Çështjet kyçe:
-Faktorët ekonomikë dhe socialë që duhen marrë në konsideratë si burim i shumë problemeve, i gjendjes emocionale dhe depresive që shkakton tek individi.
-Varfëria, jo vetëm kufizon mundësinë për t’u arsimuar dhe për të zhvilluar potencialin personal, por sjellë edhe vetëvlerësim të ulët dhe dëmtim emocional, duke besuar keqvlerësimet e të tjerëve.
-Varfëria dhe stresi që krijohet prej saj, mund të gjenerojë situata traumatike, të bëhesh pre i bullizmit, të mos kesh zë mjaftueshëm për të drejtat e tua.
“Kam parë nga dora e parë se si po i dështojmë njerëzit duke i përcaktuar problemet e tyre brenda tyre si një lloj çrregullimi mendor apo çështje psikologjike dhe duke depolitizuar kështu shqetësimin e tyre. A do të jenë vërtet efektive gjashtë seanca të CBT, të dizajnuara për të synuar ndryshimin e stileve të të menduarit, për dikë që nuk e di se si do ta ushqejnë familjen e tyre për një javë tjetër? Antidepresivët nuk do të zhdukin traumën racore që një njeri po mbijeton në një vend pune me mjedis armiqësor.
Arta Llana, psikologe klinike
Çuditërisht, ndërgjegjësimi nuk po i ndihmon fëmijët që po lundrojnë në varfëri, presionin e bashkëmoshatarëve dhe kushtet e shkollës konkurruese të drejtuara nga provimet, apo ku bullizmi është i pranishëm”. Dr. Sarah Ahsan, psikologe klinike
Unë shkrova diçka të ngjashme disa muaj më parë, gjë për të cilën i kam kushtuar vëmendje që pa nisur studimet e mia në psikologji, ku varfëria, kushte të caktuara sociale apo situata traumatike, ndikojneë në potencialin e individit dhe në mundësinë e tij për të zhvilluar gjithë kapacitetin e vet. Jo vetëm kaq, por varfëria shkakton vetëvlerësim të ulët, mungesë shprese, frenon imagjinatën dhe sjell dëshpërim e trishtim.
Vërtet përmendet në literatura tërthorazi si një nga komponentët bio-psiko-social, por në realitet kjo shmanget ët bëhet e njohur dhe të vendoset theksi si një nga shkaqet fillestare. Vendoset më shumë fokus mbi personin, diagnozën, gjë e cila mund ta bëjë të ndihet i/e dobët, i/e paaftë dhe komplet përgjegjësi e tij/asaj që ndodhet në atë gjendje.
Fokusi vetëm mbi individin se si po përballon varfërinë, (ose një situatë kritike që është dhe një situatë traumatike njëkohësisht) nën pretendimin e ndihmës se po e ndërgjegjëson të “hapë mendjen” ose të “ndryshojë mendjen”, ka gjasa që të prodhojë stigmatizim ose nënvlerësim tek individi.
Dhe pyes çdo profesionist të shëndetit mendor, se si mund të jenë ndihmuese vetëm fjalët ose teknikat kur çështja është konkrete? Si mund të ndihmojë fjala në terapi, kur rrethanat që e presin jashtë janë të vështira, kur mungon ushqimi, kur frigoriferi është bosh, kur nuk ka veshje, kur mungon ngrohja në dimër, kur mungon strehimi, ose kur ende nuk ka siguruar qiranë e muajit që vjen, kur ka varfëri, kur ka dhunë, kur rrethohet nga mjedis konfliktual, kur i duhet të mbijetojë në një vend pune armiqësor me sjellje bullizuese sistematike, kur përbuzet dhe injorohet për shkak të statusit ekonomik duke ia vështirësuar akoma më shumë situatën, kur gjendet i keqpaguar edhe pse punon me orë të zgjatura, kur është i rraskapitur nga përpjekjet për ta ndryshuar varfërinë, kur vuan nga një sëmundje dhe i duhet sërish të punojë, kur është i sëmurë dhe nuk ka mundësi të kurohet, kur mungojnë mundësitë për t’u arsimuar, etj…?
Jam gati dhe gjithmonë kam qenë e hapur të dëgjoj kolegët se si mund të bëhet terapi me dikë që vuan nga varfëria dhe që nuk ka asnjë mundësi për të përmbysur situatën në të cilën ndodhet individi? Dhe aq më tepër, mendoj se duhet të mos diagnostikohet, por të përjashtohet deri sa të jenë ndryshuar kushtet që provokojnë këtë gjendje psikologjike.
