Editorial

February 9, 2017 | 10:21

A duhet t’i japim fëmijëve ushqim me vete? Të bërë në shtëpi apo rrugëve?

Mëngjesi i sotëm më la një shije të hidhur. Jo se pak herë nëpër rrugët e qytetit tim nuk ndesh raste për të mos u vënë re, apo për të mos mbetur gjatë në kujtesë. Por mëngjesi i kësaj të enjteje ishte si një revoltë që më erdhi nga brenda për të reaguar.

Kujdesi ndaj fëmijëve është një normë individuale në radhë të parë për çdo prind, një detyrim moral e shpirtëror mbi të gjitha, një përkushtim absolut që nuk mund të matet.

Nga Orjona Tresa

Nga Orjona Tresa

Teksa hidhja hapat për të shkuar në punë, pas shpinës time dëgjoj ankesat e një fëmije të ciklit të ulët, i cili i revoltuar ndaj nënës, këmbëngulte që ajo t’ia ndryshonte vaktin e tij ushqimor. Fëmija ngrinte zërin, duke kërkuar që ushqimi i tij shkollor të mos ishte i njëjti që prej fillimit të shkollës. Ai përpiqej që me tonalitetin e zërit t’ia arrinte qëllimit. Ushqimi, që mesa kuptova ishte diçka e shpejtë mëngjesore pranë furrës së afërt të shtëpisë, vogëlushit i kishte ardhur në majë të hundës e nuk mund ta shijonte më. “Nuk më pëlqen më o ma byreku me gjizë që më blen çdo mëngjes. Dua diçka tjetër”, ankohej djali, duke marrë një përgjigje të thatë dhe nxituese nga nëna e tij, (e cila ndihej që kishte merakun mos bëhej vonë për në punë), se nuk kishte asnjëherë me spinaq a diçka tjetër. Kështu vijoi udhëtimi ynë i heshtur deri në fund të kryqëzimit ndarës të rrugës që na lidhi disa metra.

foto-shkolleKjo ndjesi me nota përjetimi të larta, më la atë shijen e thatë në gjuhë, përgjigjen e së cilës nuk mund t’ia jepja dot aty për aty nënës së atij fëmije. Kjo për të ruajtur dhe respektuar lirinë e tjetrit. Por sa raste të tilla ndeshim e dëgjojmë çdo ditë, ku ka prindër që nuk munden t’u vendosin fare ushqim me vete fëmijëve për shkak të kushteve sociale, ngarkesës fizike që ata kanë në oraret e punës, por dhe ekstremit tjetër, kur u mbushin xhepat me kartëmonedha të gjelbra, duke ç’ekuilibruar një marrëdhënie që fëmija duhet të ketë me paranë në këtë moshë. Sa e sa të tjera raste…

femije-ne-shkolleAjo që më erdhi ndër mend ishte: në rregull, ti nuk mund t’i japësh dot mëngjes fëmijës tënd për shkak të gjumit tënd apo gjumit të tij, që mezi i del në mëngjes, ti nuk mundesh t’ia bësh bukën nga shtëpia, që ai të mos hallakatet radhëve të mëngjesit për ta marrë në ambulantet e rrugës, ti nuk mund të zgjohesh vetë më herët për t’ia bërë gati gjërat që ai ka nevojë, se ke edhe punë të tjera, por ti mundesh një natë më parë të mos biesh në shtrat pa ia lënë gati çdo gjë fëmijës tënd. T’ia përgatisësh ushqimin e shëndetshëm e të kontrolluar nga shtëpia, e t’ia vendosësh bashkë me një bidon ujë në çantë, që ai ta shijojë të nesërmen në pushimin e drekës me ndjesinë dhe dashurinë se ia ka bërë mami i vet.

Pa paragjykuar dhe pa dashur të fyej askënd në pozitat e një nëne, gruaje dhe bashkudhëtareje timen në rutinën e përditshmërisë dhe normave shoqërore që na takon secilës, unë mendoj se: përpiquni ta ushqeni fëmijën tuaj para se të dalë në mëngjes nga shtëpia, qoftë dhe një gotë qumësht a lëng frutash, ta ndihmoni të kryejë nevojat personale kur ai është ende i vogël për t’i zbatuar këto rregulla, t’i bëni gjithmonë ushqim me vete, duke e ndihmuar të rritet i shëndetshëm jo vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht. Vëmendja ndaj fëmijës pasqyron dhe reflekton tek ata siguri dhe dashuri!

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com