Termi “inteligjencë emocionale” është bërë pjesë e të folurit të përditshëm. Duke u mbështetur në studime shkencore që sjellin risi në fushën e studimit të funksionit të trurit dhe të sjelljes njerëzore, parashtrohen shumë faktorë të cilët bëjnë që një person me IQ të lartë të mos arrijë ndonjë gjë të madhe në jetë, ndërkohë që një me IQ mesatare mund t’i kapë majat e suksesit.
Inteligjenca emocionale na shpjegon se rëndësi ka aftësia jonë për të vepruar në kushtet e emocioneve. Këta faktorë në të cilët përfshihet vetënjohja, vetëpërmbajtja dhe empatia, i japin një kuptim tjetër të qenit inteligjencë e lartë emocionale. Edhe pse bazat e saj ndërtohen që nga përvojat e fëmijërisë, dhe vazhdojnë gjatë gjithë jetës.
Vetënjohja emocionale nënkupton njohjen dhe kuptimin e emocioneve personale, gjendjet, motivet, dhe efekti i tyre tek të tjerët. Për të arritur këtë, ne duhet të jemi në gjendje të analizojmë dhe identifikojmë gjendjen dhe emocionet. Duke u aftësuar në këtë aspekt, rritet aftësia në vendimmarrje. Vetënjohja nënkupton vetëmenaxhimin e emocioneve. Eksperiencat na mësojnë të menaxhojmë emocionet negative në mënyrë efektive, në vend që të shpejtojmë të reagojmë me nxitim. Nuk ka aftësi psikologjike më themelore sesa t’i rezistosh impulsit.
Aftësimi në këtë aspekt na bën më të disiplinuar dhe më të orientuar drejt suksesit.
Vetëpërmbajtja emocionale është pjesa ndërtuese e inteligjencës emocionale si dhe aftësia për të larguar një humor të keq. Ndjenjat kanë aftësi vetë-justifikuese, me një set perceptimesh dhe provash.
Neokorteksi (pjesa më e avancuar e korteksit celebral në tru, i cili ka një rol kyç në funksionet njohëse si mendimi, të folurit, vendimmarrja dhe perceptimi shqisor), lejon njohjen në hollësi dhe kompleksitetin e jetës emocionale. Njohja e emocioneve dhe aftësia për të monitoruar ndjenjat nga momenti në moment është thelbësore për depërtimin psikologjik dhe vetëkuptimin.
Empatia emocionale: Aftësia për të kuptuar reagimin emocional të një personi tjetër, të kuptojmë se si ndjehen të tjerët, na bën të jemi më të përkushtuar dhe t’i menaxhojmë shqetësimet e tyre. Rëndësinë kryesore e ka aftësia sociale, të qenët i aftë për të krijuar marrëdhënie të shëndetshme me të tjerët. Përvetësimi i kësaj aftësie do të na bëjë një komunikues të mirë, një lider të mirë dhe më të aftë për të menaxhuar konfliktet dhe për ta orientuar grupin apo debatin drejt zgjidhjeve efektive.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.