Dëshmi

June 27, 2018 | 10:31

Viti i Skënderbeut: Piktorja shqiptare që bashkon kufijtë me artin e saj, “Aurora Borealis 2” më shumë dritë, paqe dhe dashuri njerëzore në Prizrenin historik

Nga Orjona TRESA

Ajo është një ekonomiste, edhe pse në thellësinë e saj buron më shumë pasion për artin. Shquhet në të qenit piktore shumë e zonja. Këtë e vërtetojnë emra të mëdhenj të fushës. Madje, shtrirja e punimeve të saj i kapërcen kufijtë. Nuk është vetëm piktura ajo që e përfaqëson denjësisht, por në të bërit art rrjedh një burim i tërë krijues, duke e pasuruar me letërsinë poetike.

1

Aurora Ndreu (Cakaj) është piktore e njohur nga Tirana. Pas një ekspozite të suksesshme pikture në Muzeun Historik Kombëtar Tiranë “Aurora Borealis 1” në tetor të vitit 2017, vjen para artdashësve shqiptarë me një ekspozitë të dytë personale. “Aurora Borealis 2” këtë herë ka zgjedhur të ndalet në Kosovë, një ambicie dhe vullnet i kahershëm i autores për të bashkuar kufijtë kulturorë aty ku flitet gjuha amë.

8-jpgKy takim kulturor me ftesë nga Shoqata për Kulturë dhe Art “Fidani Prizren” me organizatorë, Berat Batiu dhe Nexhat Cocaj e sollën këtë ekspozitë në sallën  e shtëpisë kulturës “Xhemajli Berisha” dhe mjediset e Teatrit profesionist “Bekim Fehmiu”. Kjo ngjarje i dedikohet 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në prani të një numri krijuesish artistikë, të cilët vlerësuan talentin krijues me vlera të larta të piktores.

Aurora Ndreu vjen plot dritë e pozitivitet në qytetin e bukur, artdashës dhe historik të Prizrenit, ku me talentin e saj ka arritur të rrëmbejë interesin e shumë specialistëve dhe kritikëve të artit pamor. Thuajse në të gjitha gjinitë e pikturës si  portret, kompozim, natyrë e qetë, peizazhe, por edhe pikturë abstrakte, ajo tashmë mund të konkurrojë denjësisht me piktorët më të mirë. Figura e nënës dhe e fëmijës, e sjellë aq bukur, hyjnore në disa nga pikturat, përcjell ndjenjën e fortë njerëzore, mëmësinë. Për tri ditë, artdashësit e këtij qyteti të lashtë dhe historik, shijuan punime që reflektojnë dritë, paqe dhe dashuri njerëzore.

7-jpg

Kush është Aurora Ndreu për të gjithë ata që ju lexojnë përmes këtyre rreshtave?

Quhem Aurora Cakaj (Ndreu), jetoj në Tiranë prej shumë vitesh, punoj prej 25 vitesh në sistemin Bankar, e martuar me dy fëmijë. Rrjedh nga një familje me prindër intelektualë, babai shkrimtar, publicist i njohur shkrimtari Ferhat Cakaj, nëna mësuese e ciklit të ulët. Jam rritur mes librash që në moshë të vogël, e edukuar me dashurinë për artin, librin dhe vizatimet e shumta. Kam punuar që në moshë të vogël, duke vazhduar dhe shkollën në të njëjtën kohë, për të ndihmuar sadopak financiarisht familjen time, duke zbehur në të njëjtën kohë dhe ëndrrat dhe dëshirat për t’u marrë me art për shume vite.

Pse keni zgjedhur Prizrenin për të ekspozuar punët tuaja në këtë ekspozitë?

