Pika referimi

May 5, 2017 | 7:05

Nga Qemal Stafa: E vjetra shembet!

Një hartim i Qemal Stafës, 15-vjeçar, me temën e nxjerrë prej Schiller-it, “E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re po lulëzon gërmadhash”.

qemal-stafaFjalë t’arta, fjalë plot kuptim. Tash sa vjet duelën rrjedhshëm prej pendës së një idealisti të madh, të Schillerit, shpirti i të cilit, i etshëm për gjana të reja, ndër të cilat vendin ma të parë e zente lirija e popujvet, lshonte za kushtrimi në shkretinën e thatë të idealismës s’asaj bote të vjetrueme ku rronte. Schilleri e kishte kuptue të vjetrën. Edhe na e kemi kuptue. E vjetër asht ç’do gja qi kohnat e kalueme na kanë lanë.Systemi shoqnuer, arti i dikuershëm, feja, dasija mes popujvet, janë të tilla.Njeriu vetvetiu i prirun nga përparimi i shef të metat e kohënavet të kalueme, dhe dishiron t’i ndreqë. Kndej çpikjet e reja e të çuditshme në ç’do lamë të kulturës.Dëshirin e rrënimit të të vjetrës njeriu e ka dishmue ku e kur ka pas rast francezi në Revolucionin e Math të Francës, Galileu me ligjin e tij, Lindbergu me udhtimin prej Amerikë në Francë, Rusi me ndryshimin esistemit shoqnuer…(Borgjezë hapni veshët mirë!)

Tash të vrejmë imtësisht e mirë të gjitha sendet e vjetra.Sitemi shoqnuer i sotshëm, asht ai i disa mi vjetvet, i ndryshuem në disa pika, por aq pak, sa nuk të bie në sy. Bota asht e ndame në kontinente, kta në shtete, shtetet në qytete e krahina, deri sa mbërrimë ke njeriu e ke idenat e tija. Pasunija, qi asht pika e mbështetjes së të gjithë veprimevet, asht e ndame keq(hap sytë sa të duesh kapitalist). Njani ka miljarda e miljarda, n’sa tjetri nuk ka as nji dysh. Disa kanë tokë të gjana për mbjellje n’sa t’afërmit e tyne nuk kanë as bukë(bukë themi) të hajë. Thonë qi asht zhdukë skllavnija.Jo,nuk asht zhdukë, po ka marë një trajtë tjetrë,atë të ndihmës. Në vend të kamxhikut të drejtuesit të robvetasht penda e bankjerit, në vend të Kesler agait asht polici qi regjstron gratë publike, viktima të vorfnisë dhe të pa-drejtësisë së shoqnisë. Nuk flas për shpatat e Jenicierëvet të zëvendësueme me vezët në sqetulla, për Giljotinën e zavendësueme me karrikën elektrike.Të gjitha kto i kemi trashigim prej kohvet të kalueme, pse e kanë burimin në ndamjen e pasunisë. T’ishte pasunija e ndame me drejtësi, barabar e të punojshin të gjithë njerzit e botës për nji qëllim, sa ndryshe do t’ishte jeta! Statistika zyrtare diftojnë haptas se gjaksinat ma të ndryshme, vjedhjet ma të mdhajat, kan pasë për shkak vobegsin.

Prej këndej shofim se asht gja e domosdoshme t’a ndryshojmë ndamjen e sotshme të pasunis (gja e vjetër) e t’a zëvendsojmë me nji ndamje të drejtë, e të njinjishme (gja e re). Rusët e kanë ba me kohë:shembull ky se e vjetra shembet.

Edhe na do t’a bajmë.Arsimi , ajo dritë e popujvet si e quente Viktor Hygo- i përpara u epej vetëm princavet e bujarvet (nobles). Sot djali i puntorit rrin në nji shkoll me djalin e ministrit qi e mjel: shenja të sigurta se bota asht neveritë prej të vjetrës dhe don të ren. Të shofim fen, opiumin e popujvet. Në kohnat e vjetra populli nuk i kuptonte kshillat e drejtuevet të tij: Për me ba arabin të lahej, e të paguente taksat kalifit ishte nevoja e nji Muhammedi qi t’i predikonte popullit ignorant se asht, ekziston, nji zot qi i çon në xhenem ata qi nuk lahen , qi nuk bajnë gymnastikë, e nuk i lajnë rregullisht taksat. Deri këtu asht mirë.Por të shohim kto tjerat. Nën maskën e ktyne rregullave sa e sa poshtërsina u banë. Sa e sa herë turma e popullit e qorrueme prej drejtuesve të fes së sajë, u bante robneshë e nji tyrani. ’’Jepni Çezarit, çasht e Çezarit, e zotiut ç’asht e zotit!’’.Sa bukur e diftojnë kto fjalë qëllimin e fesë. Ku ka nji kishë, aty ka nji mbret.

Shekulli XX po e shkatrron të vjetrën. Në vend të sajë shton shkollat laike, të majtun prej shtetit, plotson bibliotekat;lavron shkencat (anmikët ma të mdhajat të fesë:ku je Galilei para turrës së druvet?)shndron kishat e xhamijat në muzeume antiklerikale.Të vimë ke harti.Harti i deri-tashëm, qi veç trajtës së bukur nuk kishte tjetrë cilësi, nuk i përmbushë nevojat t’onë.Ç’më duhet mue nji poezi e bukur në trajtë por e vorfën në idena, nji pikturë me bojna të bukura po pa nji ide?Poezija e sotshme përveç trajtës, ka edhe idenë, atë ide qi lufton vuejtje e puntorit, mundin e bujkut.Piktura e sotshme nuk ka aq bukuri të trajtës se të idesë.Mos kërkon në kuadrat moderne gra të bukura, skena idyllike, shenjtorë të rrethuem prej ëngjëjsh e ku t’a di unë sa prralla tjera.Kërko në to, përkundrazi të pikzuem nme ngjyra të gjalla mundimin e nji hamalli kur ngren nji arkë të madhe mushë me… shishe shampanje.

Edhe na shqiptarët do t’a rrënojmë të vjetrën.Mbi të do ngrefim madhnisht flamurin e kuq të vllaznimit, të kulturës e të pasunis.Kemi besim në vetvete, prandaj guxojmë. Asht zemra e nji të riu pesëmbëdhjet vjeçar qi ju flet!

 

(Shkodër, 19 Qershuer 1935.)

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top