Të jeni të lumtur dhe të kënaqur me jetën tuaj nuk është gjithmonë e lehtë, për shkak të detyrimeve, punës, teknologjisë dhe problemeve me shëndetin. Nëse disa aspekte të jetës nuk ju pëlqejnë, mund të përkushtoheni që të sillni ndryshimet e nevojshme për ta bërë atë më shpërblyese dhe të lumtur. Kemi përzgjedhur disa këshilla se si të përmirësoni ditët tuaja falë një sërë objektivash…
Analizoni jetën tuaj | Përcaktoni kuptimin që i jepni jetës suaj. Bëhet fjalë për një koncept ekstremisht subjektiv. Ajo që duhet të bëni është të ndalni për të reflektuar dhe kuptuar se çfarë është realisht e rëndësishme për ju. Çfarë rezultatesh doni të arrini? Ku doni të shkoni? Çfarë ju bën të lumtur? Vetëm duke u përqendruar në këto gjëra do të mund të filloni të kuptoni se si t’i jepni një kthesë jetës suaj. Pjesa më e madhe e njerëzve kanë tendencën që t’ia bashkëngjisin konceptin e një jete plot kuptim dhe shpërblyese një sërë rezultatesh që lidhen me nevojat bazike njerëzore, si: të kesh fëmijë, të krijosh një familje, të jetosh përvoja argëtuese apo të bësh karrierë, por realiteti është që ajo që ka më shumë rëndësi janë gjërat që JU i konsideroni të rëndësishme.
Mbani një ditar | Mendoni për jetën tuaj dhe shkruani se cilat janë gjërat që ju bëjnë entuziastë dhe cilat janë ato që nuk i duroni dot. Sipas studimeve, ata që shkruajnë në një ditar shijojnë një ndjenjë më të madhe mirëqenieje. Shkrimi ju jep mundësinë që të vini re skema të mundshme që karakterizojnë jetën tuaj, si ato pozitivet, ashtu edhe negativet. Mbajtja e një ditari mund t’ju ndihmojë që të qartësoni çdo gjë në mendimet dhe ndjenjat tuaja, duke ju lejuar që ta njihni veten më mirë, të ulni stresin dhe të zgjidhni disa probleme falë këndvështrimeve të reja.
Flisni me të tjerët për jetën tuaj | Ndonjëherë akti i shprehjes së ndjenjave te një person tjetër ju lejon të kuptoni më mirë se cilat janë dëshirat dhe nevojat tuaja. Veç kësaj, ai që ju dëgjon mund t’ju ndihmojë t’i shihni gjërat nën një tjetër këndvështrim. Nëse nuk doni që t’i ndani mendimet tuaja me një mik apo një familjar, drejtojuni një psikoterapisti. E ashtuquajtura “talk therapy” mund të jetë shumë efikase në kurimin e shqetësimeve të mundshme emocionale, si dhe mund t’ju ndihmojë të qartësoni mendimet.
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 148
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.