FB

September 6, 2024 | 7:57

Vlerësimi i zakoneve të të ushqyerit sipas moshës dhe BMI-së tek fëmijët nga 6-17 vjeç në qytetin e Tiranës, për vitin 2024

 

 

Sfondi: Ushqyerja e shëndetshme është thelbësore për zhvillimin e duhur fizik dhe mendor të fëmijëve. Zakonet e të ngrënit ndryshojnë ndjeshëm me rritjen e fëmijës. Së bashku me rritjen e moshës dhe kalimin drejt adoleshencës, zakonet e pashëndetshme në lidhje me dietën bëhen më të zakonshme. Shumë fëmijë në Shqipëri konsumojnë ushqime jo të shëndetshme.

floriana-marku

Floriana Marku, Pedagoge e jashtme në Fakultetin e Mjekësisë, Departamenti i Shëndetit Publik, Tiranë edhe njëkohësisht pedagoge në UA.

Qëllimi: Vlerësimi i zakoneve ushqyese te fëmijëve nga 6-17 vjeç sipas zonave të tyre të vendbanimit me arsyen për të identifikuar ato faktorë risku për kequshqyerje nxjerrjen e rekomandimeve për përmirësimin e sjelljeve dhe shmangien e këtyre faktorëve, në mënyre që të kemi fëmijë të shëndetshëm.

Metodologjia: Ky është një studim deskriptiv dhe analitik. Pyetësori është i strukturuar, i bazuar në literaturë, përfshihen të dhëna socio-demografike, të dhëna antropometrike, ndikimin e faktorëve socialë në lidhje me informacionin që marrin lidhur me ushqyerjen, marrëdhënien me aktivitetin fizik, zakonet e të ngrënit, kur e hanë vaktin e parë dhe të fundit, cilin vakt lënë pa ngrënë më shpesh, ushqimet më të preferuara dhe ato më pak, etj.

Kampioni është përfaqësues me një madhësi 623 fëmijë. Mostra përbëhet nga fëmijë që frekuentojnë respektivisht klasat e para deri në klasat e njëmbëdhjeta, shkollat janë: shkolla 9-vjeçare “Misto-Mame”- që ndodhet në zonë urbane; shkolla 9-vjeçare dhe e mesme “Vajdin Lameˮ – zonë rurale; shkolla 9-vjeçare “Jashar Hoxha”- zonë gjysmë-urbane dhe shkolla e mesme “Sevasti Qirjazi”- zonë urbane.

femijet-ushqimi

Rezultatet

Gjithsej 9.4% e pjesëmarrësve nuk neglizhonin asnjë vakt pangrënë.

61.5% nuk hanin mëngjes krahasuar me vaktet e tjera.

Fëmijët e grupmoshës më të madhe (13-17) konsumonin statistikisht dukshëm më pak vakte në ditë sesa fëmijët më të vegjël (p < 0.01 ose p=0.004). Kjo grupmoshë(13-17) nuk konsumonte asnjëherë mëngjes me një ndryshim domethënës me fëmijët e grupmoshës 10-12 vjeç (10.35% kundrejt 2.42%; p <0.001) dhe fëmijët e grupmoshës 6-9 vjeç (10.35% kundrejt 4.04%; p <0.001).

Fëmijët nënpeshë konsumonin mëngjesin dukshëm më shpesh se ata mbipesha (41.32% kundrejt 3.24%; p=0.004) dhe fëmijët me obezitet (41.32%kundrejt 0.97%, p=0.021).

Ka një lidhje shumë domethënëse ndërmjet vendbanimit dhe anashkalimit të mëngjesit, ku rezulton një mesatare më e madhe e fëmijëve të zonës rurale që anashkalojnë mëngjesin, e ndjekur më pas nga zona gjysmë-urbane dhe ajo urbane, ndryshimi është domethënës në nivel statistikor ku: p<0.001.

47.1% e pjesëmarrësve hanin vaktin e parë nga ora 09:00-11:00; 43.2% 06:00-08.00 dhe 9.6% në orarin 12:00-14:00.

53.1% e fëmijëve konsumonin vaktin e fundit në orarin 20:00-22:00, 43.9% në orarin 17:00-19:00, 3.1% në orarin 14:00-16:00.

Pjesëmarrësit e zonave urbane i konsumojnë më shumë perimet sesa ato të zonës gjysmë-urbane dhe rurale, femrat më shumë se meshkujt.

Fëmijët me nivel më të lartë të ardhurash në familje, fëmijët me prindër me nivel më të lartë arsimor si dhe fëmijët që e perceptonin mënyrën e tyre të ushqyerjes shumë të mirë, konsumonin më shumë fruta dhe perime, ndryshimi është domethënës ne nivel statistikor, p<0.001.

Pothuajse gjysma (40.4%) e pjesëmarrësve deklaruan se konsumojnë peshk 1-2 herë në muaj.

Fëmijët konsumonin mish shpendësh më shpesh sesa mish të kuq, 35% kundrejt 22.9%.

Fëmijët e zonave urbane pinë më pak kola, pije me gaz, dhe konsumojnë më pak ushqime nga fast food-i se ato të zonave të tjera, ndryshimi është shumë domethënës, p<0.001; fëmijët me prinder me nivel më të ulët arsimor konsumojnë më shumë pije dhe ushqime të tilla, p<0.001; fëmijët e grupmoshave më të mëdha pinin më shumë pije të ëmbla, energjike dhe ushqime fast food-i, me rritjen e BMI rritet konsumimi i tyre, p=0.001 <0.05.

56.7% kryejnë aktivitet fizik mesatar, 31.2% aktivitet intensiv dhe vetëm 12.1% aktivitet të lehtë.

 

Konkluzionet

Sjelljet e pashëndetshme të lidhura me dietën tek fëmijët dhe adoleshentët mund të nxisin nënpeshën, mbipeshën, obezitetin dhe duhet të synohet në programet e promovimit të zakoneve të mira të të ushqyerit.

Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet fëmijëve të zonës rurale, grupmoshës13-17 vjeç, dhe atyre me BMI më të madhe pasi bëjnë zgjedhje më të pashëndetshme dhe ndryshimi ishte statistikisht i rëndësishëm, në nivel domethënës.

Rëndësi duhet ti jepet profesionistëve të shëndetit publik që e dinë shumë më mirë rëndësinë e të paturit të një ushqyerje të shëndetshme, pasojat e kequshqyerjes, thellësinë e problemit, dhe mënyrën si të bashkëveprojmë për të reduktuar këtë problem mbarëkombëtar duke hartuar programe dhe strategji për veprim.

 

Fjalët kyçe: Fëmijë, zakone ushqyese, grupmoshë, BMI, aktivitet fizik, zonë banimi

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top