Teksa shihja filmin e bërë për Lady Diana, më tërhoqi vëmendjen një dialog.
Kur ai i tha që nuk mund të vazhdonte më, se nuk mund të përballonte dashurinë me gruan më të fuqishme në botë, ajo i tha:
“Atëherë ti duhet të kesh guximin të më thuash që mbaroi.”
“Por jo, – i tha ai, – unë të dua.”
“Unë mund të gjej 5 milionë persona të tjerë në këtë botë që të më thonë që më duan, por ama unë dua dikë që të qëndrojë.” – tha Princesha më e njohur e kohërave.
…ja pra. Kjo është gjithë ‘loja’. Dikush që qëndron. Dikush që përveç dashurisë për ty, ka vendosmërinë të qëndrojë.
Megjithatë, kur probleme me qëndrimin, kishte dhe princesha më e dashur ndonjëherë, ne që nuk na rrjedh asnjë pikë gjak blu në vena, sigurisht mendon s’do e kemi shumë më të thjeshtë.
Kështu që ndodh që të na thyhet zemra shpesh. Ndonjëherë se nuk na qëndrojnë, e ndonjëherë se nuk dimë ne të qëndrojmë.
Pastaj, në një moment të caktuar, ne kuptojmë që bota vazhdon me shpejtësi 300 km/h, pavarësisht sa fuqi kemi ne t’i përshtatemi. Duke e menduar këtë, arnojmë ça na është thyer, zgjedhim buzëqeshjen më të fortë të arsenalit dhe dalim në arenë, e vazhdojmë me vullnet gladiatorësh luftën. Luftën e përditshmërisë, luftën që shumë shpesh pranon veçse fitimtarë, e mbi të gjitha luftën me veten. Atë që kërkon t’i besosh sërish asaj që sapo ke arnuar me mund e dhimbje, asaj që ndonjëhere do doje t’ja zije zërin, por nuk e bën, se në fund të ditës mbetesh gladiatore me besim të verbër tek forca e zemrës dhe magjia e dashurisë.
Pavarësisht biologjisë dhe anatomisë, ne besojmë që zemrën e bën të rrah gjaku që pulson, ama tingullin e rrahjeve ja jep dashuria.
Duke besuar këtë, rastisim ndonjëherë përballë mureve të njerëzve që nuk kanë patur forcën të arnojnë gjë, dhe e vetmja gjë që mendon është ta përqafosh deri në shembje të mureve.
E kështu e ndihmon të arnojë muskulin e vet të funksionimit, dhe i mëson të dëgjojë tingullin e saj të bukur.
“Në atë tingull qëndron jeta, besoji!”– i thua.
Ndërkohë që mendon: ‘Si dreqin përfunduam të gjithë me zemra të arnuara?!’
Ajo që kupton, është që në thelb kemi kaluar të gjithë të njëjtën dhimbje nën ngjyrimin personal, thjesht disa prej nesh e arnuan, e disa të tjerë i vunë mur rrethues.
E ndërsa unë të mësoja të arnoje zemrën, se të duhej, se ti e kishe të bukur e të fortë e nuk mund ta fshihje pas rrethimeve, ti mësove të jesh gladiator edhe më i mirë se unë.
Sot, të marr fytyrën në duar, dhe mundohem të gjej veten time në sytë e tu, mundohem të kuptoj nga buron gjithë magjia që më vesh në shikim dhe gjithë dashuria që më derdh në përqafim.
Jemi takuar si dy gladiatorë në arenë, veçse ne nuk luftojmë njëri-tjetrin. Ne jemi takuar për të qëndruar. Ne vazhdojmë luftën e përditshmërisë, tashmë me një dorë për të shtrënguar megjithëse me zemër arnuar.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.