5 maji është një datë e shënuar në përkujtim të patriotëve që dhanë jetën për lirinë e vendit. Në Ditën e Dëshmorëve të Atdheut, në shenjë nderi për këta njerëz që sakrifikuan jetën e tyre, familjarë të të rënëve, pasardhësit e tyre, pushtetarë dhe i mbarë kombi i përkujtojnë me respekt e dashuri të gjithë ato figura që në emër të lirisë së vendit mohuan të tyren.
Dita e Dëshmorëve u vendos të jetë 5 Maji 1942, dita kur u vra nga fashistët, Qemal Stafa, i riu komunist, aktivist i luftës Nacional Çlirimtare. Veteranë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, zyrtarë të shtetit dhe politikës si çdo vit vendosin kurora me lule përpara memorialit “Nënë Shqipëri”, në nderim të të rënëve në luftën antifashiste.
Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli shqiptar i kujtonte dëshmorët e tij dhe mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes këngës epike dhe trashëgimisë të historisë të tyre nga brezi në brez.
Gjatë luftës nacional çlirimtare, fillojnë përpjekjet e para për të nderuar dëshmoret e rënë në fushat e betejave. Të rënët u bënë simbol frymëzimi për luftëtarët e lirisë. Këngët për dëshmorët, dhënia e emrave të dëshmorëve reparteve partizane, shkrimet për aktin e tyre në shtypin e luftës dhe në fjalime, betimi para varreve të tyre, varrimi partizan ceremonial, ndihma për familjet, zëvendësimi i tyre në radhët partizane nga të afërt etj., të gjitha këto janë shprehje e vlerësimit për aktin dhe figurën e dëshmorit.
Në vitet ‘60-të statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin”Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit, ku u përqendruan varret e të gjithë dëshmorëve, me përjashtim të atyre të Pezës e të Kuçit të Vlorës. U ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmoreve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”.
Me 1992-1993, me ndërrimin e sistemit politik, pësoi ndryshime edhe statusi i Dëshmorit të Atdheut. Me një vendim të qeverisë Meksi, ende i papublikuar, iu hoqën përfitimet familjeve të dëshmorëve.
Në vitin 2000, pas shumë përpjekjeve u miratua ligji Nr. 8607 datë 27.04, “Statusi i Dëshmorit të Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997-1999, në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.