Para pak muajsh kam qenë pjesë e një aktiviteti sa njerëzor dhe human, që ka të bëjë me dhurimin e tri pikturave në Prekaz. Unë së bashku me piktorin e mirënjohur Sulejman Prrenjasi, vizituam memorialin dhe shtëpinë e bërë shoshë nga luftimet në familjen e Jasharëve më 28 Nëntor 2017. Më dukej sikur dëgjoja zërin dhe britmat e fëmijëve të vrarë në ato rrënoja. E kam realizuar portretin e heroit Adem Jashari me një frymë dhe mezi prisja ta dërgoja atje ku prehet, në fushë pranë gjithë anëtarëve të familjes së tij. Në pikturë e doja ashtu të gjallë, madhështor, i gatshëm për flijim. Ky aktivitet do mbetet i paharruar në kujtesën time për shumë kohë.

4-jpg Çfarë vendi zë Kosova në jetën tuaj artistike?

Kosova ka qenë e pranishme gjithmonë në jetën time, në  veprat, romanet e tim ati. Qyteti im i lindjes është në kufi me Kosovën, Prizrenin. Gjithashtu, nëna ime është me origjinë nga Gjakova. Në shtëpinë tonë, në vitet ‘78 mbaj mend erdhën dy gazetarë, shkrimtarë, studiues nga Prizreni z.Nexhat Cocaj dhe një tjetër në fshehtësi, pasi kufiri ka qenë i mbyllur dhe nuk ishte aspak i lehtë kalimi në Shqipëri. Pas shumë vitesh, me mbarimin e luftës në Kosovë, pata fatin t’i takoj dhe të flas me ta, si dhe ta prek nga afër Kosovën e shumëdëshiruar, më saktë Prizrenin, me ekspozitën time të dytë personale “Aurora Borealis 2”.

Pse keni zgjedhur  “Aurora Borealis” si  titull të ekspozitave tuaja?

Është një fenomen i mrekullueshëm që ndodh në hemisferën e Veriut. Një vallëzim i bukur ngjyrash që mbushin qiellin në një mënyrë tepër mistike, me një shkëlqim të mbinatyrshëm. Ashtu jam dhe unë, një Aurorë e mbushur plot me ngjyra plot dritë e jetë.

Ju merreni dhe me poezi. Si mendoni, sa kanë lidhje me njëra-tjetrën këto dy gjini kulturore? Si vjen poezia tek arti pamor?

Arti, pasioni dhe talenti, thonë se lindin me njeriun, por ndonjëherë ndodh që talenti shpërthen si uragan në një moment kyç në jetë. Ky shpërthim të ndjek pas gjithë jetën. Kjo ndodhi me mua para 5 vjetësh, kur humba babanë, heroin e jetës time. E gjithë kjo dhimbje u kthye në pasion për artin dhe pikturën dhe kjo më bën të lumtur. Netëve të vona shkruaj poezi dhe i ndërthur me pikturën. Kam lexuar shumë pasi në shtëpinë tonë, falë atit tim shkrimtar kishim një bibliotekë shumë të pasur. Mendoj që poezia është e lidhur ngushtë me pikturën. Ndërthurja e tyre bën atë që ne e quajmë art.

8-1

Ju jeni me profesion ekonomiste, jeni  bashkëshorte  dhe nënë e dy fëmijëve. A mendoni se ky profesion dhe obligimet tuaja në familje ju pengojnë të merreni me pikturë?

Mundohem t’i bëj të gjitha, të jem një nënë e përkushtuar, bashkëshorte shumë e mirë, dhe të jem korrekte në profesionin tim. Kur kam kohë të lirë merrem me pikturë, e cila më çlodh  gjithë stresin e ditës. Fokusohem tek tabloja që kam përpara dhe nuk mendoj më asgjë, shkrihem me të. Me një pikturë të bukur shpesh dashurohesh, bëhet pjesë e jotja, nuk dëshiron ta shesësh apo t’ia dhurosh njeriu. Ajo mbetet aty në zemër përgjithmonë.

8-4

Në punimet tuaja bie shume në sy ngjyra blu e thellë. Kemi parasysh shumë punime që në pamje të parë kanë detin, dallgët, qiellin, hapësirën, bregdetin shqiptar. Çfarë ju pëlqen tek të kjo ngjyrë? Kush është ngjyra juaj e preferuar dhe teknika me të cilën punoni më fort?

