Këshilla & Arsye

December 27, 2017 | 10:50

12 eksperimente sociale që nuk shkuan sipas planit, por që treguan më shumë rreth natyrës njerëzore

Shkencëtarët dhe kompanitë e mëdha pëlqejnë të ndërmarrin eksperimente për të kuptuar natyrën e vërtetë njerëzore. Ndonjëherë pjesëmarrësit thyejnë rregullat, veprimet e tyre shkojnë përtej logjikës, sa edhe vetë psikologët nuk mund të kuptojnë çfarë realisht po ndodh.

Më poshtë do të gjeni një listë të eksperimenteve sociale që patën rezultate të papritura dhe dhanë shumë për të menduar( dhe ndoshta e ndryshuan botën për mirë).                    

foto-112.Nëse një fushë lihet e pambikëqyrur, a do t’i vidhnin njerëzit prodhimet bujqësore apo do të paguanin për ato?

Përshkrimi: Disa fusha vetë-shërbimi gjenden përgjatë rrugëve. Çdokush mund të zgjedhë lule, fruta apo perime. Të gjitha kanë lart nga një tabelë me çmimet përkatëse  dhe një kuti ku njerëzit mund të linin paratë. Askush nuk e kontrollon kutinë. Çdokush vendos për veten.

Rezultati: Pothuajse nuk pati fare vjedhje. Ndonjëherë, njerëzit linin më shumë para nga sa ishte në tabelë. Të ardhurat zakonisht përdoren për bamirësi.

11. Çfarë do të ndodhë nëse disa shoferë do të penalizohen dhe të tjerë do të shpërblehen?

Përshkrimi: Një kamera rrugore regjistron shpejtësinë me të cilën lëvizin makinat. Ata që thyejnë rregullat marrin një letër me një gjobë, ndërsa shoferët e përgjegjshëm marrin një letër falënderimi dhe një ofertë për të marrë pjesë në lotari. Çmimi i parë është në para, i paguar nga shoferët që kanë thyer rregullat. Ky eksperiment ishte pjesë e një fushate të krijuar nga Volkswagen.

Rezultati: Përpara eksperimentit shpejtësia mesatare në atë pjesë të rrugës ishte 20 mph, ndërkohë gjatë eksperimentit u reduktua deri në 22%. Si rezultat, Shoqata Kombëtare Suedeze Për Sigurinë Rrugore instaloi disa nga këto kamera shpejtësie përgjatë rrugëve kombëtare.

10. Çfarë do të ndodhë nëse shkallë në formë pianoje instalohen pranë një ashensori?

Përshkrimi: Shkallët normale u zëvendësuan me shkallë muzikore. Ndërkohë që ecnin nëpër shkallë , njerëzit do të luanin melodinë e tyre muzikore në një piano gjigante. Ideja ishte t’i bënin njerëzit të përdornin shkallët në vend të ashensorit.

Rezultati: 66% më shumë njerëz përdorën shkallët gjatë eksperimentit. Ky koncept u bë aq popullor sa u aplikua në shumë qytete të botës si: Kuala Lumpur, Seul, San Francisco, Mexico City, Sarajevë, Vienë etj.

9. Kanë njerëzit prirjen të dallojnë talentin apo ndjekin atë që është e famshme?

Përshkrimi: Anëtarët e grupit U2 u maskuan si muzikantë rruge dhe dhanë koncert falas në një metro në Nju Jork. Zakonisht është shumë e vështirë të gjesh bileta për koncertet e tyre, duke qenë se ato shiten brenda pak orësh. A do të ishin kalimtarët të aftë të dallonin talentin tek muzikantët e panjohur të rrugës?

Rezultati: Njerëzit nuk i kushtuan rëndësi muzikantëve deri sa ata e zbuluan veten. I njëjti eksperiment është realizuar edhe nga Cristiano Ronaldo në Madrid. Njerëzve nuk u interesuan aftësitë si futbollist, kur ishte i veshur si një i pastrehë, deri sa Ronaldo hoqi maskën.

