Këshilla & Arsye

November 13, 2019 | 8:20

8 sugjerime për të ngrënë në mënyrë të shëndetshme

Të ushqehesh në mënyrë të shëndetshme dhe të ekuilibruar është shumë e rëndësishme për të pasur një shëndet të mirë e për t’u ndier në formë. Mjafton të ndiqni disa hapa për t’ia nisur sa më mbarë.

Jepuni rëndësi vakteve me bazë niseshteje

Ushqimet me bazë niseshteje përfshijnë patatet, drithërat, makaronat, orizin dhe bukën. Zgjidhni varietetet me përmbajtje të lartë fibrash që jua mbajnë organizmin të fortë e të ngopur për shumë gjatë. Ushqimet me bazë niseshteje mund të përbëjnë 1/3 e të gjithë ushqimit që ju konsumoni. Provoni të shtoni në çdo vakt një produkt me bazë niseshteje. Shumë njerëz mendojnë se këto ushqime përmbajnë më tepër yndyrë, por gram për gram ushqimet me niseshte përmbajnë më pak se gjysma e kalorive të yndyrnave.

Konsumoni sa më shumë fruta dhe perime

Është e rekomandueshme të konsumojmë 5 porcione të frutave dhe perimeve të ndryshme gjatë një dite. Teksa hani drithëra me kos apo qumësht në mëngjes, mos neglizhoni të copëtoni qoftë dhe gjysmën e një bananeje brenda.

Hani më shumë peshk

Peshku është një burim i pasur proteinash, vitaminash dhe mineralesh. Është e dëgjuar tashmë se konsumi 2 herë në javë i peshkut është mjaft i shëndetshëm për organizmin tonë. Konsumoni edhe peshk me yndyrna, i cili përmban omega-3 dhe që është shumë i rëndësishëm për të mbajtur larg çrregullimet e sëmundjeve të zemrës.

1

Hiqni dorë nga vajrat e përpunuar dhe sheqeri

Organizmi ynë ka nevojë për yndyrna. Por, e rëndësishme është t’i kushtojmë vëmendje sasisë dhe llojit të yndyrës që konsumojmë. Janë dy lloje yndyrnash: të ngopura dhe të pangopura. Yndyrnat e ngopura, në konsum të tepruar mund të rrisin kolesterolin në gjak duke rrezikuar me shumë sëmundje serioze. Yndyrnat e ngopura gjenden tek djathi i fortë, biskotat, ëmbëlsirat, gjalpi, salsiçet, kremi i qumështit etj. Për të mos rrezikuar shëndetin, konsumoni sa më shumë ushqime me yndyrna të pangopura si vaji i ullirit, vaji i peshkut, avokados etj. Sheqernat. Njerëzit konsumojnë ushqime dhe pije me sasi të lartë sheqeri, duke përfshirë lëngjet e frutave të gatshme, pijet alkoolike që përmbajnë shumë kalori dhe që ndikojnë në rritjen e peshës së panevojshme trupore. Këto pije mund të ndikojnë edhe në prishjen e dhëmbëve, sidomos në rastet kur i konsumoni gjatë ngrënies së vaktit. Hiqni dorë nga konsumi i tepërt i këtyre pijeve dhe lëngjeve, të cilat përmbajnë sheqer të shtuar artificial.

Konsumoni sa më pak kripë

Edhe nëse nuk u shtoni kripë ushqimeve tuaja, prapëseprapë mund të jeni duke e konsumuar në sasi të tepruar atë. Gati ¾ e kripës që konsumojmë mund të jetë e përfshirë në ushqimet që blejmë, siç mund të jenë drithërat e përgatitura, supat, buka apo salcat e ndryshme.

Jini aktiv dhe mbani një peshë të mirë trupore

Krahas ushqimit të shëndetshëm dhe një diete të ekuilibruar, ushtrimi fizik luan një rol tepër të rëndësishëm për organizmin tonë. Ushtrimi fizik ju ndihmon të humbni në peshë dhe të ruani peshën ideale. Si psh, mos merrni autobusin për t’u kthyer në shtëpi pas pune, por zgjidhni të ecni më këmbë. Të kujdeseni me ushqimin nuk do të thotë të mos ushqeheni mjaftueshëm, por të tregoni kujdes me ushqimet që dëmtojnë shëndetin dhe që ndikojnë në peshën trupore. Nëse ndiheni të uritur, zgjidhni të konsumoni ushqime e pije që janë me kalori të pakta.

Mos e lini veten t’ju marrë etja

Flitet shumë për sasinë e ujit që duhet të konsumojmë brenda një dite. Bëhet fjale për të paktën 1 litër ujë në ditë për të mos u dehidratuar. Kjo është një shtesë e ujit që ne marrim edhe nga ushqimi që konsumojmë. Të gjitha pijet joalkoolike, uji dhe lëngjet e freskëta të frutave janë shumë të shëndetshme.

Jepini përparësi vaktit të mëngjesit

Shumë njerëz heqin dorë nga të ngrënit në mëngjes për të mos u shëndoshur. Në fakt, studimet kanë treguar se ngrënia e mëngjesit mund t’i ndihmojë njerëzit të kontrollojnë peshën e tyre. Një mëngjes i shëndetshëm është pjesë e rëndësishme e një diete të ekuilibruar, e cila përmban vitamina dhe minerale që na nevojiten përgjatë gjithë ditës. Drithërat e papërpunuara me fruta janë një dietë ideale për një mëngjes të shëndetshëm.

Revista Psikologjia

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top