Në një çast kupton që jeta është si një aeroplan apo flutur, që të ikën nga duart dhe nuk e kap dot. Vjen një moment ku duhet të mësohesh të jesh mirënjohës për çfarë ke tani, jo të qash për atë që iku, apo të presësh çfarë do fort. Jeta është një çast, nuk ka kohë që të presësh. Ai çast që të jepet dhuratë është tani. Jeta ndodh në tani.
Përgatiti Elidona Lamnica, psikologe
Çfarë vlere ka të mbartim barrat e së kaluarës?
Çfarë kuptimi do ketë të shpresosh që e nesërmja do të të”shpëtojë”?
Do të gëzojë, duke të sjellë çfarë ti do!
Jam e bindur që ne nuk e dimë hera-herës çfarë duam në të vërtetë. Nuk dimë çfarë është më e mira për ne. Kur nuk mundemi të vlerësojmë, të gëzojmë dhe të jemi mirënjohës për momentin që kemi tani.
Ne dimë pak, kuptojmë pak dhe ëndërrojmë shumë. Mendon vërtet që gëzimi apo qetësia do të vijnë në një moment tjetër?
Kur gjërat të bëhen mirë e bukur, a ekziston ky moment?
Besoj se edhe në mes kaosit mund të gjejmë paqen, sepse ajo gjendet brenda nesh.
Mjaft kërkuam jashtë!
Kërkojmë miq, motivues ,libra e shumë gjëra. Harrojmë të rrimë me veten dhe pranë natyrës. Aty gjendet pasuria dhe shumë përgjigje që po i kërkojmë vazhdimisht jashtë. Kjo ndodh sepse i fshihemi vetes, kemi frikë nga dhimbja,errësira që fshihen aty.
Por, besoni, pa u njohur me këto anë brenda nesh, nuk mund të shërohemi dhe nuk mund të lulëzojmë. Duke bërë paqe me çfarë është brenda nesh, duke kuptuar veten, duke e falur do mund të rilindim.
Kështu do mund të takojmë paqen në thellësi të shpirtit, duke pastruar pak nga pak e me durim tërë pluhurat që kemi fituar gjatë viteve. Tani është momenti të pastrohesh. Shkund pluhurat. Bëj vrap, dil në natyrë.
Bëj palestër. Bëj pastrim organizmit nga toksinat. Bëji pastrim shpirtit duke i lënë të ikin ato marrëdhënie toksike që ke në jetë.
Jepi kohë vetes. Merre me të mirë. Qëndro me veten.
Njerëzit do të flasin, do të motivojnë apo do të ndihmojnë, por pothuajse askush nuk do të të shërojë, aq sa ti mund të shërosh veten tënde.
Ky është proces i gjatë!
Për shumë vite kemi akumuluar, do duhet kohë dhe për të bërë pastrimin. Mos e nxito veten. Mos kërko më nëpër librat. Kërko më afër,në një vend më të sigurt. Kërkoi shpirtit tënd, se çfarë të bësh, me kë të rrish.
Kush i jep gëzim, lehtësi qenies tënde të pastër. Pyet trupin tënd çfarë do të hajë apo të pijë. Lexo nevojat që ke nga brenda.
Nuk do mund ta thotë askush çfarë është më e mira për ty. Ti vetë do e zbulosh duke pyetur brenda, duke parë brenda dhe duke lexuar mesazhet që shpirti brenda teje të jep. Sepse ti, e çdo njeri, është dritë në brendësi dhe kemi aftësi të shërojmë veten nga ngarkesat që jeta dhe vetja jonë ka krijuar .
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.