Kur një nënë apo baba, po edhe gjyshërit, i bien me shpullë apo pëllëmbë ose më keq akoma, rrahin një fëmijë për gabimet që bën, ata, prindërit, gjyshërit, i transmetojnë fëmijës përçmimin e tyre për fëmijën. Është e vërtetë që ata nuk e kanë qëllim këtë gjë, por veprimi i tyre këtë gjë transmeton.
Nga Lira Gjika
Dhuna ka në thelb të saj përçmimin për jetën dhe tjetrin. Fëmija është i parritur dhe nuk ka shumë mekanizma, që të mund të përballojë një eksperiencë të tillë dhune nga ata, të cilët duhet ta mbrojnë e ta duan. Kur e godasim një fëmijë në trup, për fëmijën është t’i prishësh tërësinë trup-shpirt. Fëmija në këto raste, vuan fizikisht nga dhimbjet e goditjes, të cilat e trembin shumë ndërsa psiko-emocionalisht ai zhbëhet në një “gjë” pa vlerë për veten e tij.
Një fëmijë i keqtrajtuar ndihet shumë keq, pasi nuk kupton pse e keqtrajtojnë të rriturit. Ai përpiqet të bëjë si ata ose i duhet pak ndihmë nga ata që të qetësohet. Mirëpo të rriturit nuk kanë “kohë”, “nerva” e “durim” dhe i bien shkurt, e godasin fëmijën, pa menduar se çfarë përfton fëmija nga sjellja e tyre. Fëmija mendon se po të ishte i mirë prindi apo gjyshërit, nuk do të silleshin ashtu me të dhe këtu e ka zanafillën niveli i ulet i vetëvlerësimit apo karakteri i dhunshëm që haset rëndom tek të rriturit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.