Editorial

October 10, 2016 | 15:59

A je mirë?

1Nga Rudina Xhunga

Si je? Kjo është fraza që i themi tjetrit për rutinë, pa dashur vërtet të dimë si është. “Si je?”, është pyetja që nuk ia bëjmë kurrë vetes, për mungesë kohe dhe tepricë besimi. Vuajmë nga ankthi mos njerëzit tanë të dashur ikin nga kjo jetë, por as na shkon ndërmend se edhe vetë mund të ikim. Shpenzojmë gjithë energjinë për të gjetur kush i dha kujt, që të fitojë çfarë, në X koncesion check up-i  dhe asnjë orë nga 24, të shkojmë vetë të bëjmë një chek up. Çdo vit. Sa herë të mundemi. Aq më mirë kur është falas. Por edhe duke paguar. Është investimi më i mirë për shëndetin dhe jetën. Kontrolli, parandalimi.

Vjen tetori dhe shumë nga ne bëjnë foto te spitalet private, për publicitet të mamografisë dhe eko-s, fusin kokën në korniza rozë, por vetë nuk hyjnë ta bëjnë një kontroll gjiri. Botojmë në portale, histori aktorësh të famshëm Hollivudi, që ndajnë në publik grimca jete, se si i ikën vdekjes nga një analizë dhe e marrim për publicitet të paguar. Nuk na shkon mendja të shkojmë ta bëjmë edhe ne atë analizë të thjeshtë. Sulmojmë mjekët, ulërijmë për urgjencën, pritjet në ambulanca, ku mjekët shkruajnë “kthehem pas pak” dhe nuk kthehen fare, shajmë e bërtasim, duke u lutur: Mos u kthefshim më kurrë këtu! Por do të shkojmë dhe aty, edhe atje. Është normale dhe natyrale.

Është çështje kohe, por më shumë kontrolli, sa dimë ta mbajmë larg sëmundjen, që ta kontrollojmë dhe të mos na kontrollojë. Nuk mjafton të bëjmë dieta, palestër, joga, vrap nga liqeni, të lëmë cigaren dhe të pimë ujë. Të gjitha ndihmojnë, por nuk shpëtojnë! Kontrolli shpëton! As paratë jo. Mund t’i kesh, por je vonë.

Analizat, edukata jote shëndetësore të ndihmojnë. Në shumicën e rasteve, të paktën. Sepse s’ka asgjë që nuk të jep shenja, po ne nuk kemi kohë të dëgjojmë zërat e trupit, në këtë vrap të pandalshëm drejt suksesit që është aq relativ, drejt parasë që është aq subjektive, drejt dëshpërimit, që nuk është gjithmonë real. Reale, e vërtetë, e jotja, është vetëm jeta, vetëm shëndeti yt, vetëm ti.

Këto javë kam dëgjuar për vdekje të befta, të pabesueshme. E tillë ishte vdekja e Gilman Bakallit, që nuk më besohet akoma, për moshën që kishte dhe lidhjen me natyrën e shëndetin e mirë. Gilmani iku nga një sëmundje tinëzare, po aq fatale sa aksidenti. Po kaq panatyrshëm iku dhe Beni, kryetari i Bashkisë së Kolonjës. 45 vjeç. Një tjetër njeri, anonim për publikun, por i shtrenjtë për një vajzë që punoi, iku papritur nga zemra, që nuk e përballoi dot atakun, për shkak të një diabeti, të cilin as e dinte se e kishte.

Kur ikin njerëz që njeh, bota të bëhet më e vogël, kufijtë më të dukshëm. Në fillim nuk e beson dhe hyn në FB-në e tij, pastaj bëhesh gati ta telefonosh, po ndalon, pastaj e pranon dhe tronditesh. Të nesërmen e përcjellim dhe ti i kthehesh rutinës tënde vrasëse, për mbingarkesën që nuk të lë kohë as të mendosh, as të kujtosh. Harrojmë, harrojmë sa e lehtë është të ikësh. Dimë vetëm sa do vuanim nëse i ndodhte e keqja njerëzve të dashur, por harrojmë sa do i bënim të vuanim me ikjen tonë.

Harrojmë sa i hollë është kufiri që ndan jeta nga mosjeta, sëmundjen nga shëndeti. Harrojmë të kujdesemi për veten, për trupin, harrojmë të bëjmë kontrollin e radhës, si detyrim i parë ndaj jetës. Harrojmë t’i themi vetes, ndalo, merr pak kohë për veten, kontrollohu! Bëj analiza, mos e lër sëmundjen të vijë e të shkojë bashkë me ty! Ke detyrim ndaj jetës tënde, shumë më tepër se ndaj çdo pune, çdo përgjegjësie, çdo feste, çdo statusi në FB.

Kemi nevojë për edukatë shëndetësore

E vetmja mënyrë për t’iu kundërvënë vdekjes, nuk është të bëjmë sikur nuk është, por të kontrollojmë jetën. Do i lutesha çdo vajze e djali, çdo burri e gruaje, me emër e ndikim në rrjetet sociale, që tanimë është bërë media e plotfuqishme, le ta kthejmë këtë tetor në muajin real të sensibilizimit për kancerin e gjirit. Të përsërisim çdo ditë: E bëre? U kontrollove? Akoma? Nisu, shko tani! Lëri të gjitha, jeta vjen e para!

Të bëhemi shumë, të bëhemi bashkë, në një kauzë të mirë, që na ndihmon të jemi tok në këtë botë, duke ndihmuar të tjera gra si ne, që ndryshe nga ne, nuk munden, nuk dinë, nuk kanë. Ka kaq shumë stil, mënyra, kreativitet për ta kthyer këtë muaj në një muaj të jetës që sfidon kancerin e gjirit.

Pastaj vjen nëntori, një tjetër fushatë, sërish një tjetër dorë për të sensibilizuar veten dhe ata që na ndjekin e besojnë, për të bërë kontrolle. Kështu derisa të bëhet rutinë, për sa më shumë nga ne, e sa më shumë si ne. Kemi nevojë për edukatë shëndetësore. Derisa kjo të ndodhë, të vijë natyrshëm, çdokush që mundet le të ndikojë, të shpëtojë jetë, të tijën të parën. Sepse kontrolli shpëton. Nuk është e vërtetë që e keqja vjen pa trokitur. Ti, thjesht nuk e kishe mendjen.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com