Në fokus

April 17, 2016 | 8:06

A ka fëmijë të stresuar?

1Si kujdestarë apo edukues shpesh e shohim botën e fëmijëve si botë ideale, pa probleme, pa strese. Shpesh ndoshta themi “Sikur të isha fëmijë”. Realisht i jap të drejtë kujtdo që mendon kështu, pasi po të reflektojmë, ata faktorë të njohur që sjellin stresin janë fenomene sociale si papunësia, pagesa e qirasë, marrëdhëniet e prishura, etj., e ç’mund t’i shqetësojë fëmijët përveçse këtyre?!

Gabojmë! Në nivele të ndryshme fëmijët të gjithë kanë mangësi, shqetësime, pasiguri, ankth, e shumë faktorë që do përcillnin stres te vetë ata.

NGA BURON STRESI QË PËRJETOJNË FËMIJËT?

Stresi kryesisht shkaktohet nga rrethana mjedisore, por edhe nga faktorët e brendshëm. Po të konsiderojmë kohën kur janë foshnja, jo të gjithë fëmijët vijnë në jetë me prezencën e të dy prindërve. Dhe kur ata janë të dy, rreziku se do të humbasë punën rikthen nënën në muajin e dytë apo të tretë duke e larguar atë nga foshnja, pra ndodh procesi i natyrshëm i atashimit dhe pasi nënës i duhet të riaktivizohet në punë, fëmijës i duhet të atashohet me gjyshërit, një dado, apo edukatorët e çerdheve. Duhet kuptuar, ky tranzicion sjell stres për fëmijët.

Më pas ata rriten, shkojnë në kopsht dhe këtu nis përballja më shokët, shoqet, kushërinjtë dhe ngacmimet, zënkat, talljet që lindin nga këto marrëdhënie. Mungesa e parqeve të gjelbra apo e këndeve të lojrave krijon stres për të rriturin kujdestarë i cili shpesh mund të humb dhe toruan duke përdorur komunikim joefektiv, si për shembull: “Ti je djalë i keq!” në vend të: “Ky veprim nuk është i hijshëm!”. Prindër të dashur, gjykoni objektin (veprimin) dhe jo subjektin (fëmijën). Statistikat e fundit tregojnë që divorci është një fenomen mbarëkombëtar dhe gjithmonë në rritje. Ai nuk nis kur një marrëdhënie avancon në organe juridike; marrëdhënia degradon gjatë një procesi që zgjat, dhe ndonjëherë ai zgjat me vite të tëra. Mendoni komunikimin e një çifti marrëdhënia e të cilit është drejt divorcit, zënkat, goditjet, dhuna, e në të gjitha këto, një fëmijë prezent i dëgjon, përjeton ato në ankth dhe në pamundësi për të ndryshuar gjendjen e prindërve kaq të dashur për të. Këto situata bëjnë që fëmija të mbart imazhe duke i brendësuar ato me potencialin e plotë që një ditë dhe t’i imitojë ato. Fillimi i klasës së parë, shkëputja nga prindërit, gjyshërit, ambienti i panjohur për ta, me shokë të rinj, me autoritet të ri, prezantimi me limitet, etj, të gjitha këto sjellin stres te fëmija. Shpesh gjatë sezonit shkollor, përveç fenomene të njohura me të cilat fëmija përballet, kohët e fundit psikologët po reflektojnë dhe mbi rolin e përkufizimit të pritshmërive nga ana e prindërve dhe mësuesit. Është shumë e rëndësishme që pritshmëritë e prindërve të jenë në koherencë me ato të mësuesit. Për shembull, ka prindër të cilët nuk ngulmojnë që fëmija e tyre të ketë notën me të lartë, por që ai të jetë një fëmijë që e shijon të qenit nxënës, të krijojë shokë të mirë, të shkojë në shkollë me dëshirë. Ndërkohë, mësuesi nga ky nxënës pret një notë më të lartë, angazhim më sistematik. Nëse këto nuk janë komunikuar më parë, atëherë kjo do konfuzonte fëmijën ndaj dy autoriteteve më të rëndësishme për të. Për më tepër, ka dhe fëmijë që nuk mund të jenë shumë të suksesshëm në mësime por talent në gjuhë të huaj, në sport, në art, etj. A duhen penalizuar ata për faktin që nuk kanë të njëjtën performancë në të gjitha lëndët?

ÇFARË BËJNË FËMIJËT KUR STRESOHEN?

Një nga studimet e kryera nga Organizata për Shëndetin e fëmijëve tregon se jo të gjithë fëmijët shprehen për problemet e tyre. Kur ata janë të stresuar, statistikat e studimit qartësojnë se: 52% luajnë ose bëjnë diçka aktive 44% dëgjojnë muzikë 30% flasin me një shok 29% përpiqen të mos e mendojnë 26% hanë diçka 25% i bien kokës me diçka 22% flasin me prindërit 11% qajnë Me një analizë tepër të thjeshtë këto shifra, sidomos tri të fundit janë alarmante. Pse? 1/4 e fëmijëve i bien vetes me diçka, pra bëjnë veten e tyre fajtor, për faktorë që ndikojnë dhe sjellin stres te ta. Shpesh këta fëmijë kanë turp apo ankth. E dyta, vetëm 22% nga 100 flasin me prindërit, pra 78% nuk komunikon me ta për zgjidhje. Këta fëmijë e quajtën shumë të rëndësishme kur prindërit i kuptonin ata dhe i ndihmonin për të kaluar gjendjen, pra kur prindërit kalonin kohë me ta pasi ata kanë shprehur shqetësimin. Dhe e treta, vetëm 11 % e tyre qajnë. Natyrshëm mendohet se prindi përpiqet të qetësojë fëmijën kur qan, por nëse ai qan në një % shumë të vogël kurështë i stresuar, atëherë kjo do të thotë që në rastin më të keq prindërit kanë gjasa të mos flasin me ta në 89% të rasteve të tjera. Kur fëmijët u pyetën se çfarë u sjell atyre më shumë stres: 36% notat/detyrat 32% familja 21% shokët, të tallurit, thashethemet ndaj tyre: Pra, nëse do reflektonim, tri nga shtyllat e një fëmije të shëndetshëm mendërisht do të ishin shkolla-familja-shoqëria. Një tjetër fenomen që është prezent në vendin tonë është dhe mania e prindërve për t’i përfshirë fëmijët në disa sporte të ndryshme apo kurse për gjuhë të huaj, dhe pothuajse çdo ditë të javës ata janë të ngarkuar me angazhime të cilat prindërit i inkurajojnë apo urdhërojnë të marrin pjesë. Padyshim, një fëmijë i mbingarkuar është një fëmijë i stresuar.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top