Mirëqenie

September 4, 2020 | 8:04

3 ushtrime si të zbuloni aftësitë e fshehura

Cilat janë pikat tuaja më të forta? Ku mund t’i gjeni ato? Janë brenda jush. Ju japin forcë, ju lejojnë të ecni përpara… Por shpesh nuk jeni në gjendje t’i dalloni. Si t’i zbuloni talentet tuaja? Sipas studiuesve, para së gjithash është e nevojshme të ndalni dhe të reflektoni mbi rrugëtimin tuaj, mbi dëshirat dhe mënyrat që keni për të realizuar atë çka dëshironi. Vetëm atëherë mund të çlironi të gjitha mundësitë tuaja.

USHTRIMI I PARË

Bëni një minihetim

Qëllimi është për t’u ndërgjegjësuar mbi vlerat e rrjetit të marrëdhënieve dhe të rëndësisë që keni për të tjerët.

1. Vizatoni një rreth brenda të cilit bëni 5 rrathë të tjerë bashkëqendrorë, nga më i vogli te më i madhi. Ndajeni rrethin në katër ose pesë pjesë, të cilat janë kufijtë themelorë të jetës suaj (familja, puna, miqtë, sporti…). Çdo sipërfaqe i përket një aktiviteti shoqëror që ju karakterizon. Shkruani emrin tuaj në qendër.

2. Shënoni për çdo sipërfaqe ose aktivitet personat që konsideroni më domethënës, aleatët tuaj më të mirë. Shkruajini emrat e tyre në marrëdhënie me sektorin që u përket. Më afër emrit tuaj ata që vlejnë më shumë për ju. Kjo është skica juaj relacionale imazh-simbol e rrjetit tuaj të marrëdhënieve.

3. Për ta njohur më mirë veten është e vlefshme të dini se si të tjerët ju konsiderojnë ju dhe aftësitë tuaja. Opinioni duhet të konceptohet si një kallëzim i vlerave dhe jo si një kritikë. Konsultohuni me personat që keni shënuar nëpër hapësira duke u treguar se jeni duke zgjidhur këtë ushtrim dhe se i keni zgjedhur pasi janë të rëndësishëm për ju: vlerësimi i të tjerëve është hapi i parë për të qenë të vetëdijshëm për të njëjtat vlera që keni dhe ju. Pyetini se cilat janë vlerat tuaja më të rëndësishme për rrathët përkatës? Si i manifestoni? Si mund t’i përmirësoni?

4. Pyetja tjetër është se sa të rëndësishëm jeni për të tjerët: dhe atëherë pyetini: cila karakteristikë e imja të pëlqen më shumë? Për çfarë do të kishit më shumë besim tek unë? Organizojini përgjigjet mbi një letër, sikur të ishte një temë e vogël.

USHTRIMI I DYTË

Ndërgjegjësohuni për mundësitë tuaja

Qëllimi i këtij ushtrimi është të kuptoni se cilat janë talentet e fshehura brenda jush.

1. Vëzhgoni të shkuarën dhe të tashmen tuaj. Cilat kanë qenë sukseset më të mëdha? Në çfarë fushash (punë, marrëdhënie, raporti me veten…)? Shkruani një curriculum vitae të shkurtër me 10 sukseset tuaja themelore.

2. Cilat janë aktivitetet më shpërblyese dhe të kënaqshme në jetën tuaj? Në ç’kontekste ose aktivitete do të ndiheshit më mirë po të përhumbeshit në kuptimin e kohës dhe hapësirës, sikur të gjendeni në një dimension tjetër?

3. Bashkojini në një tabelë të vetme aktivitetet shpërblyese (që ju pëlqejnë më shumë) dhe sukseset (në të cilat keni qenë më i zoti) të tashmet dhe të shkuarat.

4. Aftësitë dhe cilësitë tuaja më të mira janë disa tipare karakteriale që mund të vihen re në etapa të ndryshme të jetës suaj (si dashuria për dijen ose aftësia për të vlerësuar bukurinë) dhe që i shprehni në punë të ndryshme (duke shkruar një tregim). Duke analizuar aktivitetet e suksesshme dhe të kënaqshme, cilat janë ato pesë më të rëndësishmet ose cilësitë që ju karakterizojnë (si: dashuria për dijen, inteligjenca sociale, përulësia, kuraja)? Cilat janë vlerat që ato shpalosin?

USHTRIMI I TRETË

Krijoni një slogan personal

Objektivi i këtij ushtrimi është të gjeni një frazë që pasqyron unicitetin tuaj, si sintezë e aftësive më të mira që keni.

1. Për t’u bërë talent, aftësitë duhen bashkërenduar me përkushtim dhe këmbëngulje: në cilat fusha mendoni se mund të bëni më shumë? Cilat ndryshime mund të fitoni duke i vënë në qendër të jetës suaj? Me cilat objektiva konkrete? Cilat janë cilësitë që do të donit më shumë t’i ndanit me të tjerët?

2. Vetëdija për aftësitë tuaja mund të frymëzojë këndvështrimin ideal për të ardhmen, e cila është gjëja më e rëndësishme për të ndryshuar dhe për të qenë më të lumtur. Rifilloni të analizoni sukseset tuaja, aftësitë dhe cilësitë. Zgjidhni mes këtyre fjalëve më të rëndësishme se cilat ju karakterizojnë dhe nga të cilat nuk do të hiqnit kurrë dorë dhe shkruajini në një fletë të vetme, si një listë. Nga kjo listë, plotësoni një slogan: “Unë quhem… Jam një njeri që…”. Me të gjetur frazën që shpreh më mirë cilësitë, aftësitë dhe vlerat tuaja, shkruajeni në një fletë dhe mbajeni gjithmonë me vete. Do të jetë kartëvizita më e rëndësishme e juaja. Sepse më e mira mund të shprehet vetëm duke filluar nga më e mira, pra duke vendosur hap pas hapi atë që ju pëlqen dhe kënaq më shumë.

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 149

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top