Nga Lira Gjika, mjeke pediatre
Një ditë në një qendër fëmijësh troket polici dhe kërkon të flasë me menaxherin. Polici me qetësi i tregon arsyen përse ka ardhur te qendra. Fqinjët e qendrës kishin bërë ankesë se zëri i fëmijëve i shqetësonte këta banorë të moshës së dytë dhe të tretë. Polici kontrolloi dokumentat, vizitoi qendrën, pa fëmijët në oborr që po mblidhnin bar për të ushqyer breshkën dhe kërmijtë që i kishin kujdes.
Natyrisht zërat e tyre ishin të lartë jo se po bërtisnin, por nga energjia e jetës që është dhe karakteristikë e kësaj moshe. Hyri në mjediset brenda dhe pa fëmijë duke punuar me projektin e fundvitit dhe me një buzëqeshje gjithë mirësi iu drejtua menaxherit të kopshtit: – Ne e dimë që jeni në rregull, por kur ka ankesa ne duhet të bëjmë verifikimin në vend. U përshëndet me menaxherin dhe edukatoret e qendrës dhe u largua.
Kur ma tregoi këtë ngjarje menaxheri i qendrës, ishte më shumë i habitur se sa i mërzitur dhe më pyeti: – Pse njerëzit i bezdis kaq shumë zëri i fëmijëve? Ja që ka dhe njerëz që zhurmat e fëmijëve i acarojnë. Edhe pse zhurmat e fëmijëve janë muzika më e bukur në botë dhe për moshat e dyta e të treta zërat e fëmijëve kanë një ndikim shumë pozitiv, për fat të keq ka ende njerëz të rinj e të vjetër që bezdisen dhe nuk i durojnë dot.
Fëmijët me zërat e tyre janë “gjëja” më e bukur dhe më e shëndetshme që gjendet në këtë tokë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.