Këshilla & Arsye

October 6, 2017 | 9:12

4 këshilla si të mësoni të thoni “JO”!

JO”: e keni të vështirë të shqiptoni me forcë këtë fjalë kaq të shkurtër dhe shpesh zhgënjeheni? Me pak kurajë duhet t’ia bëni të qartë të tjerëve refuzimin. Është një sjellje që mësohet, por do të thotë edhe të ekspozoheni ndaj kritikave, inatit, të kaloni si një njeri pa zemër apo i bezdisshëm. Frika se mos ju gjykojnë për keq forcon kushtëzimin e varësisë kur gjendemi përballë të tjerëve. Por megjithatë, “jo”-ja është e domosdoshme, nëse duam të afirmojmë personalitetin tonë dhe të jemi realisht vetvetja…

jo

1. Mos u ndjeni në faj | Nuk është e lehtë të afirmoni këndvështrimin tuaj, pa u dukur një njeri me karakter jo të mirë. Për të marrë një “po” nga ana juaj, të gjithë njerëzit që mund t’ju kërkojnë ndonjë gjë, të afërm (familjarë, miq) apo të largët do të mundohen t’ju bëjnë të ndiheni në faj. Është momenti të mos ndiheni në faj. Mos u ndikoni prej tyre: refuzimi juaj nuk duhet t’ju bëjë që të ndiheni kaq keq dhe në faj. Dhe, mbi të gjitha, mos bini pre e shantazheve, sidomos atyre që kanë lidhje me ndjenjat.

2. Mos u nxitoni | Merrni gjithë kohën e nevojshme për të vlerësuar pro-të dhe të kundër-tat e një situatë… dhe sidomos nëse ndjeni se po ju ushtrojnë presion për të marrë në mënyrë më të thjeshtë e të menjëhershme miratimin tuaj. Mos kini frikë të kërkoni një çikë më shumë kohë për të reflektuar, ndoshta edhe duke thënë: “Më duhet të mendohem”.

3. Gjeni një zgjidhje zëvendësuese | Mënyra e “jo, por…” ju lejon të shmangni pengesën. Shpjegojini për shembull një të afërmi: “i kuptoj problemet e tua financiare, por në këtë moment nuk mund të të ndihmoj. Përse nuk i kërkon një paradhënie punëdhënësit tënd?” Shpjegojuni prindërve: “E di që shpresoni të jemi për festë në shtëpinë tuaj, por kemi programuar diçka tjetër. Megjithatë, mund të mblidhemi bashkë fundjavën e parë”… Në këtë mënyrë do të tregoni se kemi menduar gjatë për dëshirën e tyre e në këtë mënyrë nuk do t’ju qortojnë se nuk ju intereson kërkesa e tyre.

4. Mos përfitoni | Mos refuzoni gjërat vetëm për të kundërshtuar, sepse mund të jeni të inatosur apo të tensionuar. Tregoni kujdes dhe mos bëni refuzime agresive apo pa edukatë, në mënyrë që të mos jepni përshtypjen se jeni njeri jo i mirë. “Jo”-ja duhet përdorur me kujdes për të favorizuar bashkëbisedime dhe ndërveprime pozitive ndërmjet njerëzve. Kontradiktat, mosmarrëveshjet dhe miratimet e mundshme ju lejojnë të krijoni një komunikim të vërtetë, një ndërveprim. Në fakt, të dini të thoni “jo” ju lejon të kuptoni sa më mirë “po”-në.

Përgatiti: Manjola EREQI

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top