Dëshmi

April 20, 2018 | 14:00

Xhemal Balla, mësuesi në karrierë, që nuk e kursen moshën për t’i dhënë arsimit

Nuk i tregon aspak vitet që ka mbi supe. 82 vite në fakt, nuk janë pak për të dëshmuar një karrierë të gjatë, aktive dhe tepër frytdhënëse për brezat. Për gjithçka i është mirënjohës familjes, asaj që i udhëhoqi modelin e të arsimuarit, vlerat që ai përçon dhe pse jo, të jetuarit shëndetshëm të një jete në arsimim të vazhdueshëm.

xhemal-balla

Xhemal Balla, mësues karriere

Në profesionin e mësimdhënies, ai shënjon 60 vite, ndërsa ka mbajtur poste drejtuese përgjatë karrierës në institucione arsimore publike dhe si inspektor i arsimit. Është gjithashtu autor i 20 librave, ndërsa prej 17 vitesh ka themeluar dhe mban gjallë “Shkollën Jopublike Arbëria”, gjënë që ka dashur më shumë të ndërtojë, si kultin e dinastisë arsimore që mban firmën e tij. Një meritë jo të paktë, profesor Xhemali ia adreson dhe stafit që ka zgjedhur të bashkudhëtojë me të.

Të mësuarit është gjithë jetën, e për këtë ai nuk rresht së ofruari ndihmesë, duke propozuar, ideuar dhe ngritur në këmbë vlera që e bëjnë më të mirë njeriun e shoqërisë së nesërme. Ishte viti 2000. Sapo kish përfunduar bashkëpunimet me institucione arsimore, dhe mendja i punonte si e si të mos ndahej për asnjë çast nga arsimi. Kjo dëshirë, një thirrje së brendshmi që kërkonte çlirim e plotësim, i dha një ide krejt solide. Ashtu si themelet e “Institucionit Jopublik Arbëria” sot, terreni breznor gjeti shtegun e duhur.

I ngritur në një ambient kodrinor në Sauk, mbi tokat e të parëve, në një mjedis të gjelbër dhe ajër të pastër, në një ambient ku terreni jep dorë për gjithçka, ai pohon se ishte gjithçka kish dashur të realizonte në jetë. Pavarësisht vështirësive, si pinjoll i familjes Balla, i shtoi pasurisë trashëgimore një shkollë prej nga ku shumë të rinj do të fitonin bursa jashtë kufijve.

Profesor Xhemali thotë se: Pasioni për arsimin ka qenë shumë i madh. Përveçse mësues, kam qenë kryespecialist, kryemetodist për shkencat e biologjisë në të gjithë rrethin e Tiranës. Përkoi që dola në pension në ’89, dhe në vitin ’90, lidhur me ndryshimet, hapet Medreseja e Tiranës. Sigurisht që ftesa e parë ishte të shkoja atje për një vit, ku dhanë “shkencat e biologjisë”.

Mandej një mundësi e mirë specializuese ishte dhe ndjekja e studimeve në universitetin e lashtë të Aserit, në Egjipt, për “Gjuhën dhe Kulturën”. E veçanta ime ishte se i kisha të dyja kulturat. Në ato provime, tip kolekiume, ku diskutoheshin temat, unë pak me rezerva prej gjuhës, më duhej të studioja gjatë, 6 leksione me nga 1 orë e 30 minuta secili. Kërkonte shumë punë. M’u dha mundësia dhe që me temën e parë për “Empirologji, embrioni, zhvillimi”, ballafaqova teologjinë me shkencën, gjë që i la pa fjalë. Nga ai moment, asnjëherë nuk i diskutuan temat që unë bëja. Që atëherë më thirrën profesor.

Në 2000 erdha në Tiranë dhe hapa shkollën “Arbëria”. I lidha studimet e mia me shkollën pedagogjike për të cilën isha diplomuar. Motivi im ka qenë: të ruajmë nivelin dhe cilësinë. Gjatë gjithë kësaj periudhë, shkolla mori emër që vitin e parë. Tirana më ka dhënë tre tituj, në fund Presidenti Nishani, dy të parat në sistemin e kaluar. Kjo punë bëri që prindërit të na kërkonin pastaj edhe gjimnazin. Atë ia kalova në menaxhim vajzës, Shadie Taraj. Nxënësit tanë kanë shkuar në mjekësi, ekonomik, juridik. Fakt është që nxënësit tanë kanë dalë dhe e kanë ruajtur nivelin 10 edhe jashtë shkollës, madje kanë fituar edhe bursa.

