FB

October 5, 2022 | 8:00

A duhet të shohin TV fëmijët me Çrregullime të Spektrit të Autizmit? 10 këshilla për prindërit

Mjetet e komunikimit masiv, veçanërisht televizori, zë një pjesë të madhe të ditës së fëmijëve. Shumë prej tyre shohin para ekranit të televizorit, programet, emisionet apo filmat vizatimore të preferuar. Po kështu dhe shume fëmijë me çrregullime të spektrit të autizmit mund të kalojnë kohë para ekranit të televizorit. Shpesh, prindërit mund të jenë të shqetësuar për këtë gjë.

Nga Mariglena Muci, pedagogji e specializuar

Por studimet e fundit kanë treguar se, TV dhe video në sasi të kufizuar dhe të zgjedhura me kujdes, mund të shërbejnë si terapi për fëmijët me ÇSA. Ato mund të ndihmojnë prindërit, kujdestarët, terapistët, të cilët kalojnë orë të tëra duke punuar me ta. Hulumtimet kanë treguar se videot, të cilat mund të shihen vazhdimisht janë në fakt mjete të fuqishme për të mësuar aftësitë, konceptet dhe reagimet emocionale. Më poshtë po listoj mënyra sesi televizori apo video të ndryshme mund të ndihmojnë fëmijët tuaj:

Videot apo programet në TV mund tu mësojnë fëmijëve aftësi të jetës së përditshme

Shikimi i filmave apo videove, që transmentohen në televizor, mund të bëjnë të mundur që fëmijët të mësojnë aftësi apo sjellje e veprime të ndryshme. Disa modelime në video mund tu mësojnë aftësi të jetës së përditshme si: larja e dhëmbëve, lidhja e këpucëve etj. Kështu, nëse ata shohin në film, një fëmijë që lan dhëmbët, mund ta kryejnë edhe vetë këtë veprim Prandaj zgjidhni video, filma vizatimorë (këshillohen më tepër sepse kanë pamje vizuale, ngjyra tërheqëse për fëmijët me ÇSA) dhe nën kujdesin tuaj, lejojeni t’i shohin sa më shumë. Në këtë mënyrë, ata mund të zhvillojnë më shumë aftësitë e tyre të jetës së përditshme.

Programet televizive të zgjedhura me kujdes mund të ndihmojnë fëmijët të lidhen me bashkëmoshatarët e tyre.

Fëmijët shohin programe apo filma të ndryshëm, të cilat i diskutojnë me njëri-tjetrin. Fëmijët me autizëm janë idiosinkratikë. Si të tillë, edhe pse nuk mund të kuptojnë plotësisht humorin e “Spongeboobe”, (për shembull), njohuritë e tij për personazhet dhe mjediset do t’i ofrojnë mjete më të mira, për t’u lidhur me bashkëmoshatarët e tyre. Ndërsa ata që janë më të rritur mund të përfitojnë nga njohja me shfaqjet e njohura televizive, duke u bërë pjesë e aktiviteteve apo klubeve të shkollës.

TV dhe videot mund t’u ofrojnë prindit ose kujdestarit një gjuhë të përbashkët me fëmijën

Nëse, ju dhe fëmija juaj (nën kujdesin tuaj) shikoni video ose TV, sëbashku, mund të krijoni një gjuhë të përbashkët simbolike. Kjo gjuhë mund të sigurojë bazën për lojën e përbashkët imagjinative. Psh. nëse fëmija juaj pëlqen filmin vizatimor “Frozzen” dhe sheh personazhin e Elsës si një kukull, ju mund ta përdorni këtë për një lojë, që mund të zhvilloni me fëmijën tuaj.

TV dhe videot mund t’i hapin botën një fëmije

Fëmijët mund të mësojnë dhe marrin informacione të ndryshme nëpërmjet televizorit, të cilat zgjerojnë dijet e tyre. Po kështu shumë fëmijë me autizëm, janë të fiksuar pas kafshëve ose lodrave si trena, kuba etj. Nëpërmjet TV ose videove që ju përzgjidhni, ju mund ta njihni fëmijën tuaj me këto dhe më pas t’i provoni në jetën reale. Psh ju mund të shikoni një video me dokumentarin “Animal Planet” dhe më pas mund të bëni një udhëtim në kopshtin zoologjik ose në një dyqan kafshësh, që fëmija t’i shohë konkretisht.