Punimet i kam kryesisht në vaj. Kam eksperimentuar me të gjitha, por punimet në vaj janë shumë të bukura. Natyra gjithmonë më ka mrekulluar me gjithë dimensionin e saj. Kam vizituar disa vende të Europës, jam mahnitur me muzetë e Vienës, Hungarisë, vende këto me një kulturë të lashtë. Më pëlqen të luaj me dritën, në bardh e zi prandaj shpesh punoj me karbon duke krijuar figura. I dhuroj portrete miqve që më rrethojnë. Në punimet e mia ka shumë blu, është ngjyra e piktorëve të mëdhenj, personifikim i qiellit, detit, hapësirës. Deti i jugut më ka mrekulluar gjithmonë. Sa i frikshëm, i thellë, aq dhe i dashur dhe i bukur me kaltërsinë e tij. Shpesh, kur ikim  me pushime, mbledh gurë dhe punoj me ta mozaikë të mrekullueshëm, siç ishte punimi i bregut të Lukovës dhe i urës së gurit në Prizren, dy punime që u pëlqyen shumë nga të pranishmit në ekspozitë.

3-jpg

Ju rridhni nga një familje artistësh, çfarë do të thotë të rritesh mes librave, duke qenë se jeni vajza e shkrimtarit të mirënjohur, publicistit, romancierit Ferhat Cakaj. Cila ka qenë fëmijëria juaj?

Falë prindërve kam përjetuar një fëmijëri shumë të lumtur, e rritur plot dashuri e përkujdesje, mes librave, në studion e tim ati, ku merrnin jetë personazhet dhe heronjtë e romaneve në vite, ku dëgjohej si simfoni në mesnatë, rrëshqitja e stilografit në dorëshkrime, tiktaku i orës në mur dhe trokitjet në tastet e  makinës së shkrimit. 5 vite më parë kam përjetuar me shumë dhimbje ndarjen nga jeta të babait tim të shtrenjtë, duke u zhytur në një hidhërim të thellë bashkë me familjen time.

Cilët janë piktorët tuaj më të preferuar?

Piktura klasike është dhe mbetet një thesar pa fund si dhe gjithë rrymat e tjera. Do të veçoja Karavaxhon, i cili për mua është i paarritshëm, stili barok me Mikelanxhelo, Tiziano etj. Periudha impresioniste (Cesane, Monet, Renoir, Van Gogh…), piktura surrealiste (Devaux, Magritte apo Dali…)

Ekspozitat sot dihet, kanë një kosto financiare. Kush ju ka ndihmuar në këtë drejtim?

Mendoj që artistët, më saktë piktorët, kanë nevojë për mbështetje financiare, pasi është shumë e vështirë të mbijetosh sot vetëm me pikturë. Shumë piktorë të njohur janë të detyruar të shesin punët e tyre të veçanta për të mbajtur familjen dhe kjo është e dhimbshme. Mendoj që në Shqipëri akoma nuk është kulturë blerja e një pikture reale. Tregu është i mbushur me printime të ardhura nga Europa. Në rastin tim kam pasur fatin që çdo gjë është përballuar nga familja, bashkëshorti dhe fëmijët e mi, që për mua janë mbështetja ime më e madhe. Kam marrë pjesë në disa ekspozita të përbashkëta si: “Ngjyrat e familjes sime”, “Ikonografia Moderne” si dhe pjesëmarrëse dhe fituese e shumë konkurseve online në botë.

Cilat janë synimet tuaja në të ardhmen?

Vazhdoj të punoj shumë, pasi në vjeshtë duhet të jem gati për çeljen e ekspozitës sime të tretë në Tetovë-Maqedoni. Do ketë surpriza të reja, për këtë ju premtoj. Dua që me pikturën time të bashkoj Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, aty ku jetojnë shqiptarët, duke realizuar kështu ëndrrën time të madhe.

8-2 8-6 8-3 7-jpg 6-jpg 5-jpg

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top