Në fokus

May 31, 2017 | 9:32

Venera e Botticellit

1

Bukuria femërore dhe estetika e saj janë një argument që ka mahnitur të gjithë popujt në epoka të ndryshme, që nga prehistoria deri në ditët e sotme. Për të kuptuar më mirë rëndësinë e bukurisë dhe, disa prej dinamikave të saj, është më se e nevojshme të bëjmë një reflektim historik, sociologjik, antropologjik dhe sidomos psikologjik, për të kuptuar se përse për qeniet njerëzore është aq i rëndësishëm kërkimi i bukurisë së përjetshme, ku femra dhe meshkuj kthehen në një Dorian Gray, personazhi mitik i Oscar Wilde, i cili dëshironte të qëndronte përgjithmonë i ri dhe i bukur. Çdo realitet ka modelin vetjak të bukurisë, i cili ndryshon në hapësirë dhe kohë, duke influencuar dhe mënyrën se si e vlerësojmë bukurinë. Mënyra e përfaqësimit dhe roli simbolik i bukurisë femërore kanë ndryshuar me kalimin e shekujve, hap pas hapi me
ndryshimin e shijes estetike dhe me mënyrën e konceptimit të rolit të gruas në shoqëri.

sonila-grudaBukuria femërore në historinë e artit fillon me punimet e epokës paleolitike, në të cilën koncepti i bukurisë kishte lidhje të drejtpërdrejtë me atë të pjellorisë. Që nga lashtësia, filozofët, shkrimtarët dhe artistët kanë qenë në kërkim të vazhdueshëm të konceptit të bukurisë femërore, duke e përshkruar atë me anën e aforizmave. Për shkrimtarin latin Seneca, bukuria e vërtetë qëndron te harmonia dhe proporcioni: “Një grua e bukur nuk është ajo së cilës i lavdërohen këmbët ose krahët, por ajo ku paraqitja kompleksive është ajo e një bukurie të tillë sa heq mundësinë për të admiruar vetëm disa pjesë”.

Me Seneca-n pajtohet gjithashtu poeti anglez Alexander Pope: “Nuk është një buzë apo një sy ajo që quajmë bukuri, por forca e përgjithshme dhe rezultati përfundimtar i të gjitha pjesëve”.

Dramaturgu norvegjez, Henrik Ibsen vë theksin mbi relativitetin e bukurisë femërore, koncept themelor ndaj të cilit nuk jemi mësuar të reflektojmë. Siç e thamë dhe në fillim, bukuria nuk është e njëjtë për të gjithë! Ai thotë: “Çfarë është bukuria? Një pakt, një monedhë që ka vrapuar në një kohë dhe në një vend të caktuar”. Studimet e shumta
bien dakord se, në kohët moderne, bukuria nuk ka më si finalizim çiftëzimin dhe nuk është më instrument për të afirmuar statusin social, por ka lidhje gjithnjë e më ngushtë me mirëqenien e femrës, ose për t’u pranuar nga të tjerët.

1

Sidomos në shoqëritë perëndimore dhe jo vetëm, duket se janë dakord me këtë shprehje: “Nëse kujdesesh dhe kurohesh, je më e bukur”. Kjo do të thotë se, nëse një femër, e cila nuk i jep rëndësi pamjes së saj të jashtme, duke mos e kuruar atë, konsiderohet si jokonforme nga shoqëria moderne, ku shpeshherë nuk pranohet. Është kjo një nga arsyet që e kanë kthyer kërkimin e bukurisë së jashtme në një varësi. Për ta arritur njerëzit bëjnë çdo gjë duke filluar nga: lifting, rregullime,ndërhyrje kirurgjikale, eliminimin e rrudhave etj. Për fat të keq, kjo gjë në shumicën e rasteve kthehet në mani, ku ngadalë po përpiqet të shtypë cilësitë intelektuale të një personi.