Megjithatë, më vjen mirë që gjej autorë të tjerë të cilët shkojnë përtej sipërfaqes dhe të mbuluarit me “suva” të shkaqeve dhe burimit të problemit. Edhe pse detyra e një profesionisti është vërtetë ngritja shpirtërore. Në disa çështje kjo nuk ndodh duke mbuluar problemin, dhe as duke zgjedhur fjalët apo duke bërë garë se sa seanca të ndryshojnë jetën. Përkundrazi, në këto raste të duhet të jesh i vërtetë duke ndier dhimbjen e tyre, situatën e tyre dhe t’u japësh sigurinë profesionale që nuk kanë një diagnozë të mirëfilltë, por që vlejnë vërtetë më shumë se sa situata që po i mban poshtë.
Më lejoni të jem e qartë, nuk po them se njerëzit nuk i ndihmon terapia, dhe se njerëzit në gjendje të mirë ekonomike nuk pësojnë depresion, por duhet të jemi të sinqertë se kur është vërtetë ndihma e duhur në terapi, pra kur të shmangim së paku faktorët konkretë, të cilët minojnë mirëqenien e individit.
Pra qëllimi nuk është vetëm të ndryshojmë mendjen me mënyrën e të parit të problemit, por realisht disa herë duhen ndryshuar burimet e problemit.
Disa nga rezultatet e mia më të fuqishme kanë qenë kur kam dalë përtej kornizave, pra nuk ka teknika magjike, dhe është mirë të mos bëhet tregti me to. Nëse i referohem piramidës së Maslow, të cilën e gjejmë të aplikuar në jetën e përditshme, nevojat tona themelore bazike janë ushqimi dhe strehimi i duhur, pastaj ngrihemi në nivelin emocional ku kemi nevojë të dëgjohemi dhe të vlerësohemi për atë që jemi, e më pas të kërkojmë sfida të tjera të cilat na çojnë drejt të qenit i përmbushur.
Shumë fëmijë rriten në shtëpi pa siguri bazike, pa stabilitet dhe ndikon në gjendjen emocionale por edhe në vetëvlerësim. Kur prindërit po luftojnë për mbijetesë, për faturat e muajit, për të përballuar qiranë. Kur prindërit duhet të punojnë me orare ët zgjatura dhe të keqpaguara, dhe shpesh kanë konflikte të forta midis tyre si pasojë e ngarkesës ditore dhe stresit të përditshëm. Stres i cili lidhet me përpjekjet e vazhdueshme për mbijetesë dhe me pasigurinë që duhet të përballen në çdo aspekt.
Të gjitha këto do adresohen si paaftesi personale dhe do xhirojnë në rrethin vicioz të mendimeve negative. Sigurisht që kësaj gjendjeje, nuk mund t’i shpëtojnë fëmijët, edhe ata do ndiejnë të njëjtën mënyrë mbijetese.
Loja, kreativiteti, dëshira për t’u bashkuar në lojëra me fëmijët e tjerë, apo krenaria për t’u prezantuar, sigurisht që janë të kufizuara dhe krijojnë barriera. Shpesh këto barriera më pas krijojnë mendime negative për veten, nënvlerësim të vetes, që absolutisht janë të pa sakta, por fëmija me pjekurinë konjitive të moshës ende nuk mundet të jetë në gjendje për të qartësuar shkaqet e një situate. Dhe kjo bëhet më shkatërruese kur edhe prindërit nuk janë më në gjendje të qartësojnë këtë tek fëmijët, pasi varfëria ekonomike e shfuqizon individin për të ruajtur vetëvlerësimin, besimin dhe lodhjen pa ndryshime në rezultat, sigurisht që e dobësojnë akoma më shumë individin duke e lënë në dhimbje.
Kur shqetësimi kryesor në familje është të paguash qiranë, ose frika se mos dëbohesh prej saj, ose të mbrohesh nga ngacmuesit në shkollë të cilët tallen me ty sepse je i varfër, ose për dallime raciale, atëherë kjo sjell humbje të pafajësisë së fëmijërisë duke e detyruar të mendojë ndryshe, duke e vendosur në pozicion inferior. Nuk mund të them mbrojtës, sepse shpesh do humbas besimin në fuqinë e vet, në fuqinë për të drejtat e veta dhe kështu do lejojë dominancën nga të tjerët. Kjo gjë shkakton një goditje të fortë emocionale, e cila është e vështirë për t’u përballuar nga një fëmijë. Prindërit kanë humbur sigurinë dhe rrjedhimisht si mund të ndihen të sigurt fëmijët dhe aq më tepër kjo përkeqëson frikën e tyre.
