Nga Ejona Grozha, psikologe ligjore
Rritja e nivelit të vetëdijes ku përballen gratë tregon të duhet të merren masa për të bërë të ditur se ekzistojnë forma të dhunës ndaj grave, si: dhuna në familje (dhuna psikologjike, fizike dhe seksuale), përndjekja, dhuna seksuale (përfshirë përdhunimet), martesa e detyruar, gjymtimi i organeve gjenitale të grave, sterilizimi i detyruar, aborti i detyruar dhe ngacmimi seksual, dhe të sugjerojë se çfarë mund të bëjnë individët për ta parandaluar atë apo për të ndihmuar gratë dhe vajzat në rrezik. Kjo tregon se duhet të hiqet çdo tabu rreth dhunës në familje, se ajo nuk është vetëm çështje private dhe se dhuna në familje prek familjet në të gjitha shtresat e shoqërisë.
Natyra gjinore e dhunës në familje si dhunë e burrave ndaj grave në kontekstin intim, duhet të theksohet po aq sa efektet e saj te fëmijët. Meqenëse është e njëjtë për shtetet palë që të zbatojnë konventën për të gjitha viktimat e dhunës në familje (abuzimi i fëmijëve/moshuarve, burrat si viktima), i takon secilit shtet anëtar të vendosë për aktivitetet e vetëdijesimit për këto forma të dhunës.
Dhuna ndaj grave është manifestim i marrëdhënieve historikisht të pabarabarta të pushtetit midis grave dhe burrave, të cilat kanë çuar në dominim dhe diskriminim të grave nga burrat. Dhuna është fenomen shoqëror. Ajo lind, riprodhohet dhe mbahet brenda rendit shoqëror dhe nga normat dhe praktikat shoqërore.
Burrat që përdorin dhunën nuk janë të dhunshëm për ‘nga natyra’; ata bëhen të dhunshëm përmes socializimit dhe ndërveprimit shoqëror, andaj ata mund ta ndryshojnë sjelljen e tyre. Kjo tregon që dhuna ndaj grave mund të parandalohet nëse ndërhyrjet adresojnë gamën e faktorëve që e nxisin ose e mundësojnë atë.
Raportet e monitorimit përmbajnë informacione thelbësore për nivelin e reagimit të shtetit ndaj dhunës ndaj grave, përmes legjislacionit, politikave, shërbimeve, mbledhjes së të dhënave dhe masave parandaluese, përfshirë edhe vetëdijesimin. Ndryshimet në qëndrime dhe sjellje kërkojnë masa të mëtejshme, fushata ose programe vetëdijesimi të cilat mund të ndihmojnë për “thyerjen e heshtjes” dhe të kontribuojnë në të kuptuarit se dhuna ndaj grave është çështje publike, e cila duhet të adresohet nga qeveria dhe shoqëria në tërësi.
Sigurimi i informacionit të saktë në lidhje me format dhe mbizotërimin e dhunës si dhe ndikimin te fëmijët, është një hap i parë dhe thelbësor dhe mund të ndihmojë në shpërbërjen e miteve dhe rritjen e të kuptuarit të atyre që preken nga dhuna, si dhe të “soditësve”, dhe ofrimin e sugjerimeve se si të ndërhyhet dhe të sfidohet dhuna dhe qëndrimet që e falin atë. Vetëdijesimi për mjetet juridike dhe mjetet e tjera ekzistuese dhe shërbimet mbështetëse mund të ndihmojë në inkurajimin e viktimave të kërkojnë mbështetje dhe kompensim dhe keqbërësve që të kërkojnë trajtim. Ato duhet të adresojnë jo vetëm efektet, por edhe rrënjët e problemit të dhunës ndaj grave: pabarazinë gjinore dhe diskriminimin, si dhe normat dhe stereotipet që tolerojnë dhe mbështesin dhunën ndaj grave.
Duhet siguruar që mesazhet të jenë të përshtatshme për kontekstin kombëtar/lokal është thelbësor, si në lidhje me llojin e pamjeve, ashtu edhe në lidhje me referencat kulturore dhe faktorët e tjerë të rëndësishëm. Në disa kontekste kombëtare/lokale mund të jetë më e pranueshme se në vende të tjera të përdoren imazhe grafike. Mesazhet që shpalosin fakte të sakta mbi dhunën ndaj grave mund të rrisin vetëdijesimin për këtë çështje dhe të ndihmojnë thyerjen e miteve dhe koncepteve të gabuara.
