfarë të bëni ose si të silleni. Ai person ishte gjithçka dhe tani nuk keni asgjë. Psikoterapeutja Elisa Buratti, na ofron një pasqyrë më të qartë të kësaj situate psikologjike, që prek kryesisht femrat.

“Pa ty nuk ekzistoj!!! Bërtita në qiell…nuk ka më kuptim. Nuk është më. Iku”. Ishte ky rrëfimi mes lotësh i gruas që qëndronte para meje. Çfarë mund të ketë ndodhur? Ndoshta një zi, një ndarje apo një divorc? Jo. Asnjëra nga këto. Thjesht një grindje e ashpër me partnerin e vet, i cili në zemërim e sipër kishte lënë shtëpinë duke përplasur derën. Një reagim i ashpër, por asgjë përfundimtare. Grindjet e tyre shpesh përfundojnë kështu. Pastaj, ai kthehet. E megjithatë, ndonjëherë mjafton një grindje, një telefonatë pa përgjigje, një keqkuptim për ta futur personin në ankthin më të thellë të braktisjes, ajo ndjenjë e tmerrshme për të mos dashuruar më dhe për të mos qenë më në gjendje t’i rezistosh. Në këtë rast mund të themi që është shkaktuar varësia emocionale.

Si funksionon ajo? Varësia emocionale e transformon partnerin në diçka që shkon përtej të qenit shok jete. E bën atë të domosdoshëm dhe të gjithëfuqishëm, personi përmes të cilit ndjeni se ekzistoni, e që na autorizon të ekzistojmë. “Është ai që më bën të lumtur, është ai që më jep kuptim”. Kush vuan nga varësia emocionale, ka nevojë për tjetrin që të ndjejë plotësinë e të ekzistuarit. Është tjetri që legjitimon nevojat, dëshirat, qetësimin e ankthit, përmbushjen e ndjenjës së zbrazëtisë. Prania e thjeshtë, edhe nëse është e kufizuar, bëhet një burim kënaqësie i menjëhershëm. “Mjafton një mesazh i thjeshtë përshëndetës, nuk ka rëndësi nëse nuk më thotë asgjë. Nëse nuk dëshiron të di se si jam, leximi i vetëm një përshëndetjeje më bën të ndihem mirë”. Kjo është saktësisht çështja: jo gjithçka që na bën të ndihemi mirë është me të vërtetë e mirë për ne.

Pirja e duhanit, për shembull, më bën të ndihem mirë, por nuk më bën mirë. Të ngrënit një tas akullore me çokollatë më bën të ndihem mirë, por nuk më bën mirë. Thënë këtë, është e rëndësishme të kuptoni se ku vendoset kufiri midis dashurisë dhe varësisë, domethënë, kur një ndjenjë emocionale dhe njerëzore shndërrohet në një marrëdhënie jofunksionale apo edhe patologjike. Problemi lind kur, për të mos e humbur dashurinë, i varuri emocionalisht është i gatshëm të sakrifikojë gjithçka, madje edhe dinjitetin e vet, të heqë dorë nga vetja, ndaj nevojave që ka, duke ofruar gatishmërinë totale, përkushtimin ndaj partnerit për të garantuar lidhjen.

E nis kështu një marrëdhënie asimetrike, pa reciprocitet, me role të ngurta dhe të kristalizuara: personi me varësi emocionale që kërkon siguri të vazhdueshme, dhe partneri që bëhet më shumë i fuqishëm. Por kush është personi i varur emocionalisht? Nuk më pëlqen termi “i varur emocional” sepse të gjithë jemi të varur nga dashuria. Ka njerëz, megjithatë, që humbasin kufirin midis një varësie të shëndetshme, të kuptuar si: “Unë kam nevojë për ty sepse të dua” dhe një varësi patologjike: “Unë të dua sepse kam nevojë për ty”. Këta të fundit, janë njerëz që kanë tendencë të lidhen me partnerë narcistë, jo të ndjeshëm, manipulues, me tipare agresive, zhvlerësuese dhe hiperkritike, ndonjëherë vetëm për një marrëdhënie, herët e të tjera i duket standarde. Gratë kryesisht bien në këtë lloj marrëdhënieje, por nuk është çështje gjinore.

