Jeta zgjatet, por në çfarë kushtesh? Ata që arrijnë pensionion nuk janë gjithmonë të lumtur, sepse pas largimit nga puna ka shumë kohë për të menaxhuar…
Shumë në të 65-at e kanë mbaruar jetën e tyre të punës dhe kanë filluar të “gëzojnë” më shumë liri. Megjithatë, sado më herët të ankoheshin për stres, ditët e tyre ishin të konsoliduara, të shënuara me ritme të sakta dhe për rrjedhojë ishin ditë shpërblyese dhe stimuluese. Ja se si dhurata për të pasur një disponueshmëri më të madhe kohe mund të bëhet, të paktën fillimisht, një thikë me dy tehe: nëse nga njëra anë keni kohë për të rregulluar shtëpinë tuaj, shkoni me pushime apo i përkushtohuni një hobi, nga ana tjetër ju keni më shumë liri e cila mund t’ju bëjë të përqendroheni tek mendimet negative.
Rishpikni veten dhe pranoni ndryshimet
Kjo fazë e jetës shpesh gjeneron pasiguri dhe brishtësi për shkak të ndryshimit të trupit, sepse ju ndaloni së punuari dhe ka disa sëmundje që duhen mbajtur nën kontroll. Periudha e daljes në pension, me humbje relative të rolit dhe interesave shoqërore, fëmijët që largohen nga shtëpia dhe çiftet që deri në atë moment kanë jetuar më shumë si prindër sesa si çift, përjetojnë sindromën e “folesë së zbrazët”. Por kriza mund të jetë kalimtare nëse kupton se të jesh vetëm nuk do të thotë se nuk të mbetet asgjë për të bërë, por është një mundësi e shkëlqyer për të rikrijuar veten.
Nëse rrethi vicioz nuk ndërpritet, ndjenja e vetmisë dhe pamjaftueshmërisë mund të dalë jashtë kontrollit dhe të kthehet në sindromë depresive.
Rindërtoni marrëdhëniet
Dashuritë janë shumë të rëndësishme, në çdo moment të jetës, veçanërisht kur keni më shumë kohë. Nëse gjatë periudhës së punës njeriu detyrohet shpesh të lërë jashtë marrëdhëniet shoqërore dhe miqësitë, mosha e pensionit mund të rivendosë përfundimisht atë që është braktisur, pa menduar se është tepër vonë për të përmirësuar marrëdhëniet shoqërore. Megjithëse rindërtimi i marrëdhënieve mund të duket si një përpjekje e madhe, përpjekje për të konsoliduar dhe forcuar dashuritë me familjen, miqtë dhe nipërit e mbesat është e mundur. Si? Duke ndarë shqetësimin tuaj me ta, pa shumë ankesa.
Ndiqni ëndrrat
Për të shijuar këtë pjesë të dytë të jetës, nuk duhet të bini viktimë e vetmisë dhe të menduarit negativ. Përkundrazi, është e rëndësishme të pyesni veten se çfarë është lënë mënjanë deri në atë moment dhe të kuptoni se ndoshta ka ardhur koha për të rehabilituar ëndrrat tuaja. Natyrisht, nuk keni nevojë të pretendoni se keni të njëjtat aftësi fizike si më parë dhe të pranoni kufijtë e moshës. Pra, vendosni kufij të arritshëm.
Është gjithashtu e rëndësishme të rrish me bashkëmoshatarët dhe të mos mbyllesh në shtëpi. Për të kapërcyer ndjenjën e vetmisë duhet të ndërmerrni veprime, madje t’i përkushtoheni vullnetarizmit. Për ata që u është dashur të heqin dorë nga studimi në të kaluarën, nuk është tepër vonë për t’u diplomuar apo ndjekur kurse. Natyrisht do të ketë vështirësi, por më pas me stërvitje situata do të përmirësohet. Me pak kuriozitet dhe interes, gjithçka është e mundur, madje edhe të mësosh përdorimin e kompjuterit në moshën 70-vjeçare. Ata që nga ana tjetër e kanë pasion natyrën, mund të mendojnë të kultivojnë një kopsht të vogël, qoftë edhe në një ballkon të vogël. E rëndësishme është të mos ulesh në një kolltuk dhe të shikosh tavanin!
Burimi amando.it
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.