Psikofakt

October 24, 2017 | 9:46

A e dimë vërtet?

Po, çështja mund të shtrohet edhe kështu : A e dimë vërtet përse kënaqemi kur i bëjmë mirë dikujt, qoftë ky familjar, i afërm, shok, mik, koleg, i njohur, madje, pse jo, i panjohur?

helping hand

 

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Sigurisht, ndodh që t’i bëjmë një të mirë dikujt për arsye pragmatike: kur ia kemi nevojën ose kur na lidh interesi me atë (për shembull, në marrëdhëniet epror-vartës); kur ndihemi borxhli ndaj tjetrit se na ka bërë dikur një të mirë dhe ky borxh moral (nganjëherë deri diku edhe me kumbim material) na bën të ndihemi keq sa herë që e takojmë e komunikojmë me atë (pra, në këtë rast, është çështje sedre, sepse na vret ndërgjegjja që nuk arrijmë të jemi në lartësinë e tij); kur duam ta miklojmë tjetrin dhe, në njëfarë mënyre, ta detyrojmë atë të na e shpërblejë të mirën që i bëjmë me një të mirë pa të cilën rrezikojmë diçka. Në raste si këto, e mira që bëjmë është e përllogaritur, ajo nuk është fryti i një vrulli të dëlirë shpirtëror.

Ata individë që bënin këtë lloj të mire (si, për shembull, kur para se të hysh në kishë ose në xhami, ti i jep lëmoshë një lypësi për të dalë pas pak përpara priftit ose hoxhës, pra, edhe përpara Perëndisë, me ndërgjegje të larë e të shpëlarë se ke bërë një gjest bamirësie), filozofi francez Jean-Paul Sartre i quante qelbësira. Një krejt tjetër lloj të mire kemi kur, në mënyrë të vetvetishme, i bëjmë dikujt një të mirë sepse, duke ndier dhembshuri për atë, e nxjerrim nga një situatë e vështirë. I bëjmë, pra, atij një të mirë të pakushtëzuar nga nevoja apo interesi, madje edhe duke harxhuar kohë e energji jashtë çdo pretendimi për shpërblim.

Në këtë rast, vepron tek ne mekanizmi i empatisë. Gjithsesi, në këtë drejtim duhet saktësuar diçka: qëllon, madje jo rrallë, që, thellë në pavetëdijën tonë, na pëlqen që tjetri të na shprehë mirënjohje, sepse e shohim veten në qendër të vëmendjes, duke rënë deri diku pre e egocentrizmit. Dikur kishte njerëz, sidomos në vendet anglo-saksone, që e kishin bezdi t’i falënderoje gjatë e gjerë për një të mirë që të bënin, sepse edukata që u kishin dhënë prindërit dhe shkolla ua ndalonte ta vinin tjetrin në pozitën e borxhliut, ngaqë kjo rrezikonte të zhvillonte tek ata prirje egocentrike. Madje, gentëllmenët e vërtetë anglezë ndiheshin në siklet kur u duhej t’u përgjigjeshin falënderimeve që u drejtoheshin atyre.

Sidoqoftë, bamirësia e konceptuar si virtyt duhet shoqërur me modesti të sinqertë, madje, me përulësi, këtë e nënvizonte që në shekullin XVI filozofi francez Michel de Montaigne kur shkruante se ai i cili i bën një të mirë dikujt, duhet t’i jetë mirënjohës këtij që e pranon të mirën e bërë. Diçka të ngjashme përmendte edhe përkthyesi Jusuf Vrioni në bisedat e tij kur tregonte rastin e një të burgosuri politik në Shqipërinë e diktaturës komuniste, i cili dëshironte të pasurohej sa më shpejt me të dalë nga burgu në mënyrë që të kishte mundësi t’u bënte vetëm mirë gjithë nevojtarëve.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top