Përgatiti Rudina Koromani, Psikologe klinike
Koha e imazhit që po jetojmë, e bën të pamundur të mos jesh pak narcizist – të dashuruar me imazhin e vetes. Të gjithë jemi nga pak narciz, të gjithë ndjehemi specialë sot. Por problem klinik bëhet kur ky tipar shndërrohet në patologjik.
Narcizmi vërehet dukshëm te personat e njohur publikë këngëtarë, kërcimtarë, moderatorë e deri te personat që dalin rregullisht në ekranet televizive, që janë persona publikë – te politikanët, mjekët, biznesmenët e suksesshëm – e tek të gjithë ata individë të cilët ndjehen se bota rrotullohet rreth tyre, pra edhe te njerëz të thjeshtë.
Narcizmi është një profil i personalitetit që mund të konsiderohet absolutisht normal. Në disa aspekte është funksional. Sidoqoftë, nëse ky qëndrim psikologjik ndërhyn seriozisht në marrëdhëniet ndërpersonale, angazhimet e përditshme dhe cilësinë e jetës, ai mund të marrë përmasa tipike të Narcizmit Patologjik – të një të Sëmuri.
Profili i një Narcizisti Patologjik – priret të zhytet në fantazitë e një Madhështie dhe Suksesi të pakufizuar. Shfaqin një nevojë të ekzagjeruar për Vëmendje dhe Admirim nga të tjerët. Zihen, grinden vazhdimisht për çdo gjë. Nuk janë në gjendje të njohin dhe perceptojnë e vlerësojnë ndjenjat e të tjerëve. Ata priren të shfrytëzojnë të tjerët për të arritur qëllimet e tyre, si dhe të përçmojnë vlerën e punës së të tjerëve. Karakteristikë e veçantë e narcizmit patologjik është Mungesa e Ndjeshmërisë.
Por pas kësaj maske shkëlqimi – narcizi patologjik është një individ me një vetëbesim të brishtë, të mbindjeshëm ndaj kritikave, dështimeve ose humbjeve. Dimensioni i prirjes drejt Madhështisë, Unikalitetit, kontrastohet nga Ndjenjat e Inferioritetit, Brishtësisë, Cenueshmërisë dhe Frikës së përballjes që vijnë nga Zbrazëtia që ndjejnë dhe Ankthi që provojnë. Kur përballen me paaftësinë e tyre, narcizët mund të zemërohen keq. Ndonjëherë zhvillojnë sulme paniku, depresionohen thellë, ose madje përpiqen të dëmtojnë vetveten. Kjo është zakonisht koha kur drejtohen në vëmendjen e një klinicisti.
Një partner narcist di si t’i afrohet gjahut të tij. Joshja është arma e tij, duke treguar më të mirën e vetvetes, madje dhe duke gënjyer. Qëllimi është që tjetri të dashurohet dhe të kujdeset për të. Problemi me këta individë fillon gjatë marrëdhënies apo martesës. Subjekti me narcizëm patologjik vepron për të izoluar tjetrin nga familja e tij, miqtë e tij, në punë.
Në një nivel individual, ai vepron duke e bërë atë të ndihet gjithnjë e më i brishtë përmes përdorimit të kritikës, të cilën ai së pari e përdor në një mënyrë delikate, pastaj gjithnjë e më shumë.
Nga ana shoqërore, narcizi vlerësohet shumë, kështu që nëse partneri ankohet te familja e tij ose tek njerëzit që ka si pikë referimi, këta do të tentojnë të minimizojnë vëzhgimet e tij.
Problemet mes partnerëve përkeqësohen kur Narcizmi Patologjik shfaqet me gjithë forcën e tij dhe subjekti bëhet më kërkues, i dhunshëm, xheloz dhe i largët. Në këtë pikë të marrëdhënies, ai tashmë ka arritur ta bëjë partneren të mos ndiejë asgjë, të pasigurt për veten e saj, shpesh pa vlerë. Nuk është e pazakontë për narcizin të përdorë dhunë verbale dhe / ose fizike.
Nëse partnerja e një narcizi përqendrohet qoftë dhe një moment të vetëm tek qëllimet e veta, kjo mund ta çojë narcizin në shpërthime, debate të furishme dhe tradhti (në shumë raste jo të fshehura). Shantazhi emocional dhe kërcënimet janë format më të zakonshme të një narcizi. Kërcënon braktisjen, gënjen, bën lajka.
Kushdo që qëndron afër një partneri me tipare narciziste përjeton një marrëdhënie të dhimbshme. Gruaja zhvillon një nivel të lartë ankthi dhe strategji për të shmangur argumentet, debatet. Gjithçka në jetën e një gruaje i përket partnerit të saj dhe kjo e largon atë plotësisht nga vetja e saj, e tillë që ajo nuk është më në gjendje të dëgjojë veten dhe të dijë se kush është.
Çrregullimi mund të menaxhohet me terapi kogniktive-biheviorale, por kërkon specialistë të cilët theksojnë ndjeshmërinë dhe nuk kontestojnë përsosmërinë e pacientëve të tyre, ndjenjat e privilegjit dhe madhështisë.
Shpesh e vetmja përgjigje efektive ndaj një narcizisti patologjik – është të ndalosh të ushqesh narcizmin e personit tjetër.
“Sekreti nuk është të kujdesesh për fluturat, por të kujdesesh për kopshtin në mënyrë që fluturat të vijnë aty” (M. Quintana).
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.