FB

January 9, 2024 | 7:10

2024, për të filluar me këmbë të mbarë

Fundi i vitit të shtyn gjithmonë të bësh një bilanc të asaj çfarë ke arritur, për të parë se çfarë duhet ndryshuar, çfarë duhet bërë më mirë gjatë vitit që vjen pas. Sipas një studimi anglez, edhe pse janë të shumtë ata që përpiqen ta bëjnë këtë, janë të paktë ata që i qëndrojnë deri në fund synimeve të përcaktuara.

 

1. Dëshironi dhe synoni ndryshimin

Viti i Ri ngërthen brenda vetes shpesh një dëshirë për të ndryshuar. Të gjithë përpiqen të bëjnë një bilanc të vitit që lënë pas e të gjithë fillojnë të mendojnë se çfarë duhet të bëjnë edhe më mirë. E kthyer në një praktikë mjaft popullore, është kjo arsyeja që të gjithë i urojnë njëri-tjetrit: Gëzuar! Lumturi, Mbarësi, Shëndet, Para, Fat, Jetë… Për më mirë! Viti i Ri përbën një kalim simbolik në diçka të re dhe ky kalim, nga një vit tek tjetri, krijon tek të gjithë një valë pozitive energjish dhe optimizmi që ndihmojnë në marrjen e vendimeve dhe përcaktimin e synimeve të vlefshme për jetën tonë.

2. Formuloni dhe përcaktoni synimet

Gjithçka duhet të jetë e qartë, e mirëpërcaktuar: Përse keni vendosur të ndryshoni sjelljen tuaj, përse kërkoni të arrini këtë apo atë synim? Listoni më parë pasojat pozitive të ndryshimeve që do kërkonit të bënit. Duke bindur veten për të mirat që do ju sillnin këto ndryshime, ju do të mund të kalonit më lehtë momente e periudha të vështira. Provoni gjithashtu t’i shkruani objektivat tuaja. Flisni për to me miqtë e të afërmit dhe gjithmonë do të zbuloni një motiv më shumë për të shkuar drejt realizimit të tyre. Sigurisht, çdo gjë duhet të jetë e mirëpërcaktuar në kohë, por nëse arrini të realizoni diçka përpara afateve të vendosura, edhe kënaqësia që do të provonit do të ishte më e madhe.

3. Bashkoni synimin me kënaqësinë

Si mund t’u përmbahemi synimeve e vendimeve tona, nëse ato nuk janë realiste? Fiksimi i një objektivi të ngurtë është mënyra më e mirë për ta braktisur shpejt atë. Shumë synime, duke kërkuar realizim të menjëhershëm, rrezikojnë humbjen e kohës dhe energjive: më e mira është të fiksosh një, por duke mos u përqendruar vetëm tek ai. Pyesni gjithashtu veten se për kë do të donit të ndryshonit, të ecnit përpara: për kënaqësinë personale apo për atë të të tjerëve?
Mbani parasysh: synimi nuk duhet të kthehet në asnjë rast në ankth e frustrim. Ndaj, bashkoni gjithmonë synimin me kënaqësinë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top