Është shumë e rëndësishme të shmangen mesazhet që përmbajnë informacione të pasakta, që përjetësojnë mitet ose që krijojnë frikë joproporcionale. Për shembull, në vendet ku shkalla e dënimit për përdhunim është shumë e ulët (siç është në të gjitha vendet evropiane), një mesazh që u drejtohet burrave duke u thënë se përdhunimi do të çojë në burgosjen e tyre është jo i duhur dhe si rrjedhojë edhe i padobishëm. Ngjashëm dhe mesazhet që paralajmërojnë gratë e reja për rreziqet e dhunës seksuale të lidhura me sjelljen e tyre kur shoqërohen në bare ose klube janë kundërproduktive, pasi ato vendosin përgjegjësinë te viktimat e mundshme, më tepër se te kryesit e veprës.
Mesazhet duhet të ofrojnë informacione të sakta mbi format e dhunës, përhapjen e saj, pasojat dhe mjetet juridike, si dhe mbështetjen e disponueshme për ata që janë prekur dhe duhet të propozojnë ndonjë formë veprimi që mund të ndërmerret. Një thirrje për veprim në kontekstin e një nisme vetëdijesimi, për shembull, mund të: inkurajojë viktimat të flasin ose të kërkojnë ndihmë (telefononi ndihmën, vizitoni faqet e internetit ose një qendër këshillimi) dhe t’i shfrytëzojnë mjetet juridike në dispozicion; të inkurajojë të pranishmit të intervenojnë dhe ta ngrenë zërin kur janë dëshmitarë të dhunës; inkurajojë qytetarët të mbështesin një propozim të ri ligjor ose zbatimin e legjislacionit ekzistues.
Kanalet klasike të marketingut përdoren shpesh në fushata sensibilizuese. Njoftimet për shërbime publike në TV, radio ose në media të shtypura janë shumë të popullarizuara, siç janë posterët reklamues në hapësira publike (tabelat në sheshet kryesore, stacione të autobusëve, trenave, etj.), shpërndarja e fletëpalosjeve, kartolinave. etj. Një zgjidhje tjetër mund të jetë eksplorimi i mediave origjinale, alternative për të përhapur mesazhe vetëdijesimi.
Personalitete të famshme që kanë ndikim në një audiencë të caktuar mund të ndihmojnë për të ngjallur interesimin për një mesazh në media. Kur synoni adoleshentët, përfshirja e këngëtarëve pop ose aktorëve të njohur si zëdhënës mund të jetë mënyrë efektive për t’i arritur ata.
Parlamentarët dhe përfaqësuesit e lartë të qeverisë gjithashtu mund të luajnë rol të rëndësishëm në përhapjen e mesazhit në elektoratin e tyre, te kolegët e tyre, etj.
Ekspertët, siç janë hulumtuesit ose praktikuesit mund të jenë bartësit më të mirë të porosive për audienca të tjera. Përdorimi i tregimeve dhe dëshmive individuale të njerëzve të prekur nga dhuna (viktima, autorë të dhunës, anëtarë të familjes dhe të tjerë) mund të jetë një mënyrë e fuqishme për të përcjellë një mesazh.
Megjithatë, kur vendoset të punohet me dëshmitë nga viktimat ose që kanë të bëjnë me to, është e rëndësishme që aspektet etike të merren në konsideratë si prioritet.
Merret në konsideratë dobia e mediave (sociale) për vetëdijesim mund të luajnë rol të rëndësishëm në përjetësimin e miteve, stereotipeve dhe përhapjen e përmbajtjeve seksiste dhe të dhunshme ose qëndrimeve që e lejojnë dhunën. Po ashtu mund të jetë hapësirë ku gratë dhe vajzat bëhen caqe të formave të reja të dhunës, siç janë përndjekjet në internet. Kur të shqyrtohet përdorimi i mediave (të reja) në vetëdijesim, këta faktorë duhet të adresohen.
Mediat duhet të bëhen “pjesë e zgjidhjes”, e jo “pjesë e problemit”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.