Nga faktorët ekonomikë bazikë, që bëhen burim stresi e ankthi, kjo lëndon edhe fëmijët, duke i bërë të ëndërrojnë më pak pasi u duket që nuk i përket ky “luks”…
Ja si vritet imagjinata, dëshira, ëndrra dhe përballet me realitetin e tij duke iu vështirësuar rrugët dhe shpesh duke mos shfaqur atë potencial që ndodhet brenda tij. Madje, varfëria të bën të njohësh më pak të drejtat e tua, të kërkosh me ndrojtje të drejtën tënde dhe të mos kesh “zërin” e lartë edhe kur të bëhet padrejtësi. Pra, kush mund të më tregojë të kundërtën se suksesi në jetë nuk varet nga klasa ekonomike në të cilën ke lindur?
Kush mund të më tregojë të kundërtën se nuk pëson trishtim nga varfëria, dhe nuk kufizohet në atë që do të arrijë në jetë?
Sigurisht që ka plot shembuj të njerëzve që kanë tejkaluar klasën ekonomike në të cilën kanë lindur. Ashtu si ka edhe dëshmi të pafundme të atyre që nuk arrijnë sukses edhe pse kanë gjithë kushtet e duhura.
Ekzistojnë prova shkencore se varfëria afatgjatë/trauma financiare është një toksinë për trurin në zhvillim të fëmijës. Ka shumë njerëz që nuk flasin për këtë. Shpesh nxitet për arritje, sukses, ose shembuj krahasues por duke harruar kushtin e rëndësishëm – bazën ekonomike.
Klasa e ulët ekonomike ku rritet një fëmijë, plagos egon dhe vetëvlerësimin e tij, e zhyt fëmijët në një botë të errët, të pasigurt, ku ai fillon të ndihet inferior në aftësitë e tij, dhe më i brishtë për të shprehur emocionet apo ëndrrat e veta.
Një fëmijë i rritur në familje me kushte të larta ekonomike ndryshon shumë nga një fëmijë i rritur në varfëri, shto këtu edhe problemet që kalojnë prindërit e tyre. Trauma e varfërisë mund të trashëgohet edhe pse mund të duket qesharake në momentin e parë.
Lind pyetja, si mund të trashëgojmë traumën e varfërisë kur nuk kemi qenë të pranishëm në atë kohë që ka ndodhur trauma në jetën e prindërve tanë?
Shumë e thjeshtë. Të gjithë jemi pjesë e një sistemi kulturor ku jemi rritur. Nëse rrethi ngushtohet akoma më shumë dhe shkojmë tek familja bërthamë, padyshim që ne mbartim mësime në heshtje nga prindërit tanë se si kanë perceptuar një situatë të caktuar, apo si kanë përjetuar varfërinë e tyre. Disa i ka dëmtuar në vetëvlerësim dhe si rrjedhojë në integrimin shoqërore apo mungesës së respektit nga “shtresat” më të larta ekonomike.
Mëson se si prindërit kanë tejkaluar problematikat e tyre, ose si janë luhatur në humorin e tyre për shkak të egocentrizmit të vet, duke i vendosur fëmijët në situata krahasuese. Mirëpo ka edhe raste që prindi nuk i vendos fëmijët në pozitë të vështirë, madje i vlerëson akoma dhe më shumë, por harron që jep shembullin e vet me veprimet e veta, duke treguar pa dashje narcizizmin e tyre.
Nëse një fëmijë jeton në varfëri dhe në kushte në të cilat nëna nuk ka mundësi ta përkëdhelë ose ta motivojë, sigurisht që ai do mendojë se nuk është një fëmijë i zgjuar dhe do vendoset në pozita të vështira kur dikush nga klasa do e fyente, apo do konfliktohej me të. I varfri nuk flet shumë, nënshtrohet dhe ka dhimbje emocionale duke vuajtur në heshtje pamundësinë për t’u shfaqur, pasi është i padukshëm për të tjerët, i perceptuar si i dobët dhe shpesh i paaftë. Kështu, nëse një fëmijë tjetër tek po e njëjta klasë, është nga klasë ekonomike e pasur, plus i përkëdhelur dhe i llastuar, duke marrë lëvdata nga familja qoftë edhe të hiperbolizuara, atëherë ky fëmijë shkon në klasë me një tjetër mendim për veten dhe para se të konfliktohet me shokët, ai ka në mendje fjalët që i thuren gjithë lavdi në shtëpi, gjë e cila i jep më shumë siguri dhe vetëbesim.