TV dhe video mund të krijojnë një lidhje midis botës së brendshme dhe të jashtme

Shumë fëmijë me autizëm jetojnë brenda “botës” së tyre. Një nga sfidat më të mëdha me të cilat, përballen prindërit është gjetja e mënyrave për ta përfshirë fëmijën në botën reale. Shumë “botë” televizive kanë mjedise të botës reale, që ju dhe fëmija juaj (nën kujdesin tuaj), mund të zgjidhni të vizitoni. Psh keni parë një film ose dokumentar me një tren, ju mund të bëni një shëtitje me të, në jetën reale.

TV ofron një pushim shumë të nevojshëm si për prindërit dhe për fëmijët

Pas ditës se lodhshme të punës apo angazhimeve të tjera që ju mund të keni, qëndrimi para ekranit për të parë diçka, është një mënyrë çlodhëse. Shumë prindër në prani të fëmijëve mund të zgjedhin të shohin filma, ose emisione të ndryshme për tu çlodhur dhe argëtuar. Por, duhet pasur kujdes se ajo çfarë zgjedhin të shohin, duhet të jetë e përshtatshme, edhe për fëmijët e tyre.

Koha televizive mund të forcojë marrëdhënien prind- fëmijë ose kujdestar-fëmijë

Shumë prindër pjesën më të madhe të kohë e kalojnë në punë ose me angazhime të ndryshme, që ata mund të kenë. Shpesh mbetet një pjesë e vogël për ta kaluar me fëmijët. Edhe pse këshillohet, që gjëja më e mirë që mund të bëni për fëmijët tuaj, është të kaloni kohë me ta. Jo gjithmonë, prindërit munden. Atëherë, momente të tilla kur mund të jeni pranë ekranit për parë diçka, mund të shërbejnë si momente të mira, për t’i shprehur dashurinë fëmijës suaj. Ju mund të qëndroni të përqafuar me njëri tjetrin ose mund ta mbani në prehërin tuaj. Këto momente të qeta, fizikisht intime, mund të jenë po aq të rëndësishme për zhvillimin e fëmijës suaj, sa dhe loja ndërvepruese.

TV dhe videot mund të stimulojnë ide dhe terapi

Ndjekja e TV ose e videove të ndryshme, ndihmon për të krijuar ide se si ju mund të luani apo mësoni fëmijën tuaj. Psh, ju mund të shikoni një video sesi nëna bashkë më fëmijët krijojnë mjete shkollore nëpërmjet produkteve të riciklueshme. Ju mund të bëni të njëjtën gjë me fëmijën tuaj. Psh mund të krijoni një mbajtëse lapsash më letër, karton, mbajtësen e letrës higjenike, kopsa etj. Në këtë mënyrë ju zhvilloni edhe terapi me fëmijën tuaj. E angazhoni atë në punë, nxisni aftësitë kognitive të fëmijës, për të menduar sesi ta bëni, forconi aftësitë motorrike duke prerë letrën, ngjitur kopsa etj.

Fëmijët me ÇSA lidhen intensivisht me lodrat në jetën reale, të cilat i shohin edhe në videot ose TV

Fëmijët me autizëm kanë shumë gjasa të gjejnë rehati dhe kënaqësi të vëretë në lodrat që lidhen me videot e tyre të preferuara. Ato lodra mund të bëhen një burim i mrekullueshëm terapie. Psh fëmija mund të shohë një video se si lidhen emocionet me emojit përkatëse. Këtë ju mund ta praktiktoni edhe vetë, duke përgatitur emojit sipas emocioneve dhe t’i lidhni me fjalët psh i gëzuar me emojin, që shpreh gëzim.

Mësimdhënia dëgjimore dhe vizuale është ideale për fëmijët autikë

Fëmijët me autizëm mësojnë më shumë duke parë vizualisht ose duke dëgjuar në mënyrë auditive. Shikimi i TV ose i videove e ndihmon fëmijën të ndërtojë aftësi ose njohuri që përdoren në shkollë ose komunitet. Psh nëse ai shikon një dokumentar për zogjtë, e ka më të lehtë ta kuptojë, kur mëson në shkollë për zogjtë, si shpendë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top