Të qëndrojmë të freskët kur klima është e nxehtë, është një sfidë e madhe. Rreziqet që lidhen me vapën përfshijnë dehidratimin, marrje mendsh, dhimbje trupi, etj. Për të mbajtur trupin të freskët, duhet edhe të ruajmë qetësinë: shpesh, vapa përkeqëson stresin, tensionin dhe ndjenjën e frustrimit. Ka mënyra të shumta, të thjeshta dhe efikase për të qenë të freskët kur jashtë është vapë…
- Mbajeni trupin të hidratuar | Uji është thelbësor për t’i lejuar trupit të jetë i freskët kur moti është shumë i nxehtë. Duhet të pini ujë edhe nëse nuk keni etje, për të ndihmuar organizmin që të ruajë temperaturën e ulët. Mënyra më e mirë për të kontrolluar nëse jeni të hidratuar është të shihni ngjyrën e urinës. Ngjyra ideale e urinës duhet të jetë transparente ose e verdhë e hapur.
- Nëse ajo ka ngjyrë më të errët, është një sinjal se duhet të pini më shumë lëngje. Evitoni pijet që përmbajnë sheqer, për shembull: pijet me gaz, sepse zvogëlojnë aftësinë e organizmit për të ruajtur ujin. Gjithashtu mos konsumoni pije alkoolike, kafe dhe pije të tjera që përmbajnë kafeinë, sepse janë diuretikë natyralë.
- Vishni rroba të lehta | Zgjidhni rroba të lehta, mundësisht në ngjyrë të hapur, për ta reflektuar më mirë dritën dhe nxehtësinë e diellit. Një palë pantallona dhe një bluzë me mëngë të shkurtra janë një zgjedhje e shkëlqyer. Veç kësaj, jepini përparësi rrobave që garantojnë një qarkullim të mirë të ajrit, për të bërë të mundur tharjen e djersës mbi lëkurë. Linoja dhe pambuku e thithin lagështirën dhe ju mbajnë sa më freskët. Veshjet sintetike e “burgosin” lagështirën e për pasojë copa duket më e rëndë, ngjitet në lëkurë dhe pengon qarkullimin e ajrit.
- Dëgjoni trupin tuaj | Nëse ndjeni se keni shqetësime për shkak të vapës, vërjani veshin sinjaleve të trupit. Nëse ju mungon fryma, ndiheni të rraskapitur, keni shumë vapë, ndjeni se po ju bie të fikët, keni dhimbje koke apo pështjellime, ndiheni të hutuar, apo ndjeni çfarëdolloj shqetësimi tjetër, me shumë gjasa vapa e madhe po ndërhyn në shëndetin e organizmit tuaj. Ndërprisni çfarëdolloj aktiviteti që jeni duke bërë dhe çlodhuni në vendin më të freskët të mundshëm. Pini mjaftueshëm ujë dhe kontrolloni që rrobat të jenë të lehta. Nëse, edhe pasi jeni çlodhur, vazhdoni të ndiheni keq, kërkoni menjëherë ndihmën e një mjeku apo shkoni vizitohuni në një qendër shëndetësore.
Përgatiti: Manjola Ereqi / Botuar në Revistën “Psikologjia”, nr.122
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.