Dëshmi

March 9, 2021 | 12:00

7 Marsi i heshtur! Një vit nga fillimi i një epoke të re për edukimin

Nga Aida Shquti, arsimtare

Sot, me gojën mbyllur, por kjo nuk më pengon për të uruar mësuesit e mi, të gjithë kolegët dhe veten time 7 Marsin e përgjakshëm të shekullit 21.

9 marsi i vitit të kaluar shënoi një epokë të re për edukimin, atë të arsimit online dhe një sfidë për mësuesit anembanë. Ne mësuam të ndërveprojmë me nxënësit tanë në kushte jo të barabarta me virusin që endej jashtë në diell e në shi, në dëborë e në stuhi, në çdo gradë temperature dhe ne vështronim nga brenda si në një shtëpi kukulle, në xhamat e një dritareje ku herë rrezatonte dielli e herë rrëshqisnin pikat e shiut, me shpresën se e gjitha kjo do të mbaronte si një ëndërr e keqe dhe ne do t’i riktheheshim klasave të mësimit, korridoreve të shkollës dhe nxënësve tanë për t’i ushqyer me dije.

Dhe ja ku jemi, një vit më pas akoma duke shpresuar se gjërat do të kthehen në normalitet, por kësaj here duke luftuar në sheshbetejë me një përbindësh të pamëshirshëm, të quajtur COVID-19.

Kemi marrë çdo masë për ta mposhtur atë dhe vazhdojmë të ecim korridoreve të shkollës, ulemi përbri me virusin dhe ashtu plot forcë e sfidojmë atë, sepse misioni i shenjtë për të edukuar brezat na jep kurajo për të vazhduar përpara.

Ky 7 Mars i heshtur, ndryshe nga çdo vit më parë, na bën thirrje të gjithë mësuesve kudo ndodhen, përpos sakrificave të përditshme, të vazhdojmë të luftojmë të bashkuar për t’ia arritur një qëllimi të përbashkët dhe për ta ngritur sa më lart titullin e mësuesit, sepse ne më shumë se kushdo tjetër, mundemi që me vullnetin dhe me punën e palodhur t’ia dalim mbanë.

Ne jemi forca dhe kurajo e brezit të ri, fryma e motivimit për një të ardhme të ndritur. Ndaj mësues, të vazhdojmë të luftojmë dhe të mos i humbim shpresat. Ne do t’ia dalim!

Ta gëzojmë këtë 7 Mars sepse ndryshimi është në duart tona!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top