Përgatiti Aida Shquti
Kishit dëgjuar më parë për Viparita Karanin? Nuk është një personazh i njohur publik, as ndonjë emër ushqimi, por është një pozicion i trupit me këmbët ngritur të ngjitura pas murit. Por çfarë përfiton trupi ynë nga kjo teknikë?
Ngritja e këmbëve në mur mund t’ju duket e çuditshme, por për praktikuesit e jogës është një pozicion i njohur. Në fakt, ky ushtrim sjell disa dobi shëndetësore dhe është një teknikë terapeutike. Në joga ky pozicion njihet me emrin Viparita Karani ose me fjalë të thjeshta poza me këmbë mbi mur. Kjo lëvizje është shumë e thjeshtë dhe çdokush mund ta kryejë në shtëpi. Kjo teknikë ushtrohet për të vendosur një lidhje midis mendjes dhe trupit, por gjithashtu ndihmon edhe me qarkullimin e gjakut. Ja disa nga përfitimet e Viparita Karanit.
– Redukton dhimbjen e mesit
– Çliron muskujt e lodhur
– Rrit qarkullimin e gjakut
– Redukton fryrjet në këmbë dhe pulpa
– Qetëson sistemin nervor
– Stimulon meditimin
– Redukton grumbullimin e ujit nga këmbët
Fryrja e këmbëve mund të vijë si rezultat i problemeve me veshkat, mbipesha, mjekimet ose kequshqyerja. Cilido qoftë shkaku ky ushtrim do t’ju ndihmonte duke reduktuar dhimbjet. Gjëja e parë që do të vini re do të jetë një çlirim fizik dhe relaksim i mendjes. Pozicioni gjithashtu favorizon oksigjenimin e duhur të trurit duke çlodhur mendjen.
Ja se si ta praktikoni:
Shtrihuni mbi dysheme dhe ngrijini këmbët lart, paralel me murin. Qëndroni për 10 deri në 15 minuta pa lëvizur duke shijuar qetësinë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.