Në fokus

November 26, 2020 | 8:05

Zhgënjimet nuk duhet të na pengojnë për të gjetur dashurinë e re

Nuk kanë rëndësi gabimet e bëra, rastet që na kanë thyer zemrën… gabimi më i madh është të ndalojmë së provuari. E shkuara nuk mund të fshihet, qëndron aty, e padukshme, për të funksionuar si zile alarmi, kur rrethanat janë kërcënuese. Por nëse shohim përpara, do të zbulojmë mundësi të reja. Të mos lejojmë që një zhgënjim të na pengojë për të gjetur dashurinë e re.

Melisa Shehu, psikologe këshillimi

Melisa Shehu, psikologe këshillimi

Për të mbajtur shpresën e një dashurie të re, qëllimi për çdo ‘luftëtar’ të plagosur në dashuri, është të gjejë veten, ta vlerësojë atë dhe të bindë mendimet e tij që meriton më shumë. Meriton dikë që ta plotësojë dhe dashurojë. Ndonëse e kaluara ndikon në frikën që ne kemi për të hedhur një hap drejt dashurisë së re, mënyra e vetme për t’u ndjerë i dashuruar sërish, është të lëmë të shkuarën dhe të guxojmë për të ardhmen. Ky guxim mund të jetë i pakëndshëm, por është mënyra më premtuese që bën marrëdhënien tuaj të ardhshme të funksionojë.

E gjithë humbja e dashurisë është një pilulë e vështirë për t’u gëlltitur, por a keni menduar ndonjëherë që marrëdhënia juaj e re do funksionojë më mirë nga gjithçka që keni mësuar nga dështimet? Ju nuk keni nevojë të ndryshoni gjithçka për të qenë në një lidhje, nuk duhet të hiqni dorë nga ajo që jeni dhe nuk duhet të humbisni veten as nga dështimet dhe as për një dashuri të re. Sa më shumë të jeni lënduar, aq më e vështirë është të guxoni sërish, por pranoni atë që ka ndodhur, mos kërkoni për përgjigje, mos u ndieni në faj, hiqni dorë nga gjithçka që nuk mund të ndryshoni, ti ishe mjaftueshëm në këtë lidhje.  I gjithë ky zhgënjim do ju ndihmojë të rriteni, të bëheni më të fortë dhe të njihni më mirë veten tuaj.

Kur zhgënjeheni, tendenca është të hiqni dorë nga dashuria. Por mendoni për të gjithë njerëzit që ju duan dhe njerëzit që mendojnë shumë për ju. Mendoni për gjithçka të mirë që ju rrethon. Mendoni se si vazhdoni të përpiqeni të jeni një person më i mirë, një version më i mirë i qenies tuaj, dështimi le të jetë një kujtesë që ju jeni një person i denjë për dashuri dhe se meritoni një dashuri të re. Kuptoni që mbyllja e zemrës tuaj nuk do t’ju bëjë më të lumtur. Jini të sinqertë me veten në lidhje me atë që keni humbur, mos e humbisni veten tuaj, jepini asaj një mundësi të re, ju e meritoni plotësisht. Zhgënjimet nuk duhet të na pengojnë për të gjetur dashurinë e re…!

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 152

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top