Suplementet e vitaminave po bëhen gjithnjë e më popullore në mesin e njerëzve që kërkojnë doza të shpejta të këtyre ushqyesve të nevojshëm. Shumë prej tyre i marrin edhe për të ulur rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Megjithatë, studimet shkencore konfirmojnë se marrja e këtyre ushqyesve shtesë nuk luan asnjë rol në uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës.
Studimet pohojnë se ulja e këtij rreziku mund të arrihet falë zgjedhjeve të zgjuara e të shëndetshme në ushqyerje. Të dhënat rekomandojnë disa hapa të thjeshtë në përmirësimin e regjimit ushqimor për të përmirësuar shëndetin e zemrës:
Konsumit të rregullt të peshqve të pasur me acide yndyrore omega-3 dhe vitaminë D siç janë peshku ton apo salmon;
Ngrënia çdo ditë e arrorëve si arrat apo bajamet;
Ushqyerja me perime me ngjyrë të kuqe, portokalli dhe të verdhë siç janë karotat dhe specat. Ato janë të pasura me vitamina të shëndetshme për zemrën dhe fibër;
Konsumi i fasuleve me ngjyrë të errët të cilat janë të pasura me vitaminë B, fibër dhe minerale të tjera të vyera;
Ngrënia e brokolit të freskët dhe pak të gatuar për të marrë më shumë vitaminat C dhe E.
Pirja e një gote me verë të kuqe herë pas here dhe ngrënia e çokollatës së zezë me të paktën 70 përqind kakao.
Studimet e fundit gjithashtu rekomandojnë ndjekjen e planit 5-10-8 që synon të minimizojë rreziqet e sëmundjes së zemrës dhe të garantojë një shëndet të mirë dhe afatgjatë të saj.
5 racione fruta dhe perime
Ngrënia e pesë racioneve me fruta dhe perime në ditë është e domosdoshme për shëndetin e zemrës. Në mëngjes mund të konsumoni një racion frutash dhe perimesh dhe më pas të konsumoni disa të tjerë gjatë vakteve. Përzgjedhja e tyre është tërësisht në dorën tuaj.
10 minuta aktivitet fizik
Studimet kanë treguar se një aktivitet fizik për 60 deri në 90 minuta në javë e ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës me 50 përqind.
8 orë gjumë
Cilësia e gjumit është shumë e rëndësishme për zemrën. Ndonëse nevojat për gjumë të njerëzve janë të ndryshme, synoni të flini 8 orë gjumë të mirë dhe pa shqetësime.
Burimi AgroWeb.org
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.