Madje, në rastet kur e kanë terrenin të shtruar gati nga prindërit, fëmijëve u kërkohet “shkollim formal” duke i siguruar suksesin e tyre në të ardhmen.
Fëmija i varfër vendoset në pozita krahasuese dhe bluan me veten e tij shumë hamendësime të padrejta lidhur me inteligjencën e tij dhe rezultatet që arrin në shkollë. Shumë shpejt vjen koha ta shikojmë si një të rritur, por një i rritur që ka kaluar plot stres e ankth, e dëshpërim, ku kalvari i vështirësive që has e përball me situatat e kaluara, dhe nuk është çudi që vështirësia e radhës ta bëjë të duket i plogësht ose në gjendje emocionale më të rënduar, humbje shprese ose gjendje depresioni. Pikërisht këto detaje duan kujdesin që të mos nxitohet për të vendosur një emër diagnozë, por të nxitohet si mund të gjendet një plan i qartë që ndryshon së pari burimin e problemit.
Përmbledhje
Në rrethana të vështira dhe në kushte varfërie, sigurisht që gjendja emocionale do ndryshojë, por ky nuk është një pretendim dhe mënyrë për diagnostikuar e t’i pozicionojmë si të paaftë, dembelë, të paqëndrueshëm emocionalisht, problematik dhe të rrezikshëm. Madje, çdo profesionist e di shumë mirë që reagimi në mospërputhje me realitetin dhe me situatën është problemi i vërtetë, dhe jo dikush që ka humor të rënë dhe ankth nga situata konkrete të cilat u përmendën më lart.
Një fëmijë në varësi të klasës ekonomike mund të humbasë përgjithmonë mundësinë e shkollimit dhe po kështu një fëmijë tjetër nga familje e pasur mund të shkojë në shkollë për të cilat ka shumë pak ose aspak prirje apo talent, por thjesht ka shtytje dhe mbështetje nga familja për një profesion të caktuar. Atëherë, a është e njëjtën rruga dhe përpjekjet e dikujt që është i pasur – me dikë që rrethanat e kanë vendosur ta nisë nga minus zero, dhe gjatë rrugës ka edhe pengesa duke luftuar për mbijetesë?
Dikush ka mundësi për në shkollë të shtrenjtë pavarësisht aftësive, dhe dikush tjetër do të dëshironte aq shumë por nuk mundet për faktorin ekonomik, duke humbur potencialin e tij… kjo situatë mund ta bëjë të ndihet i rrënuar, me humor të rënë, të pasigurt për të nisur një projekt, ose një ide të tij, pasi kufizohet nga ana ekonomike, dhe e gjitha kjo a ka vlerë si një përpjekje për t’i gjetur diagnozë?
Mund të jesh i talentuar në muzikë, p.sh violinë, por n.q.s nuk ke një violinë për t’u ushtruar, si mund të bëhesh artist, kurioze?!
Ashtu si dikujt mund t’ia japin gati violinën, leksionet e muzikës dhe me sforco por do bëhet gjithsesi.
Edhe një individ me koeficient gjenial të inteligjencës po nuk pati terren për t’u zhvilluar do të humbasë, sepse është njësoj si të marrësh farën e një bime dhe ta paketosh me letër për ta printuar të dalë një pemë me fruta.
Është momenti kur dikush që nuk e ka provuar verë varfërinë dhe kufizimet që të sjellë në jetë, mund të thotë: – Epo, “paraja nuk ka rëndësi”. Kjo më argëton shumë, se pikërisht këta unë i quaj filozofë part-time, ose pseudo psikologë në kurriz të të tjerëve.
Unë mendoj se është keqdiagnostikim i gjithë grupi i simptomave të shfaqura, pa eliminuar së pari shkaktarët e vërtetë dhe aq më tepër të mos marrësh në konsideratë faktorët që të adresojnë tek burimi.
Unë mendoj se statusi i lartë ekonomik orienton edhe zgjedhjet e fëmijëve, vetëvlerësimin e tyre ashtu sikurse varfëria kufizon zgjedhjet e tyre dhe i bën pre të keqvlerësimeve prej të tjerëve.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.