Cilësia në mësimdhënie ka dhënë rezultate të larta

Enika Alite, drejtoreshë e arsimit 9-vjeçar jopublik “Arbëria” me pathosin e një arsimtareje me përvojë dhe kulturën e ngjizur në një institucion ku mesatarja nuk mund të bjerë nën 8.5, vlerëson se edhe ky vit, si shumë të tjerë që lamë pas, do të këmbëngulë në prurje me nivel të lartë përgatitje. Kemi këmbëngulur gjithmonë, duke u nisur nga stafi, që sipas kërkesave të kohës të kemi mësues me mesatare mbi 8.9, dhe me kualifikimet përkatëse. Pra mësues me përvojë pune. Jo se paragjykojmë mësuesit e rinj, sepse edhe ata kanë shumë për të dhënë në këtë fushë, por është vetë specifika e sistemit që duhet të funksionojë kështu.

E nisëm këtë shkollë me pak klasa, dhe kemi arritur këtu ku jemi sot me një kërkesë të larta, por edhe me pretendimet për të bërë një punë shumë cilësore. Synojmë gjithaq që nxënësit kur i marrim, të kenë një mesatare të mirë, mbi 8. Pastaj me një punë të diferencuar bazohet mbi orarin e studimit, duke qenë se shkolla e mbulon këtë. Për ciklin e ulët në 12:30-15:00 dhe për ciklin në lartë në 14:00-15:00. Janë rreth 2 orë që i takon çdo klase ku jo vetëm bëhet studim, apo 50% e detyrave të shtëpisë, por ama të kryhet një ezaurim i koncepteve për ata nxënës që nuk i kanë përthithur shumë mirë.

Kjo orë shërben gjithaq për një sërë aktivitetesh të tjera, sipas një grafiku të caktuar, i cili bëhet nga shkolla në fillim të çdo viti, duke qenë se funksionon me departamente, dhe secili ka planin e tij. Në fillim të vitit të shkollës, ne si drejtues didaktikë, ndajmë objektivat e caktuara. Bëhet një plan afatmesëm që përfshin katër vite në përgjithësi. Në bazë të udhëzimit të MAS, për këto katër vite, ne ndërtojmë katër objektiva madhorë. Jemi gjithmonë të monitoruar nga pjesa e Ministrisë dhe DAR. E mbi bazën e kësaj platforme përshtatim dy objektiva për çdo vit shkollor.

Për këtë vit kam menduar të jenë: reflektimi shumë i mirë i nxënësve që të jenë të lexuar shumë mirë, për pjesën e ciklit, dhe lënda e matematikës që e kërkojmë në një nivel mirë e sipër, mbi 8-të. Synojmë që edhe këtë vit ta çojmë diçka më lart, deri 8.5 mesataren. Si drejtori, ne i ndjekim nxënësit me tre testime gjatë vitit shkollor. Është një paratestim që i marrin nxënësit për të parë sa të qëndrueshme kanë qenë njohuritë nga një vit më parë, një testim të semestrit, ku mbyllen njohuritë e periudhës, dhe pastaj fundi i viti që përsëri ritestohen, ku testohen dhe vetë mësuesit për cilësinë e mësimdhënies.

Për kualifikimin e mësuesve jemi shumë rigorozë. Përveç planeve të departamenteve ku bëjmë rikualifikim të brendshëm të shkollës, me tema të caktuara që përshtaten me kriteret e shkollës, kemi dhe ndryshimin e kurrikulës, e cila prej tre vitesh është e re. I kemi përfshirë mësuesit në trajnime të jashtme që bën DAR apo MAS. Kanë dalë me rezultate shumë mirë e sipër. Ne në stafin tonë kemi mësuese doktorante e kjo i bën më të dukshme vlerat që bartim.

Për t’u ofruar fëmijëve siguri që në çastin kur dalin nga shtëpia e deri sa kthehen sërish aty pas mësimit, brenda çmimit që ka caktuar bordi drejtues, shkolla përfshin edhe transportin, ushqimin, shërbimin mjekësor.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 123

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top