Në fokus

March 13, 2016 | 8:00

A ekziston gjeni përgjegjës i të qenit “nënë e keqe”?

elona

Sipas një studimi shkencor në Universitetin e Virxhinias, femrat zhvillojnë një bashkësi neuronesh mëmësore që në tru përkthehen në qeliza “nëna të mira”/“nëna të këqija”. Studiuesit amerikanë janë në përpjekje për të luftuar dilemën nëse gjenet e “nënave të këqija” mund të zbulohen dhe nëse sjelljet neglizhente apo abuzive mund të shmangen njëherë e mirë. Sot studiuesit po përdorin teknikat e skanimit të trurit dhe kanë identifikuar qelizat e krijuara gjatë shtatzënisë dhe që aktivizohen pas lindjes. Ato janë të lidhura me faktin e të qenit i prirur për të gëzuar statusin e një prindi me sjellje të mira apo të këqija. Një nga profesorët e këtij studimi të rëndësishëm, Craig Kinsley, shpjegon se këto neurone mëmësore duhet të jenë aktive që “një nënë të jetë një nënë e mirë!”. Studimi doli në një përfundim që mbetet akoma një dilemë: Se nënat që zotërojnë pak nga gjenet mëmësore kanë tendencën për të qenë neglizhente dhe abuzive me fëmijët e tyre. E megjithatë, duhet theksuar se ky hulumtim është ende i kufizuar në studime vetëm mbi gjitarët dhe brejtësit. Teknika të ngjashme mund të përdoren së shpejti edhe tek nënat e racës njerëzore për të identifikuar sjelljet e mira apo të këqija, por një përpjekje e tillë mbetet ende shumë e diskutueshme. Disa shkencëtarë mendojnë se sjellja është e ndikuar nga truri, por njëkohësisht edhe nga mjedisi, e për rrjedhojë është e mundur që të jesh një nënë e mirë me gjene të këqija dhe një nënë e keqe, e cila mund të zotërojë gjene të mira!

A ekziston vërtet instinkti mëmësor?

Pa instinktin mëmësor, a jam një nënë e keqe? E paaftë për të komunikuar me beben e saj, nëna e re fajëson vetveten nga frika e të qenit një “nënë e keqe”. Kudo, e thënë me zë të lartë dhe me shumë vendosmëri, besojmë një të vërtetë të palëkundur: Mëmësia do të jetë një nga ngjarjet më të lumtura në jetën e një gruaje…! Një përmbushje natyrale në emër të të ashtuquajturit “instinkti mëmësor”. E pavarësisht kësaj, nëna nuk lindim, por bëhemi… Instinkti mëmësor nuk ekziston! Është përgjigjja që i bashkon në unanimitet një psikolog, një antropolog dhe një neurobiolog. Françoise Heritier, antropolog. “Dashuria mëmësore është një produkt mendor dhe social” Termi instinkt, në kuptimin e tij më të ngushtë, supozon se ne jemi të udhëhequr nga një lloj sjelljeje që është e lidhur me racën tonë. Kjo është e vlefshme për kafshët dhe jo për njerëzit. Sepse njeriu ka ndërgjegje, ndjenja dhe vullnetin e lirë… Pra, bëhet fjalë për vullnetin dhe dëshirën e mirë dhe jo për instinktet. Për një vullnet, i cili në momente të caktuara edhe mund të mungojë. Të vendosësh të kesh një fëmijë në shumicën e rasteve është fryt i vullnetit për t’u riprodhuar, për të transmetuar dhe për të dhuruar një jetë të re. Minimumi deri në moshën 7-vjeçare fëmijët kanë nevojë për kujdesin e prindit. Janë të varur tërësisht nga kujdesi prindëror, ndryshe nga speciet e tjera. Bëhet fjalë pikërisht për takimin midis vullnetit për t’u riprodhuar dhe nevojës për mbrojtje që mund të zhvillojnë marrëdhëniet midis nënës dhe bebes së saj. Marrëdhënie që karakterizohen nga prezenca e emocioneve të forta, por që nuk përbëjnë ato që quhen instinkte. Instinkti mëmësor nuk ekziston, ose më saktë nuk lind me gruan. Por mund të zhvillohet gjatë jetës së saj… Maryse Vaillant, psikologe. “Ndjenja mëmësore është fryt i pjekurisë psikike te nënat e reja” Eksperienca klinike ka vërtetuar se instinkti mëmësor nuk ekziston në kuptimin e instinktit të lindur, të përcaktuar në gjene dhe që të gjitha femrat duhet ta kenë në momentin e lindjes si në rastin e gjitarëve të tjerë. Si tek çdo qenie njerëzore, nëna e re është e komanduar nga vetëdija, historia e saj personale, historia e nënës dhe e femrave të tjera në familjen e saj. Dëshira për të pasur fëmijë lidhet me të kaluarën e saj, me marrëdhënien e ndërtuar me babanë dhe nënën e saj, sesa me projektimet që mund të ketë bërë për të ardhmen. Bazuar në këtë logjikë, nuk kemi të bëjmë me instinktin në vetvete, por me një pjekuri psikike që i ndodh çdo nëne të re. Nuk bëhet fjalë për ndjenja instiktive, edhe pse një femër mund të ndjejë për fëmijën e saj që në lindje dashuri, dhembshuri, butësi, por ekziston një lidhje e fortë me një veçanti personale. Ndenja mëmësore është një përpunim i thellë psikik, shpesh impulsiv dhe i paarsyeshëm. Por mbi të gjitha rezultat i një historie personale, i nënës dhe marrëdhënies së saj me mëmësinë, sesa direkt e lidhur me fëmijën. Catherine Vanier, psikoanaliste. “Nuk duhen ngatërruar instinkti dhe dashuria mëmësore” Tek qeniet njerëzore, çështja e instinkteve kalon në plan të dytë. Pavarësisht kësaj, instinkti mëmësor është i ngulitur në historinë e çdo gruaje dhe po ashtu mundësia e lidhjes afektive të shpejtë me beben e saj. Dashuria mëmësore nuk është e lindur, por njëkohësisht nuk është një sjellje që mund të mësohet. Ne e zotërojmë atë ose jo. Kjo dashuri ndërtohet që në fëmijëri, deri në momentin kur femra është shtatzënë dhe mund të vazhdojë edhe më pas. Nëse një nënë përballet me vështirësi për të krijuar lidhjen me beben e saj, ajo duhet të pyesë pa drojë dhe të shpjegojë ndjesitë e saj. Nënat e këqija nuk ekzistojnë. Ka vetëm nëna, të cilat ndjejnë vështirësi dhe pengesa për t’u lidhur me beben për shkak të historisë së tyre në të shkuarën. Njerëzit e ngatërrojnë dashurinë mëmësore me instinktin mëmësor. Është shoqëria njerëzore që beson se nënat duhet domosdoshmërisht të jenë të mira, sepse ne projektojmë figurën e Shën Mërisë, figurën e nënës së plotësuar.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top