Psikofakt

April 11, 2017 | 10:13

Viktima të pragmatizmit

Sipas enciklopedisë franceze Bordas (Paris, 1999), pragmatizmi, teori filozofike e fundshekullit XIX, me përfaqësues amerikanët Charles Sanders Peirce, John Dewye dhe William James, vlerëson se konsideratat filozofike ia vlejnë vetëm kur janë të dobishme, d.m.th. kur mund të shërbejnë për të zgjidhur një problem konkret, për të përmbushur një detyrë praktike. Origjinaliteti i pragmatizmit qëndron në përcaktimin e së vërtetës jo nëpërmjet përputhjes teorike të mendimit me realitetin, por nëpërmjet sprovës që kalon mendimi kur i nënshtrohet veprimit.

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Arritja e sukseseve në një sferë të caktuar të veprimtarisë njerëzore, sipas ithtarëve të kësaj filozofie, është dëshmi e së vërtetës. Në një kuptim më të gjerë, me “pragmatizëm” kuptojmë çdo qëndrim që konsideron se rëndësi ka vetëm rezultati përfundimtar, çka, për disa kritikë, duket se i bën jehonë, nga larg sigurisht, thënies së Makiavelit, sipas së cilës qëllimi justifikon mjetin. Sot, në kuadrin e ekonomisë së tregut që mbështetet në iniciativën e lirë dhe konkurrencën e vrullshme, midis individëve, pragmatizmi po shfaqet fuqishëm edhe në Shqipëri në të gjitha fushat e jetës si materiale ashtu edhe intelektuale, por duke rënë ndesh me disa vlera e norma morale.

1Pasoja më e dukshme e pragmatizmit në jetën tonë të përditshme është përparësia e paturpshme që po merr, së pari, të pasuruarit me çdo kusht e çdo mjet, pra, institucionalizimi i parasë si e vetmja vlerë promovuese e shtetit dhe e shoqërisë; një tjetër pasojë është ashpërsimi i luftës për pushtet, meqenëse, ndryshe nga shtetet e zhvilluara demokratike ku nuk është vetëm paraja që të çon te pushteti, te ne vetëm pushteti të çon te paraja, pra institucionalizohet përdorimit i pushtetit jo vetëm për t’u pasuruar, por edhe për t’u bërë i pandjeshëm deri në cinizëm ndaj problemeve të mprehta socialekonomike të shumicës së popullsisë; një tjetër pasojë është edhe krijimi i një klime psikologjike të tillë që të jesh i ndershëm, i moralshëm, idealist, i drejtë dhe solidar me të pambrojturit, po kthehet në diçka të dalë mode, madje gati-gati qesharake, me një fjalë, në donkishotizëm.

Pragmatizmi i ngritur kësisoj në sistem, po ndërhyn e po hedh rrënjë thellë, pa drojë e në mënyrë të paskrupullt, edhe në marrëdhëniet tona me karakter shpirtëror: shoqëri me interes, miqësi me interes, dashuri me interes, martesë me interes, seks me interes, gjithçka me interes, dukuri këto që, duke u kthyer në norma, po nxjerrin pashmangësish në pah konformizmin, servilizmin, hipokrizinë dhe, më e keqja, një prostitucion shpirtëror të neveritshëm, i cili po e përçudnon përherë e më rëndë profilin tonë kombëtar tashmë të deformuar prej disa dekadash. Ndoshta një ditë, viktimat e sotme të pragmatizmit në vendin tonë do të ndërgjegjësohen më në fund për rrezikun që kërcënon brezat e ardhshëm dhe, si rrjedhojë, do të reagojnë para se të jetë tepër vonë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top