Me ardhjen e të ftohtit shtohet edhe numri i infeksioneve respiratore tek të sapolindurit. Shumica e fëmijëve të moshës parashkollore, preken nga polmoniti, bronkiti, faringiti, laringiti apo dhe trakeiti. Sëmundja më e rëndë është bronkiti, e cila prek rrugët e frymëmarrjes: është shkaku kryesor pse fëmijët shtrohen në spital, sidomos të sapolindurit gjatë vitit të parë të jetës.
Pasojat e sëmundjes janë të ndryshme dhe variojnë nga një ftohje e lehtë te një sërë komplikacionesh. Për këtë arsye kemi përzgjedhur disa këshilla për prindërit, të cilat ndihmojnë për të parandaluar këto sëmundje…
- Lani duart para se të prekni fëmijën. Ky rregull vlen sidomos për fëmijët e mëdhenj (vëllezërit apo motrat) të cilët në shumicën e rasteve transmetojnë viruset apo dhe agjentë të tjerë patogjenë.
- Nëse fëmija është më pak se gjashtë muajsh, mos e lini në të njëjtën dhomë ku është një tjetër person i familjes i sëmurë me grip apo me ftohje.
- Shmangni sa më shumë të jetë e mundur, që fëmija të shkëmbejë objekte të tjera (lugë, filxhanë, jastëkë apo batanije), të cilat mund të bartin mikrobe.
- Mundësisht përdorni shami njëpërdorimshe: duhet t’i hidhni menjëherë në koshin e plehrave.
- Mos pini duhan në shtëpi dhe evitoni ekspozimin e fëmijëve ndaj duhanpirjes pasive.
- Mos e nxirrni fëmijën në rrugë me shumë trafik. Nëse banoni pranë zonave me densitet të lartë trafiku, është mirë që të ajrosni shtëpinë në orët e para të mëngjesit.
- Pastroni shtëpinë, mbani një higjienë të mirë, pa përdorur shumë deodorantë dhe aromatikë, pasi shtojnë rrezikun e ndotjes së ambientit.
- Vaksinojeni fëmijën: falë vaksinave antigrip është e mundur të pakësoni edhe rrezikun nga infeksionet.
- Shkoni te pediatri, nëse shenjat e sëmundjes zgjasin: është mirë të mos humbisni kohë.
- Ndiqni vetëm këshillat e mjekut: mos gjeni zgjidhje alternative në kushtet e shtëpisë.
Njësoj si të gjitha infeksionet, edhe bronkiti në 80% të rasteve ka origjinë virale. Ka disa fëmijë që janë më shumë të rrezikuar për të zhvilluar një formë të rëndë të bronkitit. Më shumë të predispozuar janë fëmijët e lindur para kohe, ata që kanë lindur më sindromën Down, fëmijët me probleme me mushkëritë apo që vuajnë nga patologji neuromuskulare, të cilët kanë nevojë për oksigjenoterapi.
Përgatiti: Manjola EREQI | Burimi: PsychoWorld
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.