Një dallim i madh mes kohëve moderne (të paktën në shoqëritë e pasura) dhe së kaluarës, është se ndjekja e bukurisë në ditët e sotme është e arritshme për të gjithë, ndërsa në të kaluarën ishte e rezervuar vetëm për shtresat e larta, pasi shtresat e ulëta nuk kishin as kohë dhe as mjete. Edhe ngjyra e lëkurës për shekuj me radhë ka qenë një parametër shumë i rëndësishëm i bukurisë: lëkura e bardhë si porcelani ishte tipike e femrave që i përkisnin shoqërisë së lartë, ndërsa lëkura e nxirë nga dielli përfaqësonte gratë e popullit, të cilat punonin fushat dhe arat. E njëjta gjë vlente edhe për muskujt. Një grua me muskuj konsiderohej jo e bukur, ndryshe shihej një mashkull me muskuj. Ishte diçka tipike mashkullore, ose e grave që bënin punë shtëpie. Edhe trupat femërorë me forma të lakuara, njëherë e një kohë ishin kulti i bukurisë femërore, ku përfaqësueset kryesore ishin femrat që vinin nga familjet borgjeze dhe të pasura, të cilat mund të hanin sa të donin dhe nuk u duhej të bënin aktivitet fizik. Që në mijëvjeçarin e tretë (p.K.) ka dëshmi të ndryshme të ndërhyrjeve të bëra në Indi për të trajtuar traumat në zonën e fytyrës. Për rindërtimin e veshëve, hundës, gojës do të na duhet të presim shekullin e IV (p.K.). Me teknikat që, duke marrë lëkurë nga të ndenjurat, rindërtohen pjesë të fytyrës. Teknikat indiane u sollën shumë shekuj më vonë nga Aleksandri i Madh në Europë dhe në Mesdhe pas pushtimit të Indisë. Këto teknika paraprijnë trapiantin e parë të lëkurës përreth dy mijëvjeçarë të kirurgjisë estetike të kohëve moderne e të kryer nga mjeku Jacques Ruis Reverdin në vitin 1869.

1

Gjatë antikitetit grek, gruaja e bukur ishte e përngjashme me perëndeshën e dashurisë,
Venera, duke u përfaqësuar nga ajo me ijët të gjera dhe me të pasme dhe gjoks jo shumë të theksuara. Në Romën perandorake, gruaja kujdesej shumë për veten: përdorte kremra dhe produkte kozmetike të kohës për të përmirësuar pamjen, shumonte flokët duke aplikuar flokë indianë të errët ose gjermane flokëverdhë, ose
të kuqe dhe gjithashtu ngjyra të ndryshme nga ajo natyrore; si toupet dhe meches. Në atë periudhë ishte e përhapur kirurgjia estetike aq sa Perandorit Justinian II iu rindërtua hunda, të cilën ia kishin prerë për ta mos e lënë që të rimerrte pushtetin. Kjo nuk e ndaloi atë që të rikthehej përsëri në pushtet dhe, pas këtij episodi, disa statuja e përfaqësojnë me një shenjë në zonën e hundës. Por kjo ishte ekskluzive vetë për klasat
e larta shoqërore. Edhe në Kinë qe përhapur shumë kirurgjia estetike, duke nisur nga shekulli IV (pas.K.), aq sa janë gjetur përshkrime për rindërtimin e buzës leporino. Pas rënies së Perandorisë Romake, në Europë nuk janë gjetur më dëshmi të kirurgjisë estetike e të rindërtimit, derisa gjatë shekullit 9-13 arabët risollën në jetë teknikat indiane pas pushtimit të Spanjës dhe Sicilisë. Për kirurgjinë rinoplastika, do na duhet të presim në Europë shekullin XVIII ku Koomas, kirurg anglez, i cili e përshkroi teknikën e rindërtimit të hundës (1797). Teknikat u zhvilluan më tepër rreth viteve 1800 me lindjen e rinoplastikës moderne. Për Liposuction (heqjen e yndyrës) do na duhet të presim vitin 1987 me Jeffrey Klein.

Duke mos mohuar meritat e kirurgjisë plastike, nuk duhet harruar që kërkimi i bukurisë perfekte, siç thamë më lart, kthehet në një mani. Kjo pjesërisht si pasojë e përhapjes së shëndetit dhe mirëqenies së masës. Dëshmi e kësaj, përveç kirurgjisë plastike, janë dhe dietat e praktikimi i sportit. Nëse do të ndaleshim me kaq, do të kishim të drejtë ta konsideronim këtë një avantazh për të gjithë. Por shpesh, këto aktivitete çohen në ekstrem. Gratë (dhe jo vetëm) shpesh kanë një marrëdhënie të vështirë me trupin e tyre dhe mënyra se si ato e shikojnë dhe gjykojnë veten ndryshon shpesh. Shumë personave nuk u pëlqen kurrë vetja, duan të përmirësohen gjithnjë e më tepër. Gratë e kohëve moderne janë të ndikuara shpesh nga pasarelat, nga TV, nga modelet në revista. Kërkimi i bukurisë kthehet në një punë të vërtetë,
mjaft të kushtueshme. Mospranimi i trupit vetjak na shtyn drejt çrregullimeve të rënda, të tilla si bulimia dhe anoreksia.