Nëse do të më duhej të përcaktoja identitetin e personit me varësi emocionale, më vjen ndërmend një person i pasigurt, të cilit nuk i pëlqen vetja dhe nuk ndjehet i dashur. Në mënyrë të pavetëdijshme, nuk e konsideron veten të denjë për dashuri dhe për këtë arsye mendon se nuk mund të lidhet me partnerë të cilët vërtet interesohen për të ose janë të gatshëm emocionalisht. Mënyra se si arsyeton, është e deformuar, dhe karakterizohet nga një çekuilibër i perceptimit për veten dhe tjetrin, në të cilin del në pah një skualifikim dhe vetëamortizim i qartë kundër idealizimit të partnerit. Kjo është arsyeja pse ka tërheqje ndaj partnerëve të vetëpërmbajtur, vendimmarrës, të cilët lënë pak hapësirë për ndarje. Partnerit i delegohet gjithçka.

Së dyti, aq paradoksale sa mund të duket, personi me varësi emocionale ka frikë nga marrëdhëniet, sepse janë braktisur potencialisht. Kjo është arsyeja pse ai kurrë nuk arrin ta lërë veten të ecë përpara dhe të pushojë plotësisht, por gjithmonë duhet të qëndrojë vigjilent, i gatshëm për kundërmasat e nevojshme për t’u përballur me kërcënimin e humbjes. Është e qartë se kjo i largon partnerët e dashur dhe autentikë për t’i dhënë hapësirë marrëdhënies së pakënaqshme. Pika për të dalë nga varësia emocionale është, të pyesim veten pse ndjehemi të tërhequr nga ky lloj personi dhe çfarë e ndalon fundin e një marrëdhënieje të tillë vuajtëse dhe jofunksionale?

Të dalësh nga varësia emocionale

Kur pacientët e mi ndjejnë se janë viktima të një fati të pavëmendshëm në seri: “Pse më ndodhin të gjitha mua?” ose janë të bindur se në botë nuk ekzistojnë më meshkuj “të shëndetshëm”, “Janë të gjithë njësoj, nuk ka më shpresë”, kuptojnë se ka ardhur momenti ta shohin situatën drejtë dhe të vënë në dyshim mënyrën se si i shohin gjërat. Këto pasqyra në fakt paraqesin vendimin e nënkuptuar të gruas për të parë qartë dhe hedhur dritë mbi arsyen se përse ato vazhdojnë të mbërthehen në marrëdhënie që i dëmtojnë.

Para së gjithash është e rëndësishme të nënvizohet se nuk ka një vademekum për rimëkëmbjen e varësisë emocionale. Bëheni të varur për arsye të ndryshme që nuk mund të përgjithësohen, dhe kjo është e njëjtë për të gjithë. Në fakt, çdo person ka historinë e tij të jetës, vjen nga një lloj i veçantë modeli familjar dhe edukativ, ka një lidhje specifike me prindërit, ka personalitetin e tij, karakterin, kufijtë dhe burimet personale. Me pak fjalë, një person e zhvillon varësinë e tij emocionale si një zgjidhje për historinë e jetës së vet.

Uniciteti i personit e bën të pamundur dhe reduktues përgjithësimin. Pra, më shumë se sa të jepni përgjigje, është e rëndësishme të bëni pyetje. Përkundër kësaj, ndihem e sigurt në përcaktimin e disa parimeve themelore. Para së gjithash, personi që vuan nga varësia emocionale nuk do të dalë kurrë nga kjo lloj marrëdhënieje derisa të jetë i gatshëm të pranojë që zbrazëtia që ai ndjen nuk mund dhe nuk duhet të plotësohet nga të tjerët.  Është e nevojshme të jemi të gatshëm të pranojmë se jemi ne, në njëfarë mase, që kemi krijuar pakënaqësinë tonë, duke përsëritur marrëdhënie të bazuara në themele jofunksionale.

Hapi i dytë, është e nevojshme të jeni të gatshëm të punoni me veten, me një rrugëtim psikoterapie, të rrisni vetëdijen dhe të legjitimoni se ekzistoni. Kjo do të thotë: të lejosh veten të ketë dhe të ndjekë nevojat dhe dëshirat e vërteta, të mësojë të qëndrojë më veten, të zgjedhë për veten dhe të sigurojë vetveten.

Hapi i tretë, mbase më i vështiri, mëso ta lësh të shkojë. Ta ndahesh! Kuptoni plotësisht se, nuk është të qëndruarit me durim brenda marrëdhënies së varësisë se gjërat do të ndryshojnë. Nëse gjërat vazhdojnë të përkeqësohen, nuk është sepse nuk keni bërë përpjekje të mjaftueshme. Nuk po bën gjithçka për partnerin që ai të mësojë të të dojë në mënyrë të shëndetshme.

Vetëm përmes kësaj përgjegjësie mund të ndërtohet një marrëdhënie e shëndetshme. Jo vetëm mes njëri-tjetrit, por para së gjithash me veten.

 

 

Përgatiti: Orjona TRESA | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 148

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top