Marrëdhënie

April 5, 2016 | 9:55

Dëshmi/ Martin Leka: Nostalgji për kohën kur i laja vetë djemtë

Të qenit prind për Martin Lekën është dhurata më e bukur që Zoti jep, e që kurrsesi nuk mund të ndahesh dot prej saj. Këtë model ai mundohet t’ua japë dhe dy djemve të tij, Fabios dhe Arbrit, për të cilën tregon se ka një ndjeshmëri të lartë duke mos u munduar të mos tregohet “i fortë”. Për analistin e njohur, aktualisht n/drejtori i televizionit publik, kjo marrëdhënie sa vjen dhe bëhet më e konsoliduar pavarësisht vështirësive që bëjnë pjesë në ligjet e natyrës. Martini pohon se, sa herë mendon se kalon një vështirësi, vjen një tjetër e kështu pambarim ndodh me kujdesin, merakun dhe dashurinë për fëmijët…

Cila është marrëdhënia juaj?

Është marrëdhënie prind-fëmijë. Brenda këtij përcaktimi, ka veçoritë e veta. Unë kam dy djem, Fabio 14 dhe Arbri 12 vjeç. Djali i madh është rritur shumë me trup, është më i gjatë se unë dhe është në një moshë delikate, që përkon dhe me vështirësinë time për t’u përshtatur. Mundohem ta diferencoj me Arbrin në trajtimin e marrëdhënieve, gjithnjë me kujdesin e duhur për të mos e “shfaqur” këtë diferencim. Flas më shumë për probleme të ndryshme, mundohem të eksploroj në kërkesat dhe nevojat. Shoh tek ai mosdëshirën për të qenë gjithnjë pas tij, nuk ka dëshirë të asistoj në aktivitete me shokët apo në ato të shkollës, sepse sipas tij, i duket vetja “çun mamaje” dhe e shajnë shokët. Unë dhe Anila (më shumë), mundohemi të shpjegojmë sa mundemi për historinë e prindërve tanë dhe ta futim në botën e Fabios-prind në të ardhmen. Nuk di sa ia arrijmë, por mendoj se po, gjersa vërejmë reflektim të tij. Kurse me Arbrin është më ndryshe. Nuk kam asnjë dëshirë të shprehem jashtë sinqeritetit tim; ai është “çuni i babit”, siç i thonë në zhargon. Është dobësia ime. Është lozonjar, i dashur (unë i them i shijshëm), shumë besnik. Nëse i beson një sekret Arbrit, zëre se nuk e ke thënë, kaq besim reflekton. E ka lotin jashtë syve. Sigurisht, marrëdhënia ime me të është më e diferencuar. Mjafton të përmend ritualin e çdo nate “O ba, eja më vër në gjumë”, për ta treguar këtë që sapo thashë më lart…

Sa ka ndryshuar të qenit prind nga dje, sot?

Sigurisht që ka ndryshuar. Çdo prind, nuk e ka të vështirë të tregojë ndryshimin që ndodh me marrëdhëniet me fëmijët me kalimin e viteve. Sot p.sh, djalin e madh e trajtoj më shumë si shok, flasim për gjëra nga më të ndryshmet, për shijet muzikore, për interesat e tij në të ardhmen, flasim shumë për arkitekturën (është dëshira e tij e palëkundur për t’u bërë arkitekt), debatojmë për ngjarje, fenomene, etj. Edhe për politikë ndonjëherë… Kurse me djalin e vogël, më duket se marrëdhëniet tona janë në sinkron me kohën, më duket se do vazhdoj ta vë në gjumë gjersa të martohet…(qesh)

Çfarë roli keni treguar gjatë rritjes së fëmijës?

Shumë e vështirë ta përcaktosh. Kam luajtur rolin e babait! Kujtoj me nostalgji kur i laja vetë fëmijët ndonjëherë. Është kënaqësi e pashpjegueshme, të duket sikur ke Zotin para duarve dhe kujdesesh për të… Për ta thënë me pak fjalë, nuk mendoj se ka “rregulla” për rolin që duhet të kesh në rritjen e fëmijës.

