Pavarësisht natyrës dhe llojit të problemeve, zakonet që fitohen në vogëli influencojnë mënyrën tonë të të ushqyerit në moshë më të madhe. Ndaj dhe këtyre rregullave e zakoneve u duhet kushtuar rëndësi për “të çimentuar” në qenien tonë mënyrën e shëndetshme të të ushqyerit. Ja disa prej tyre:
-E ngrëna nuk është mjet edukimi dhe nuk duhet të instrumentalizohet kurrë si e tillë!
-Të respektohen vaktet e ushqimit dhe mundësisht ato të hahen bashkërisht dhe jo shpejt e shpejt. Të këshillueshme janë tri vakte kryesore dhe midis tyre dy vakte të ndërmjetme, për të eliminuar marrjen e vazhdueshme të produkteve të ndryshme si dhe për të ditur e kontrolluar se çfarë konsumon fëmija.
-Prindërit janë një shembull i rëndësishëm për sa i përket ushqimit. Kur pjesëtarët e familjes gatuajnë me kënaqësi dhe i lënë fëmijët të jenë pjesë aktive e këtij procesi (p.sh duke blerë së bashku produkte të ndryshme në treg; duke u ndihmuar nga fëmijët në larjen dhe prerjen e perimeve; duke i lejuar ata të hedhin orizin, makaronat apo perimet në tenxhere etj), atëherë këta të fundit e lidhin ushqimin me ndjenja pozitive. Edhe pse kjo kërkon më shumë kohë (ndonjëherë edhe nerva), fëmijët mësojnë “të mprehin” ndjesitë e të shijuarit. Nga ana tjetër, vetë prindërit duhet të ushqehen në mënyrë të shëndetshme në tavolinë dhe jo të konsumojnë ushqime të ndryshme nga fëmijët.
-Fëmijës ushqimi duhet t´i ofrohet, por pa e detyruar asnjëherë të hajë të gjithë porcionin. Motivojini dhe lavdëroni fëmijët kur ata provojnë një produkt të ri, edhe pse mund të hanë pak lugë. Mos nxitoni të përgatisni diçka tjetër nga frika se fëmija nuk i fiton kaloritë e duhura – askush nuk vuan nga uria, për aq kohë sa pjata është ende plot.
-Ofrojini fëmijës vazhdimisht lloje të ndryshme gjellësh apo produktesh ushqimore. E rëndësishme është t´i bindni ata që të paktën ta provojnë ushqimin. Një fëmijë duhet të ketë 10-15 herë rastin për të provuar diçka të re përpara se të perceptojë shijen e vërtetë. Nëse hiqni dorë shpejt, atëherë fëmijët nuk e fitojnë dot këtë aftësi.
-Dëshira e fëmijëve për të provuar produkte të reja mund të stimulohet edhe nëpërmjet dekorimit të pjatës. Kështu, perimet mund të priten apo të vendosen në formën e fytyrës apo figurave të ndryshme, duke e bërë pjatën shumëngjyrëshe dhe atraktive.
-Provoni nëse fëmija i pëlqen më shumë perimet të ziera apo të freskëta. Një alternativë është bërja pure apo përgatitja në formë salce. Edhe frutat mund të shtrydhen dhe t`i ofrohen fëmijës në formën e lëngut, të hidhen në kos apo të përgatiten si marmelatë. Kjo vërtet është një procedurë e gjatë, por mjaft e rëndësishme për të fituar shijen e frutave dhe perimeve.
-Zakonisht fëmijët kanë një tendencë të mos hanë bukën, por vetëm sallamin, proshutën apo çfarë është lyer mbi të. Nëse është kështu mos vendosni gjëra të reja mbi bukë, ajo tani duhet ngrënë “e thatë”. Vetëm kur mbarohet buka mund të përgatitet një copë tjetër e lyer me gjërat e pëlqyera. Nëse fëmijët pëlqejnë shumë mishin (në faza të caktuara të zhvillimit kjo është mëse normale), atëherë përgatiteni atë më së shumti me perime.
-Dashuria për të ëmblat është e lindur. Ndaj dhe ëmbëlsirat nuk duhet të jenë tabu, por të ofrohen në masë. Vetëm kështu fëmijët mësohen “të sillen” me to. Vendosni së bashku me fëmijët rregulla të caktuara se kur dhe çfarë duhet të hahet dhe qëndrojini konseguent atyre (edhe duke i prishur qejfin gjyshërve apo të afërmve, të cilët ndonjëherë dashurinë për fëmijën e “dëshmojnë” me madhësinë e çokollatës së ofruar).
-Mos e përdorni asnjëherë ëmbëlsirën si shpërblim ndaj provimit të një gjelle të re apo ngrënies së mirë. Përndryshe, ju i jepni asaj një vlerësim edhe më të madh seç duhet. Edhe qetësimi i fëmijës me një gjë të ëmbël krijon probleme në raport me kuptimin që fiton e ngrëna: fëmija e lidh dashurinë apo kujdesin që ju tregoni me dhënien e një ëmbëlsire, duke e shndërruar këtë të fundit në një zëvendësuese të ndjesive pozitive.
Revista Psikologjia
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.