Vera është një stinë e dashur, sidomos për fëmijët, të cilët mezi i presin pushimet. Mirëpo, për shumicën e familjeve, pushimet zgjasin dy deri në katër javë. Ka edhe familje që mund të pushojnë deri në dy javë ose më pak, por ka edhe të tjera, të cilat nuk kanë mundësi të pushojnë fare. Një numër i vogël i dërgojnë fëmijët e tyre për pushime dy-tre mujore në shtëpitë e gjyshërve. Pra, familjet janë të ndryshme si në burime, ashtu edhe në nevoja. Pavarësisht dallimeve mes tyre, sërish, të pakta janë ato familje që mund t’i mbajnë fëmijët në shtëpi gjatë gjithë periudhës më të nxehtë të vitit. Ndaj, çerdhet dhe kopshtet qëndrojnë të hapura edhe në verë.
Lediona Braho, Psikologe Klinike
Vërtet numri i fëmijëve ulet në muajt korrik-gusht, por asnjëherë nuk bëhet zero. Kjo tregon se çerdhet dhe kopshtet janë mjaft të dobishme, sidomos në këtë sezon rifillimi pas mbylljes tremujore në shtëpi për shkak të pandemisë Covid-19. Shumica e prindërve kanë qenë në marrëdhënie pune dhe kishin shumë nevojë t’i sillnin fëmijët në çerdhe dhe kopsht. Në një studim online të realizuar gjatë muajit maj, me prindër të fëmijëve që frekuentojnë çerdhet dhe kopshtet në Tiranë, doli në pah rëndësia që prindërit u japin këtyre institucioneve në mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve.
Shumica e prindërve ishin shprehur se, pavarësisht vullnetit të tyre dhe mjeteve në dispozicion në shtëpi, përsëri fëmijët kishin nevojë për mjedisin e çerdhes dhe të kopshtit për të luajtur, për të mësuar dhe për t’u zhvilluar. Pas “karantinës” së zgjatur, më 1 Qershor, çerdhet dhe kopshtet u rihapën nën masa të rrepta sigurie dhe higjiene, për të pritur qindra e mijëra fëmijë, shumë prej të cilëve do të vazhdojnë frekuentimin edhe gjatë verës.
Disa aspekte pozitive të çerdheve dhe kopshteve (sidomos në verë)
Së pari, çerdhet dhe kopshtet u ofrojnë fëmijëve një mjedis argëtimi dhe mësimi, i cili mund të jetë i vështirë për t’u krijuar në shtëpi. Fëmijët përfitojnë më shumë në mjedise të posaçme për ta, sesa në shtëpi. Fëmijët mësojnë tema, të cilat prindërit mund të mos ua mësojnë dot, marrin mësime interesante, nga shtetet dhe qytetet tek aktivitetet artistike si këndimi dhe kërcimi. Fëmijët përfshihen në eksperienca të reja, në sajë të aktiviteteve që mund të mos i kenë provuar më parë. Ata mund të mësojnë të mbjellin bimë, të bëjnë eksperimente, të organizojnë festa, të zbukurojnë dhomën, të mësojnë gjimnastikë, etj.
Së dyti, çerdhet dhe kopshtet janë vende ku fëmijët praktikojnë aftësi sociale. Ka vende të shumta ku fëmijët mund të socializohen, por ato nuk mjaftojnë. Fëmijët nuk mund t’i praktikojnë aftësitë sociale, nëse prindërit dhe të rriturit e tjerë ndërhyjnë shpesh. Ne ndërhyjmë vazhdimisht te fëmijët për t’i “ndihmuar” ata që të zgjidhin konfliktet, por në çerdhe dhe në kopsht, fëmija praktikon përditë aftësi sociale me moshatarët, pa ndërhyrje të vazhdueshme nga të rriturit. Dhe kjo është diçka e nevojshme për socializimin sot dhe nesër!
Së treti, fëmijët krijojnë marrëdhënie me të rritur të besuar. Ndonjëherë, fëmijët janë tepër të lidhur me prindërit apo gjyshërit. Nëse ata mësohen vetëm me ju në shtëpi, kjo mund ta vështirësojë krijimin e lidhjeve me të rritur të tjerë. Përfshirja në çerdhe dhe kopsht u jep fëmijëve mundësi për të krijuar marrëdhënie me persona jashtë familjes. Ata do fillojnë të krijojnë besim te ata, çka është e nevojshme për zhvillimin e tyre shoqëror. Kjo i ndihmon fëmijët të tolerojnë ndarjen dhe të qetësohen edhe nga persona të tjerë. Po ashtu, ata do të mësojnë të bisedojnë me të rriturit, të shprehin mendimet e tyre me fjalë, të shprehin nevojat, të zbatojnë rregullat, të imitojnë sjellje të përshtatshme, të presin radhën e kështu me radhë.
Së katërti, fëmijët përgatiten për në stadin tjetër. Fëmijët e çerdhes përgatiten për në kopsht: mësojnë të ushqehen vetë, të shkojnë në tualet, të vishen dhe të zhvishen, të flasin, të socializohen, të njohin disa koncepte bazë, etj. Fëmijët e kopshtit përgatiten për në shkollë: mësojnë të ngrihen herët, të zbatojnë oraret, të ndjekin udhëzimet, të luajnë me fëmijët e tjerë, të hanë drekë jashtë shtëpisë, të dëgjojnë dhe të mësojnë. Edukimi i ofruar në çerdhe dhe në kopsht bëhet një bazë e qëndrueshme mbi të cilën ngrihet edukimi i mëtejshëm.
Së fundmi, çerdhet dhe kopshtet, u vijnë në ndihmë familjeve që nuk mund t’i mbajnë fëmijët në shtëpi, pasi prindërit mund të jenë në punë dhe nuk mund të kujdesen për ta. Edhe nëse njëri nga prindërit është në shtëpi, përsëri, fëmijët vijnë në çerdhe dhe në kopsht për të kaluar një pjesë të mirë të ditës, për të luajtur dhe mësuar. Në këtë periudhë, është veçanërisht i rëndësishëm zbatimi i rregullave të shtuara dhe komunikimi i hapur me stafet rreth shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve.
Shumë prindër, pavarësisht merakut për shëndetin, janë treguar mirëkuptues dhe të duruar me rregullat e reja, pasi nevoja për t’ua besuar kujdesin dhe edukimin e fëmijëve institucioneve parashkollore është e madhe. Vetë prindërit shprehen se nuk kanë kohë dhe mundësi t’u ofrojnë fëmijëve një variacion lojërash dhe aktivitetesh, siç ofrohen në çerdhe dhe kopsht – dhe nëse i referohemi listës më sipër, kjo nuk është e vetmja arsye!
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 157
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.