FB

September 2, 2023 | 8:15

Zhgënjimi dhe koha e humbur

Atë ditë ZHGËNJIMI shkoi të kërkonte KOHËN për ta pyetur nëse mund të arrinin një marrëveshje për të anuluar ose shtuar disa gjëra kundrejt ndodhive të zhgënjimeve gjatë kohëve të fundit. I dëshpëruar ai shkoi në shtëpinë e MUAJVE, por ata iu përgjigjën se nuk i kishin parë askund DITËT apo JAVËT. Vazhduan t’i thoshin se gjithsesi nuk do t’i toleronin qoftë edhe një sekondë më shumë ose një minutë më pak për të kënaqur egon e tij.

ii

Jo vetëm kaq, por madje e dërguan në djall dhe ia përplasën derën në fytyrë, duke e përzënë me mllef. ZHGËNJIMI nga ana e tij thirri ILUZIONIN, i cili i mërzitur i tha se nuk duhet ta shqetësonte për asnjë arsye dhe më pas, e këshilloi të gjurmonte ZHGËNJIMIN. I zhgënjyer akoma më shumë, ZHGËNJIMI i telefonoi një shoqeje të shtrenjtë të kohërave të vjetra, por kur e dëgjoi t’i thoshte se as ajo, nuk do ta humbiste aspak kohën e saj të çmuar për ta ndihmuar, u përkul më dysh nga pesha e rëndë që ndjeu mbi supe. Më pas, më i rraskapitur se kurrë, shkoi në hollin e madh të VITEVE.
Duke e vështruar nga këmbët tek koka, dikush i tha të priste dhe të kishte durim. Pritja zgjati më tepër sa duhej, kështu që ndërsa ai lutej që dikush ta njoftonte sa më shpejt që të ishte e mundur, iu dha mundësia të vëzhgonte se kush hynte apo dilte nga dera kryesore e ndërtesës së madhe. Edhe pse ishte ulur në një vend strategjik ku mund ta shikonin fare mirë, të gjithë bënin sikur nuk e vinin re apo nuk e njihnin.

SEKONDAT fluturuan të shoqëruara nga MINUTAT dhe ORËT. DITËT dhe JAVËT u larguan nxitimthi kurse MUAJT i kthyen krahët, por më në fund, arritën VITET. Me shumë kujdes dhe një buzëqeshje ngërdheshëse e fluturuan nga ndërtesa e lartë. ZHGËNJIMI u gjend në një pus të thellë dhe duke u përpjekur të kacavirrej, vuri re se nuk ishte aspak i vetëm por dikush po i bënte shoqëri. Teksa pa se kush ishte, i habitur, gati nuk u besoi syve të tij: vetë KOHA ndodhej aty ku më pak kishte imagjinuar ta gjente. Me ngurrim e kuptoi ku kishin përfunduar dhe pse kishte humbur kohë që të gjente KOHËN, kështu që pranoi të dorëzohej. Duke mos pasur alternativë tjetër, të dy ecën drejt njëri-tjetrit, dhe mbetën të përqafuar përgjithmonë.

 

*Nga Angela Kosta, shkrimtare e gjuhës shqipe dhe italiane

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top