FB

September 27, 2021 | 8:15

Viti i ri shkollor, mes edukimit dhe përshtatjes me një realitet të ri

Edukimi i brezave të rinj çdo vit përbën një sfidë më vete, sidomos nëse flasim për vende në zhvillim ku konsolidimi i institucioneve, ndjekja e strategjive të trajnimit dhe adaptimit të mësuesve/edukuesve me metodat më inovatore të mësimdhënies mbetet një proces sfidues. Këtë vit të ri akademik dhe shkollor mësuesit nuk përballen vetëm me një sfidë të tillë, atë të vështirësisë së edukimit dhe informimit sa më konform dijeve të reja dhe inovacionit, por sot kemi një sfidë të re mbarëbotërore.

Nga Arsejda GJYLI

Nga Arsejda GJYLI

Shtetet më të zhvilluara po përballen me vështirësi në fillimin dhe rikthimin e studentëve dhe nxënësve në auditore për faktin e mungesës së sigurisë, vështirësisë së aplikimit të protokolleve të distancimit social, mbajtjes së maskës si dhe punës së lodhshme me turne, në një stad kur nxënësit e kanë tejet të vështirë t’i përmbahen rregullave në vetvete por edhe ta perceptojnë rrezikun kur bëhet fjala për jetesën e tyre normale në shkollë mes njëri-tjetrit.

A do të shkaktojë situata e pandemisë krizë në sistemin arsimor, rënie të rolit apo legjitimitetit të institucionit të shkollës, rolit të mësuesit si dhe vështirësi të tjera të pamenduara më parë? Si mund të menaxhohen këto problematika?

Në një perspektivë globale pasojat e pandemisë kanë patur një impakt në fushën arsimore po aq të madh sa në aspektin ekonomik, gjë e cila ka afektuar edhe vendin tonë. Problematikat kryesore nuk konsistojnë vetëm në efektet afatshkurtra, ku pjesëmarrja fizike në auditore sjell një pasiguri për trinomin prind-student-mësues, rritje të rasteve të infektimeve, rënie të mesatares dhe pjesëmarrjes në mësim, rënie e rolit të shkollës dhe mësuesit, mungesa e seriozitetit të institucionit në sytë e nxënësve, por padyshim kjo do te sjellë edhe pasoja afatgjatë.

Ndër pasojat më të rëndësishme afatgjatë është fakti se si pandemia do të afektojë rezultatet e nxënësve, ecurinë e tyre në vijim me edukimin, si dhe efekti i këtyre rezultateve në kalimin nga niveli parauniversitar në atë universitar. Në këtë kontekst për të evituar ngërçet afatshkurtra dhe pasojat afatgjata të pandemisë në sistemin arsimor e më së shumti në edukimin e brezave, duhet me patjetër një strategji dhe një plan i mirëfilltë veprimi me qëllim, menaxhimin e efekteve të pandemisë, arritjen e një alternimi sa më efektiv mes mësimdhënies online dhe asaj fizike, ruajtjen me sukses të integritetit dhe rolit të mësuesit përmes këtyre strategjive, si dhe një plan afatgjatë për të realizuar me sukses kalimin e nxënësve nga gjimnazi në universitet me sa më shumë efektivitet.

Në këto rrethana do të bëhet e mundur që përmes strategjive dhe planeve të veprimit nga institucionet arsimore, bashkëpunimit nga stafi i shkollave e universiteteve si dhe bonsensi i prindërve, të arrihen kushtet optimale të edukimit në situatën ku ndodhemi.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 160

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top