Në rrugëtimin e jetës, kërkimi për lumturi është një nga qëllimet më të përbashkëta të qenieve njerëzore. Të gjithë dëshirojmë ta ndjejmë atë ndjesi të brendshme të kënaqësisë, përmbushjes dhe paqes. Shpesh, kërkojmë lumturinë në gjëra të jashtme si: suksesi, pasuria, marrëdhëniet, apo arritjet personale. Megjithatë, studime të shumta dhe përvoja personale na tregojnë se burimi më i qëndrueshëm i lumturisë mund të jetë diçka shumë më e thjeshtë dhe e thellë: Mirënjohja.
Çfarë është mirënjohja?
Mirënjohja është ndjesia e të vlerësuarit për gjithçka që kemi në jetën tonë, qoftë e madhe apo e vogël. Është aftësia për të parë bukurinë në të përditshmen, për të ndjerë falënderim për njerëzit, ngjarjet dhe mundësitë që na rrethojnë. Kur praktikojmë mirënjohje, ne zgjedhim të fokusohemi te aspektet pozitive të jetës, edhe në mes të sfidave apo vështirësive. Mirënjohja nuk është mohim i problemeve, por një mënyrë për t’i dhënë peshë atyre gjërave që na japin forcë dhe gëzim. Mirënjohja ndikon në lumturinë tonë në:
-Ndryshimin e perspektivës: Shpesh, ne përqendrohemi në atë që na mungon ose në vështirësitë që na dalin çdo ditë. Mirënjohja na ndihmon të zhvendosim vëmendjen nga mungesat tek bollëku, nga shqetësimet tek mundësitë. Kur fillojmë të shohim të mirat që na rrethojnë, ndiejmë një ndjenjë të madhe përmbushjeje dhe kënaqësie. -Forcimin e marrëdhënieve: Kur shprehim mirënjohje ndaj të tjerëve, i bëjmë ata të ndihen të vlerësuar dhe të rëndësishëm. Kjo ndihmon në krijimin e lidhjeve më të forta dhe më të sinqerta, duke përmirësuar cilësinë e marrëdhënieve tona, qoftë me familjen, miqtë apo kolegët. Marrëdhëniet e forta dhe mbështetja sociale janë të lidhura ngushtë me lumturinë.
-Reduktimin e stresit dhe ankthit: Praktikimi i mirënjohjes mund të ndihmojë në uljen e stresit dhe të ankthit. Duke e kthyer mendjen drejt aspekteve pozitive të jetës, trupi dhe mendja çlirojnë hormone që promovojnë qetësi dhe stabilitet emocional. Ky proces na ndihmon të përballojmë situatat sfiduese me më shumë optimizëm dhe qëndrueshmëri.
-Rritjen e vetëvlerësimit: Kur mendojmë për mirënjohjen, ne fillojmë të vlerësojmë më shumë edhe veten tonë dhe ato që kemi arritur. Kjo na ndihmon të ndërtojmë një vetëvlerësim më të shëndetshëm, duke e kuptuar se kemi arritur shumë gjëra për të cilat duhet të jemi krenarë, edhe pse jeta mund të mos jetë e përsosur. Mirënjohja nuk është thjesht një ndjesi spontane që shfaqet herë pas here; ajo mund të bëhet një praktikë e përditshme.
Një nga mënyrat më të lehta për të filluar është mbajtja e një “ditari të mirënjohjes”. Çdo ditë, shkruaj tri gjëra për të cilat je mirënjohës. Mund të jenë gjëra të thjeshta si ; një ditë me diell, një buzëqeshje nga një i huaj, apo diçka më e madhe, si mbështetja e një miku të dashur.
Gjithashtu, është e rëndësishme të shprehim falënderimin tonë për të tjerët. Një “faleminderit” i thënë me sinqeritet, një mesazh mirënjohjeje apo një përqafim i ngrohtë mund të ndryshojë marrëdhëniet tona dhe të thellojë lidhjet emocionale me të tjerët.
A është mirënjohja rruga drejt lumturisë?
Për shumë njerëz, përgjigjja është; PO. Kjo praktikë e thjeshtë, por e fuqishme, na ndihmon të shohim jetën nga një këndvështrim i ri, duke na ofruar një ndjenjë të thellë kënaqësie dhe paqeje. Duke qenë mirënjohës për atë që kemi, ne ndalojmë së kërkuari vazhdimisht për diçka më shumë dhe fillojmë të kuptojmë se lumturia nuk është diçka që duhet ta arrijmë; ajo është e pranishme në çdo moment, kur e zgjedhim ta shohim.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.