Dëshmi

November 5, 2018 | 10:18

Videografi Olsi Beçi: I famshëm në vendin tim… sipas rregullave! Rrëfim shumëplanësh i artistit fotograf

Kameraman, videomontazhier, fotograf, organizator, regjisor, miksues zëri, ndriçimi… me një fjalë artist.

Të zhvillohesh drejt një arti shumëplanësh, padyshim që të bën ta meritosh një titull të tillë. Për Olsi Beçin përveç talentit, është pasioni ai që të ngre vlerat e të bën të sakrifikosh në emër të tij, e pse jo të krijosh një perandori materialesh dokumentuese, që ndoshta shumë vite më vonë mund të jenë thesar në zbulim.

1

Përvoja e parë ishte fare fëminore. Thjesht përmes të parit mjaft dokumentarë, kronika lajmesh të xhiruara në terren, të cilat tërhiqnin vëmendjen e djaloshit. Ishte në adoleshencën e tij. I pëlqenin kamerat, sheshxhirimet, këndet dhe mënyra e kompozimit të figurës, vendosja e elementëve subjektivë dhe shtrirja e një plani shumëgjerë në montazhet mjeshtërore të të vetmit televizion në vend, TVSH.

Olsi Beçi kishte një tërheqje të brendshme, pas të cilës rendte të mësonte me etje. “U qëndroja afër kameramanëve me orë të tëra. U bëja shumë pyetje. Disa më thonin: ‘Po ik or çun se je i vogël!’. Kishte të tjerë që thoshin: ‘duhet të kesh kamerën tënde, vëzhgo sa më shumë, qëndro pranë një profesionist’. Mundësi për kamera atë kohë nuk kisha, por pasioni ishte tek unë”.

Ambicia për t’u bërë profesionist u zhvillua nga një tjetër rastësi, e cila e kthente pas. Ishte një përvojë teorike pesëvjeçare që mori në fund shpërblimin. Beci ishte punonjës i një prej hoteleve në Rimini në Itali. Ndërsa shokët e tij pas pune argëtoheshin, ai mbyllej në dhomë e mësonte çdo mbrëmje teori bi kamerën, montazhin, videot. “Në vitin ’98, kohë rrëmujash, pasi mbarova gjimnazin ika në Itali. Përveç punës blija në kinkaleri, revista periodike që flisnin për filmat, videot, fotografitë, teknikat e xhirimit. I blija gjithmonë, pa pasur akoma kamera. Ishte një lloj kurioziteti i brendshëm që më shtynte pa e ditur ku do dilja. Plus kësaj u regjistrova dhe në bibliotekën e qytetit dhe merrja libra të vjetër që flisnin për kamerën dhe montazhin, ndonëse teknologjia e sotme është krejt ndryshe. Arrita të mësoj në teori, montazhin linear dhe nënlinear. Pas gjithë këtyre hapave, arrita të blej një kamera të vogël me minikaseta. Ishte një emocion i madh. Xhiroja kolegët e punës, u praktikova. Një mbrëmje, pronari i hotelit më pyeti: ‘Pse nuk del dhe ti me kolegët, por të shoh gjithmonë të lexosh?’ Ia shpjegova pasionin tim, duke shpresuar që në të ardhmen do ta shndërroja në zanat. Ai më premtoi se pas mbarimit të sezonit veror, do të më njihte me një kompani që merrej me skenografi virtuale. Ata kishin një agjenci që bënin skenarë, video dhe montazh. Aktorët ishin realë në skenë, pjesa tjetër e videoprojektuar. Ata lëvizin shpesh nëpër qytete të ndryshme. Madriti ishte qendra kryesore. Më morën në provë, dhe m’u desh të shpenzoja të gjitha kursimet për t’i ndjekur pas. Aty u bëra përgjegjës transmetimi, testoja gjithë kabllot, që nga regjia, deri kur shfaqej në montim. Bënim prova 3-6 muaj për një shfaqje. Kemi bërë ‘Requiem’, ‘Madam’ ‘Butterfly’, ‘Romeo&Juliet’. Më shumë më ka emocionuar ‘Requiem’ i Verdit, 11 minuta pa ndalim duartrokitje pas shfaqjes. Tri vite e ndoqa, më pas u ktheva pasi ishte një kohë në ikje që nuk më linte të vazhdoja jetën time. Atje mësova nga ndriçimi, regjia, dublimet, kamerat, edukata apo sjellja në punë. Pasi mora dhe dokumentet italiane, pas 8 vitesh u ktheva”.

Boom aktivitetesh, “duam Olsin”!

