FB

March 30, 2021 | 8:45

A duhet të vrapojmë për të rritur fëmijët?

 

Prindërimi është një nga detyrat më të vështira. Kërkohen shumë elementë që të bëhen bashkë për të ndërtuar një marrëdhënie të shëndetshme, e cila duhet të ndihmojë gjithashtu për mirërritjen e fëmijës. Një tematikë interesante na sjell psikologia në qytetin e Lezhës, Pranvera Paplekaj. Fokusi i shkrimit të saj ka të bëjë me mbipërkushtimin e prindërve, aq sa në vrapin për t’i frenuar ata drejt pasigurive, i shtyjnë më shumë drejt tyre.

1

Nga Pranvera  Paplekaj (Martinaj), Psikologe në Lezhë

 

Në çdo ambient që ne shkojmë, aty ku shohim fëmijë me prindër apo të rritur që i shoqërojnë, nëse shohim me vëmendje, do vëmë re jo pak prindër aq të kujdesshëm, prindër të një modeli, që për mendimin tim nuk është aspak e shëndetshëm për asnjërën palë që të jenë të tillë. Edhe pse në pamje të parë, për pjesën dërrmuese të njerëzve duken të jenë të tillë, këta janë prindërit apo kushdo tjetër i rritur qoftë, që vrapojnë pas fëmijës. Vrapojnë pa qenë aspak e nevojshme të vrapohet.

Ndodhesh në park dhe të rastis çdo ditë të shohësh fëmijë me sjellje shumë normale që argëtohen dhe luajnë duke vrapuar vetëm, me shokë, me lodrat ose objektet e tyre. Por, nga ana tjetër, shohim jo pak prindër duke vrapuar pas tyre, të frikësuar dhe duke e shprehur frikën e tyre edhe verbalisht në format më të papërshtatshme të mundshme, si p.sh: “Mos shko atje, Klea! Ndalo, ndalo, të lutem, mos aty, mos atje, mos vrapo, hajde afër meje, shpejt këtu se po ike larg meje do të të marrë gogoli, të merr hajduti, do të të zërë makina, do të të dali gjaku dhe do të shkojmë tek doktori, (në këtë rast nënkuptohet që doktori fëmijës i është përshkruar si të jetë një përbindësh), hajde këtu se ika e të lashë vetëm…”. Ndërkohë fëmija për momentin i injoron të gjithë këto thënie të të rriturit dhe vazhdon lojën i qetë.

Madje shpesh, fëmijët e këtyre prindërve i provokojnë shumë herë prindërit e tyre edhe me sjellje të rrezikshme, p.sh, sikur po hidhen në ujë, sikur po i dalin makinës përpara, etj. Mund të shtrohet pyetja: -Përse e bëjnë këtë? E bëjnë sepse emocionalisht ata ndihen dhe janë shumë të sigurtë, se me shpejtësinë e erës, prindin (shpëtimtarin e çdo situate) e kanë nga pas. Një shpëtimtar që ndodh të mos i besojë as procesin e të ushqyerit fëmijës, nipit, mbesës së tij. Si pasojë ka shumë gjasa që këta fëmijë të mbarojnë edhe ciklin e ulët dhe ende të mos lejohen të marrin mundimin të ushqehen vetë.

A duhet të jetë i pranishëm i gjithë ky “kujdes” në jetën e një fëmije? Kujt i shërben: prindit, fëmijës apo asnjërit? Si specialiste e fushës, mendoj se ky kujdes, që vetëm kujdes nuk meriton të quhet, se prindërit apo të tjerët që kujdesën në këto forma për fëmijët, sidomos ata në fëmijërinë e hershme, jo vetëm që nuk janë shpëtimtarët e tyre, siç ata e mendojnë, por mundet lehtësisht që kur ata të rriten, të jenë shkaku kryesor i dështimit të tyre për të çarë në jetë.

Përse? Sepse më vonë këta fëmijë do të jenë të rritur pa vetëbesim, si pasojë nuk do ta ndiejnë veten të aftë për t’ia dalë mbanë vetë. Arsyeja kryesore e këtij mosbesimi do ta ketë origjinën tek mosbesimi në fëmijërinë e tyre nga njerëzit më të shtrenjtë të jetës, (prindi, gjyshërit, vëllezërit, motrat etj,).