Ç’gjuhë komunikimi keni përdorur?

Gjuhën shqipe…(qesh). Sigurisht tolerancën, por herë-herë nuk kanë munguar dhe ndonjë e bërtitur me të madhe apo ndonjë shuplakë në nervozizëm. Mbaj mend që nga kjo e fundit, kam qëndruar net pa gjumë…

I keni llastuar fëmijët tuaj apo jeni treguar “të fortë”?

Anila është më e “fortë”. Ka durimin e duhur dhe është shumë më e kujdesshme me ta. Megjithatë, kur flet apo këshillon ajo, unë jam përkrah saj, hesht dhe unë si djemtë në rastin më të keq…

A është e lehtë të jesh prind?

Aspak. Është gjëja më e bukur që të dhuron Zoti e natyra, por është dhe shumë e vështirë. Në kuptimin që për asnjë çast, nuk mund të heqësh dorë nga kujdesi, meraku për ta. E kam mësuar këtë dhe nga Nëna ime, 90 vjeçare, e cila sa herë shkoj ta takoj, më trajton siç trajtoj unë djemtë e mi: “Eja tek nena; të pastë nëna; të marrsha të keqen unë ty”…

Keni marrë nga shembulli i prindërve tuaj?

Padyshim. Për të mos u zgjatur, nga babai mendoj se kam marrë krenarinë, “egon” për t’u bërë dikushi, nga nëna kam marrë urtësinë dhe tolerancën. Kam qenë më i ri se mosha e djalin tim të madh kur mbeta pa baba, por nuk e harroj kurrë një shprehje që ma përsëriste vazhdimisht, sa herë më jepte 10 lekë kur merrja dëftesat dhe fletë-lavdërimet shoqëruar: -Mos harro të përshëndesësh njerëzit rrugës, sidomos të moshuarit…

Ju silleni si ata?

Shpesh po, por të mos harrojmë se koha bën diferencën. Unë për vete jam rritur gati si bohem, në lëvizje të vazhdueshme, larg prindërve, por kur shoh në vijimësi modelet e prindërve të mi, mendoj se në shumë gjera i kopjoj ata, nënën sidomos…

Po fëmijët çfarë mendojnë?

Edhe pse janë të vegjël, mundohem t’u tregoj për gjyshin që s’e kanë njohur dhe për historinë e rritjes së familjes sime të madhe (ne jemi 5 vëllezër e 4 motra), të gjithë të martuar e me shumë fëmijë. Nuk mendoj se janë në moshën kur ata mund të vlerësojnë, por sa herë u flas, tregojnë interes e bëjnë vazhdimisht pyetje. Thashë dhe më sipër se koha bën diferencën. E shoh këtë dhe në rastin kur fëmijët nuk mund ta imagjinojnë të krijojnë një familje të madhe, e thonë hapur këtë.

Kush ka sakrifikuar më shumë?

Anila sigurisht. Nuk e them aspak me mburrje këtë, madje edhe me një lloj ndjese për sakrificat e saj.

Sa keni përfituar nga kjo përvojë?

Nga përvoja e të qenit baba i dy djemve?!… Shumë. Nuk ka përvojë më të bukur dhe shenjtëri më të madhe se të jesh prind.

Keni ndikuar në zgjedhjet e djemve apo keni ruajtur një ekuilibër mes vendimeve që edhe atyre u takojnë t’i bëjnë vetë?

Jo, aspak. E dyta po. Mendoj se një ekuilibër i tillë është gjëja më normale në këtë rast. Ata janë ende të vegjël të vendosin në zgjedhjet e tyre madhore për jetën, por në perceptimin e parë, mendoj se ka qenë natyrshmëria ajo që po vendos, ndihmuar dhe me ekuilibrat tanë.

Intervistoi Orjona Tresa/Fotot Soela Zani

Botuar në revistën Psikologjia, Qershor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top