Revistat e modës në ditët e sotme tregojnë vetëm imazhe të stereotipizuara të trupave
femërore, si të dobëta, elegante, të tonifikuara, të cilat pasqyrojnë standardet aktuale të bukurisë. Imazhet modifikohen shpesh me photoshop për t’i bërë ato më të
bukura dhe në përputhje me “idealin e përsosmërisë së sotme”. Që stilistet janë përgjegjës për imazhin e stereotipizuar që tenton drejt prefeksionit të bukurisë femërore, është një fakt i pakundërshtueshëm dhe propozojnë në mënyrë shumë të shkujdesur idenë e gruas ku sinonim i bukurisë janë dobësia ekstreme, përsosja aritmetike e masave të trupit të femrës.

Rreth dyzet vjet më parë, Brigitte Bardot u drejtohet grave me një paralajmërim të ashpër: “Gra, ruhuni nga stilistët: ata e urrejnë trupin e femrës dhe duan ta detyrojnë atë që të ngjajë me atë të meshkujve të rinj që janë të përzgjedhurit e tyre”.

Varësia ndaj pasqyrës është kthyer për shumë vajza të reja në një vuajtje, ndaj së cilës duhet të japin llogari dhe të luftojnë çdo ditë. Në shoqërinë e sotme, ku pamja e jashtme është gjithnjë e me rëndësishme dhe imazhet kanë më fuqi se fjalët, bukuria është një imperativ, një luftë e përditshme me përmasa të mëdha mes të qenit dhe të dukurit, mes trupave të vërtetë dhe atyre të idealizuar. Të qenit e bukur është kthyer në një domosdoshmëri esenciale, e bukur si divat e ekranit. Imitimi i atyre trupave dhe fytyrave tepër të bukura është kthyer në objektiv kryesor për femrat, sidomos të adoleshenteve, për të cilat divat e ekranit janë një shëmbëlltyrë për t’u ndjekur. Zhytemi gjithnjë e më tepër në kërkimin e asaj bukurie perfekte që prodhon vetëm pakënaqësi dhe urrejtje ndaj imazhit vetjak, që kthehet në një teatër obsesionesh si: ajo e të qenit ndryshe nga sa jemi, të mos ndierit asnjëherë aq e dobët sa duam ose mjaftueshmërisht të përsosur. Jetohet me idenë se të qenit kështu siç jemi, nuk është mirë dhe se ne duhet të modifikojmë ato gjëra që nuk përputhen me modelet që na ofron shoqëria.

Shoqëria ka krijuar një ideal estetik, ai i femrës perfekte, të dobët, përherë të rinj, gjë që është pothuajse e pamundur të arrihet: femrat, në përpjekje për t’u afruar sa më shumë drejt këtij standardi të bukurisë, humbasin shumë energji të çmuar, të cilën mund ta përdorin për të arritur objektiva të tjera në vend që të krijojnë frustrime të panevojshme, gjendje ankthi, ndjenja e faji dhe turp për defektet e tyre fizike. Është kjo arsyeja se përse miti i bukurisë përshkruhet si një thikë me dy presa ndaj grave, si një
mjet për t’i shtypur, për t’i ndaluar ato të shfaqin të gjitha potencialet e tyre, “një
armë e përdorur nga shoqëria maskiliste për të kundërshtuar dhe ulur pushtetin e
femrave”, pasi femrat me talentin e tyre mund të ishin më të mira se burrat në
shumë fusha.

Një sërë studimesh të kryera veçmas nga studiuesit italianë, amerikanë dhe gjermanë, kanë konfirmuar se të qenit e bukur dhe e dobët ndihmon për të gjetur një punë. Rezultati ka treguar se gratë e bukura kanë punët më të mira dhe janë të mirëpaguara. Është tepër i theksuar fakti se, në ditët e sotme, të qenit e bukur është e nevojshme për pothuajse të gjitha punët që janë në kontakt me publikun. Sado të jesh i shkathët dhe
i përgatitur në punë e tipit: sekretare, kameriere, shitëse në dyqane rrobash, do të zgjidhen më të bukurat. Përfundimi flet shumë qartë: bukuria paguan!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top