Editorial

May 7, 2019 | 10:33

Zarife Hasanaj, heroina shqiptare që dha jetën në misionin e Natos

“Është hera e parë që kontribuoj me mision jashtë vendit dhe bëj pastrimin e zonave nga municionet e paplasura. Gëzuar Shqipëri 10-vjetorin në NATO!”. Kështu ka përshëndetur për herë të fundit atdheun e saj nëntetarja 32-vjeçare nga Bajram Curri, Zarife Hasanaj.

Nga Etleva Delia 

Në fillim të këtij viti, ajo ishte nisur me misionin e NATO-s në Letoni, bashkë me dy ushtarakë shqiptarë të cilët mbetën të plagosur dje, major Klodian Tanushi e rreshter Julian Kapaj, në përbërje të një grupi prej 21 ushtarakësh. Pak javë më parë, Hasanaj përshëndeti shqiptarët me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit në NATO, përmes një videoje që u shpërnda nga Ministria e Mbrojtjes.

Në video shfaqen Zarife Hasanaj dhe kolegët e saj, teksa shprehin krenarinë që janë në këtë mision, që korrespondon me një vit historik, 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

“Prej 2 vitesh, djemtë dhe vajzat e Forcave të Armatosura kontribuojnë në Letoni, në kuadër të Mbrojtjes Kolektive të Aleancës. Shqipëria, 10 vjet në NATO. Partner i besueshëm në Aleancë”, shkruante Xhaçka disa javë më parë. Edhe në ditën ndërkombëtare të gruas, NATO pati përzgjedhur disa nga gratë ushtarake që janë pjesë e misioneve paqeruajtëse nga kombësi të ndryshme. Mes tyre ishte edhe Zarife Hasanaj, e cila shprehej shqip: Unë jam NATO.

FAMILJA E NËNTETARES

Familja e efektives Zarife Hasanaj jeton në zonën e Babrrusë, në lagjen e njohur si “Kodër Kuqe” të Tiranës. Ajo bashkë me familjarët e saj janë larguar nga Bajram Curri prej afro 25 vitesh dhe ishin zhvendosur në një shtëpi, të ndërtuar vit pas viti, ku dje ishin hapur dyert e mortit.

Të afërmit e ushtarakes 32- vjeçare, që humbi jetën në Letoni si pjesë e misionit të NATO-s, thonë se e mësuan lajmin tragjik nga komandanti i vajzës së tyre, e më pas edhe nga mediat. Me të mësuar lajmin, në familjen e Hasanajt, ka mbërritur komandanti i komandës mbështetëse të EOD, që ka në grup edhe kontigjentin që ndodhet në Letoni, konkretisht, Zarifen dhe dy ushtarakët e tjerë që mbetën të plagosur.

 

Një i afërm i familjes Hasanaj na tregoi dje se Zarifja ishte beqare dhe jetonte me prindërit e vëllain e vetëm. Ndërsa dy motra i kishte të martuara dhe ndodheshin jashtë Shqipërisë. Forca të Ushtrisë mbërritën dje pranë banesës së familjes Hasanaj. Të afërmit e 32-vjeçares nuk ishin në gjendje të flisnin për tragjedinë e ndodhur në familjen e tyre. Vetëm kushëriri i saj, Adem Osmanaj, tha se Zarifja ishte nisur në mision prej disa muajsh.

“Familja nuk është në gjendje për momentin. Ka vëllain, ka nënën. Është beqare. 3-4 muaj kishte në mision. Në televizor e pamë çfarë kishte ndodhur. Kemi 20 e ca vjet që kemi ardhur nga Tropoja. Janë 4 fëmijë, 3 vajza dhe një djalë”, tha Osmanaj.

 

 

Burimi / Panorama.com.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top