Psikofakt

March 14, 2016 | 6:10

Moda dhe ne

MondiNga Edmond Tupja

“Shpesh, madje shumë shpesh, në jetën tonë të përditshme dëgjojmë shprehje të tilla si “është në modë”, “i dalë mode”, “përsëri në modë”, “ndjek modën”, “skllav i modës” etj. etj.; madje, në kohën e regjimit komunist tek ne – këtë e dëshmon edhe Fjalori i gjuhës së sotme shqipe (Tiranë, 1980) –, përdorej shprehja “modë e huaj”, të cilën ky fjalor, në faqen 1160, e shpjegon kështu: “Modë e huaj mënyrë veshjeje, sjelljeje etj. që është në kundërshtim me normat e me shijet e shoqërisë socialiste”, kurse shprehjen “parade mode” te fjala “paradë”, në faqen 1358, e jep të shoqëruar me shtesën “(në vendet kapitaliste)”.

Sot, më se njëzet vjet pas rënies së regjimit në fjalë, koncepti dhe realiteti “modë” kanë ndryshuar rrënjësisht, për pasojë, togfjalëshi “modë e huaj” dhe shtesa shoqëruese “(në vendet kapitaliste)” janë zhdukur nga i njëjti fjalor (sigurisht i çideologjizuar, i pasuruar dhe i ribotuar disa herë, së fundmi në vitin 2006). Sot dukuria “modë” prek të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore në botë, pra, edhe tek ne: një veshje, një parfum, një tip letërsie, muzike a pikture ose edhe një rrymë filozofike e caktuar janë në modë, pastaj u shkon moda, kthehen sërish në modë. Madje, disa mendojnë se nuk ekziston një modë e vetme, por disa moda njëherësh; të tjerë mëtojnë se është më e saktë të flasësh për tendenca, prirje modash. Sidoqoftë, duke u vendosur përtej debateve estetike në këtë drejtim, dukuria që bie mjaft në sy është se njeriu modern, i qytetëruar, ai i epokës së globalizimit, anon të jetë, deri diku, sigurisht, dhe me nuanca të veçanta sipas vendit e kontinentit, shtresës shoqërore dhe formimit të tij kulturor, viktimë e modës/modave/tendencave të modës. Viktimë – hera herës edhe skllav – për dy arsye apo shkaqe: ose ngaqë drogohet me ‘modë”, ose sepse druan, qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme, se mos duket qesharak, se mos stonon duke mbajtur rroba, duke lexuar libra, duke dëgjuar këngë apo duke parë filma të “dalë mode”.

Kjo rezulton të jetë e vërtetë pavarësisht rëndimit të kushteve të krizës së sotme botërore: sipas një ankete të kohëve të fundit, të gjitha prodhimet materiale apo kulturore që lidhen me modën/modat/tendencat e modës vazhdojnë të shiten, të përdoren edhe kur buxheti i gjithësecilit e bën të vështirë ose thjesht nuk e lejon këtë.

Proverbi “Shtriji këmbët sa e ke jorganin”, me shumë gjasë, ka dalë ose po del jashtë mode jo sepse njerëzit, për shkak të ngrohjes globale, po i përdorin gjithnjë e më pak jorganët, por sepse, në epokën e blerjeve me kredi, mund ta ndjekësh modën përtej mundësive të tua financiare, veçse jo pafundësisht, sepse proverbi “Dardha e ka bishtin prapa” nuk del kurrë jashtë mode, sidomos tani, në epokën e OMGJ-ve, ndër të tjera.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top