8. Çfarë do të ndodhte nëse njerëzit do të lexonin vetëm lajme negative çdo ditë?

Përshkrimi: Një masë e caktuar e përdoruesve të Facebook duhej të shikonin postime me informacione negative për 7 ditë. Disa nga lajmet e postuara përmbanin kontekst shumë emocional.  Një total prej 689,003 përdoruesish morën pjesë në këtë eksperiment.

Rezultati: Lajme të tilla ndryshuan sjelljen online të përdoruesve duke i provokuar ata të theksonin emocionet negative dhe të postonin informacion të ngjashëm më shpesh. Njerëzit u ndikuan nga lajmet e këqija në një mënyrë sikur të kishin ndodhur në realitet dhe prandaj u bënë pjesë e impresioneve të tyre. Gjithashtu u testua edhe teoria e kundërt. Kur kryefaqja ishte e mbushur me postime pozitive, njerëzit dukeshin se ndiheshin më të lumtur, shfaqnin më shpesh mirësi, dashuri dhe dhembshuri.

7. Si t’i bashkojmë njerëzit me pikëpamje të ndryshme?

Përshkrimi: Tre çifte të huajsh duhej të shkonin në një magazinë së bashku. Ata ndërvepronin ndërkohë që ndërtonin diçka të caktuar dhe i bënë njëri-tjetrit pyetje të krijuara nga lehtësuesit e eksperimentit. Në fund të eksperimentit çdo pjesëmarrës zbulon që partneri/ja kanë besime krejt të ndryshme nga besimet e tyre.  Secili prej tyre më pas vendoste  nëse ai ose ajo dëshiron të njohë më mirë partnerin e tij/saj dhe të flasë me të duke pirë një shishe birrë.

Rezultati: Tre çiftet që morën pjesë në eksperiment: një mbështetës dhe një kundërshtues të teorisë së ngrohjes globale; një feminist dhe një me pikëpamje konservatore; një transgjinor dhe një i cili është kundër ndryshimit të gjinisë. Pavarësisht pikëpamjeve të kundërta dhe qëndrimeve të ashpra ndaj çdokujt që mendon ndryshe, pjesëmarrësit qëndruan së bashku për ta njohur njëri-tjetri më mirë dhe për të zbuluar më shumë rreth anës tjetër të pyetjes së diskutuar.

6. Çfarë ndodh nëse njerëzit e papunësuar paguhen 560€ në muaj duke mos bërë asgjë?

Përshkrimi: 2000 njerëz në Finlandë marrin 560€ në muaj për dy vite…për asgjë. Këto para paguhen si kompensim për papunësinë dhe njerëzve nuk u kërkohet të gjejnë një punë. Por edhe nëse ata gjejnë një punë ose hapin biznesin e tyre , ata do vazhdojnë të marrin të njëjtën shumë parash.

Rezultati: Disa pjesëmarrës demonstruan rënie të stresit. 560€ janë të ardhura të ulëta në Finlandë, por gjithsesi ishin të ardhura të qëndrueshme mujore, falë të cilave njerëzit mund të zgjidhnin punën që donin, të krijonin biznesin e tyre ose të vazhdonin edukimin për të marrë kualifikime më të  larta. Ky eksperiment ndihmoi shumë njerëz të kuptonin çfarë u pëlqente dhe në gjashtë muaj të gjenin një punë me të ardhura më të larta se më parë.

5. Si ndikon suporti i të rriturve te fëmijët?

Përshkrimi: Një mësues i ndau nxënësit e së njejtës klasë në dy grupe sipas ngjyrës së syve. Gjatë ditës së parë të eksperimentit, fëmijët me sy blu kishin shumë privilegje, lavdërime dhe mbështetje, ndërsa ata me sy kafe duhet të vendosën disa fjongo te veçanta në qafë dhe u privuan nga çdo vëmendje apo privilegj. Në ditën e dytë grupet ndërruan vendet.