2Kthimi në Shqipëri e kishte shkëputur nga njohjet. Duhej të rivinte kontaktet. Një djalë Tirane e kishte parasysh se miqësitë e vjetra do ta ndihmonin, por edhe këmbëngulja nuk e linte pas. Pavarësisht kontestimit të familjarëve, vendosi të hidhej në sulm, qoftë dhe për punë krejt falas, vullnetar i detyrave që do t’i përcaktonin. Lëvizja “Mjaft” i hapi dyert. Erion Veliaj, kreu i saj do ta pranonte menjëherë në grupin e tij duke i propozuar angazhimin e rëndësishëm, “PlayGreen”, dokumentar i cili u vlerësua si skenari më i mirë mes shqiptarëve, anglezëve, bullgarëve dhe maqedonasve konkurrentë. Në këto 12 vite përvojë, padyshim që nuk heq dorë nga vullnetarizmit. Vijon të mbështesë Bashkinë e Tiranës me videoxhirime të ndryshimeve që kanë karakterizuar Tiranën këto vite. Por ka dhe nga ato punë që vlerësimi është tejet i paguar. Pavarësisht shkallës së vështirësisë, Olsi Beçi bashkëpunon si fotograf për Unicefit, UNDP, Ambasadën Amerikane etj. “Kam mësuar shumë gjëra, që nuk do më shkonte mendja. Trajtohen tema mbi të drejtat e fëmijëve, abuzimet, dhunën ndaj gruas, etj. Me Kombet e Bashkuara së fundi kemi trajtuar temën ‘Çfarë do ti?’ mbi nevojat reale, statistika që përcaktojnë një mesatare mbi atë se çfarë kërkojnë njerëzit. Nga ana humane të bën të ndërgjegjësohesh”.

Olsi Beçi është gjithëpërfshirës, kjo sepse është natyra e tij të të punuarit. Ajo që i ka dhënë çmime e pjesëmarrje në festivale ndërkombëtare, janë dokumentarët e realizuar me skenaristen dhe regjisoren Donika Mustafaj. ‘Fëmijëria peng’ është njëri prej tyre, që pasqyron një jetë jo reale të fëmijëve të pasur. “Me Donika Mustafaj kam marrë pjesë në Çmimet KULT dhe DokuFest në Prizren. Kam punuar dhe me regjisorin Reart Gërmeni, kemi bërë një film që ka marrë pjesë në disa festivale evropiane dhe ka fituar në Amsterdam çmimin si “Skenari më i mirë”, “The other face” ku në qendër është një vajzë e paralizuar, interpretuar nga Arsa Gashi, dhe rolin e gjyshes Tinka Kurti.

Olsi Beçi është gjithashtu i preferuar i shumë Vip-ave në botën e skenës dhe ekranit. Ardit Gjebrea, Alketa Vejsiu, Alban Skënderaj, TvKlan e të tjerë, zgjedhin Olsin si djaloshin e papërtuar. “Një nga punët e fundit ka qenë koncerti i Alban Skënderajt, i cili u nis për një ditë dhe përfundoi në tri ditë nga fluksi i njerëzve. Është hera e dytë që unë e dokumentoj komplet backstage-in, që nga provat, skenari, takimi i parë, posterat në rrugë, emocionet para dhe pas skenës. Natën finale e xhirova unë. Ishte një moment emocionues pasi më falënderoi publikisht për punën e bërë. Ndërsa nga politikanët ruaj emocionet e filmimit të lindjes së fëmijës së një politikaneje. Kam punuar me ‘Miss Univers’ me Eduard Deda”. Po ku e gjen Olsi Beçi motivin? “Duke e pasur këtë profesion si hobin tim, i bie që unë kam investuar për hobin tim. Dhe me anën e tij bëj dhe fitimet e mia që unë mbaj familjen”. Përveç gjithçkaje të thënë deri më tani, për Olsin është dhe një tjetër angazhim më serioz, një ambicie që i kalon kufijtë. “Kam vendosur kontakte me Tv Albania Culture, që ndodhet në SHBA, Nju Jork. Aty flitet për kulturën, traditat shqiptare, dhe çdo aktivitet që bëhet në Shqipëri dhe Amerikë. Ne e dokumentojmë dhe e çojmë si një material të prodhuar nga shqiptarët e Shqipërisë për shqiptarët e Amerikës, të Kanadasë dhe Alaskës.

Transmetojnë një herë në javë, është Tv Kabllor me licencë dhe është online gjatë gjithë kohës në mainstream ku mund të ndiqen online. E si për të plotësuar gjithçka, Olsi Beçi ka dhe studion personale me pajisjet të fundit të teknologjisë, për të cilat thotë se investon shumë, ku ndan punën me një staf montazhierësh. Në këtë mjedis ai përfshin dhe punën krijuese me çiftet që zgjedhin të kurorëzojnë lidhjen e tyre.

Olsi është bashkëshort i Ariola Spahiut (pedagoge dhe specialiste marketingu), së cilës asnjëherë nuk i mungojnë kritikat dhe lëvdatat për punët e tij. Ata janë një skuadër, ku merr vlerë shprehja “bashkimi bën fuqinë”. Janë prindër të një vogëlusheje, Ohana, që bart kuptimin e FAMILJES.

Kontakte: vimeo.com/olsibeci; Instagram: olsibeci; Facebook: Olsi Beçi

Botuar në revistën numër 136, print revista “Psikologjia”

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top