Prindër dhe të rritur, kujdes “kur prindi nuk i besoi se nuk do mund të ringrihet pasi të rrëzohej në parkun e lojërave, ku ishte i tërë ambienti vetëm fushë, në ditën për diell, cili do të jetë ai i huaj që do i besojë fëmijës tënd se tashmë do kalojë malin, kodrat në muzgun e mbrëmjes?!

Lërini fëmijët të rritën të lirë, lërini ata të marrin përgjegjësi që në lindje, ata që në momentin e ngjizjes kanë përgjegjësi, ata lindin me aftësi, ata janë të aftë të shikojnë, të dëgjojnë, të thithin, të gugasin, të lëvizin. Janë të aftë të ndiejnë.

Mos ik dhe mos e lër as pesë sekonda vetëm fëmijën në shtëpi, kur gazin e ke lënë ndezur! Kurrë mos e bëj! Mos ia lësho dorën përgjatë rrugës së makinës, mos ia beso trevjeçarit vëllain ose motrën më të vogël, mos e lër kurrë në vaskën e ujit vetëm, mos e ushqe me forcë, mos ia ndaj sytë për asnjë sekondë gjatë kohës që jeni duke shijuar bregdetin!

Por të lutem, në mes të lulishtes, në mes të oborrit të shtëpisë, të shkollës, në mes të parkut të lodrave, në mes të shokëve dhe shoqeve, në mes të trotuarit, përpara syve të tu, besoja jetën vetë atij.

2

Lëre atë t’i përballojë vetë vështirësitë (të rrëzuarën, të ngriturën vetë, të qarën, grindjet me bashkëmoshatarët, të ndjerit i mërzitur, të ndjerit fajtor, këmbëngulës për të arritur qëllimin etj., sepse vetëm kështu ai do mësojë të ringrihet vetë. Një fëmijë, edhe dyvjeçar në qoftë, me të rriturit e tillë pranë, nëse rrëzohet duke vrapuar, ai qëndron aty pa lëvizur, madje edhe nëse nuk i vjen për të qarë, do fillojë të qajë për të marrë vëmendjen e të rriturit. Si pasojë, as që do e marrë mundimin të ngrihet, sepse është mësuar dhe është plotësisht i vetëdijshëm se vjen “ndihma e shpejtë” (prindi), në të qindtat e sekondave. Pastaj prindi përfundon i bindur me mendimin se “fëmija im është më i vështiri nga të gjithë, ‘o Zot sa më lodh ai mua, më shkatërroi, as të ushqehem nuk më lë” dhe vjen për të kërkuar ndihmë tek psikologu, dhe nëse psikologu është vërtet profesionist, do dijë ta orientojë se ku qëndron problemi i vërtetë tek fëmija apo tek prindi.

Duke qenë se jemi në pandemi, ka jo pak raste që fëmijë të këtyre prindërve, të ndodhur nën kujdesin e tepruar të prindërve të tyre, mund të kenë me muaj të tërë që mungojnë fizikisht në shkollë, nga ideja se fëmija do t’u ssmurët, do të marrë Covid, dhe mbase nuk do të mund ta përballojë. Nga literatura të shumta dhe përvoja e punës time të përditshme si psikologe, dëshmohet qartë se pasojat psikologjike të fëmijëve që kanë prindër të tillë mund të jenë të shumta. Edhe gjatë kohës që janë fëmijë, por edhe kur të rriten, p.sh, një nga pasojat e hasura më shpesh janë problemet me çrregullimet e ndryshme të ankthit.

Është shumë e mundshme që nga ky kontroll dhe kujdes i tepërt, kur të rriten, tek këta persona të zhvillohet çrregullimi Obsesiv Kompulsiv, Ankthi Social, Ataket e Panikut, Depresioni, Probleme të theksuara me vetvlerësimin etj,.

Është e kuptueshme dhe e vërtetuar që prindërimi është një nga rolet më të vështira në jetë, për të mos thënë më i vështiri, por nga ana tjetër duhet të kuptojmë dhe të vetëbindemi se çdo gjë e tepruar mbetet e tillë dhe s’ka si të jetë e mirë. Fëmija kërkon kujdes shumë të madh dhe të pandërprerë, por atij domosdoshmërish i duhet të zhvillojë edhe kujdesin ndaj vetes

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top