Rezultati: Grupi i fëmijëve të cilët kishin privilegje e ndjenë mbështetjen e mësuesit dhe filluan të shfaqnin rezultate më të larta në mësim. Në të njëjtën kohë ata u bënë më arrogantë kundrejt grupit tjetër. Grupi tjetër u ndien të poshtëruar dhe e  kishin të vështirë të zgjidhnin edhe detyrat më të lehta. E njëjta situatë u aplikua kur grupet ndryshuan vendet. Aktualisht shumë institute edukimi që punojnë me fëmijë të vështirë aplikojnë metoda mbështetjeje dhe lavdërimi për t’i bërë fëmijët të ndryshojnë rrugë.

4. Çfarë do të ndodhë nëse të gjitha produktet e huaja do hiqen nga raftet e supermarketeve?

Përshkrimi: Gjatë një fundjave supermarketi Edeka në Hamburg la nëpër rafte vetëm ato produkte të cilat ishin prodhuar në Gjermani. Blerësit u përballën me rafte bosh.

Rezultati: Kjo ishte një fushatë kundër çdo forme racizmi, duke u treguar blerësve Gjermanë se sa e varfër do të ishte jeta e  një shteti nëse nuk do të bashkëpunonin me shtetet e tjera.

3. Si e shohin njerëzit veten dhe si shihen nga të tjerët?

Përshkrimi: Një artist i trajnuar i FBI-së vizatonte portretet e grave në përputhje me përshkrimin qëe ato i bënin vetes, pa i parë. Pastaj ai i kërkoi një të huaji ta përshkruante atë grua dhe bënte një portret tjetër.  Si përfundim çdo grua merrte dy portrete të vetes, duke marrë një mësim shumë interesant. Krijuesi i këtij eksperimenti ishte Dove.   

Rezultati: Të gjitha portretet të bazuara në përshkrimin e vetes ishin radikalisht të ndryshme nga ato të bazuara në përshkrimin e të huajve. Një person mesatar tenton t’i ekzagjerojë të metat, ndërsa të huajt e shikojnë pamjen në tërësi duke u fokusuar në tiparet pozitive.

2. Si i ndikon pasagjerët muzika në taksi?

Përshkrimi: Një shofer taksie ndryshonte muzikën në makinën e tij një herë në javë për të  parë se si ndikohej sjellja e njerëzve dhe klasifikimi i tij në aplikimet për taksi.  

Rezultati: Kur ai vendoste muzikë rock dhe këngë retro, klasifikimi i tij ulej. Muzika rap refuzohej nga shumica e pasagjerëve dhe klasifikimi i shoferit ulej ndjeshëm. Disa njerëz pëlqenin këngët hit të viteve të mëparshme. Por shumica e emocioneve pozitive u arritën kur kishte një kombinim të muzikës klasike me pak muzikë rock. Si rezultat shoferi i taksisë vendosi të luante vetëm muzikë klasike. Kur njerëzit dëgjojnë muzikë të pëlqyeshme ata lënë bakshishe më të mira.

1. Sa të ngjashëm jemi?

Përshkrimi: 67 njerëz u ftuan të bënin një test ADN-je për të zbuluar origjinën e tyre gjenetike. Pothuajse të gjithë pjesëmarrësit ishin të sigurtë për rrënjët e tyre dhe kishin shumë paragjykime kundër kombësive të tjera.  

Rezultati: Testi identifikoi që askush nga 67 personat nuk i përkiste krejtësisht një race apo etnie. Pothuajse të gjithë ata që kishin një paragjykim kundrejt një kombësie specifike, kishin ato gjene në ADN. Eksperimenti bëri çdo pjesëmarrës të ndryshonte qëndrim ndaj njerëzve të tjerë dhe vetes. Disa u ofruan ta aplikonin këtë test nëpër shkolla që të ulej racizmi, ksenofobia dhe ekstremizmi kombëtar.

Përgatiti Ilda Goxhaj

Marrë nga www.albpsychology.com (by Ilda Goxhaj)

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top