Ndodh që gjejmë çelësin për një fragment ose një fushë të caktuar, por ndiejmë boshllëk për të tjerat. Madje edhe kur gjejmë çelësin që mendojmë se na kompenson për të tjerat, sërish ka ndryshime gjatë rrugës që të ndryshojnë portat dhe të zhysin sërish në udhëtime të tjera, duke të ndryshuar krejt destinacionin.
Nga Arta Llana, psikologe klinike
Shpirti trazohet gjatë gjithë kohës dhe vuan më shumë se trupi, pavarësisht se nuk është i dukshëm për “plagët” që ka ose “dallgët” që kalon.
Shumica prej nesh është në pritje ose në kërkim të asaj që e mendojmë magjike, në kërkim të diçkaje që do ndezë “llambat” e lumturisë për ne. Çdo njeri ka dëshira dhe ëndrra, por mënyra si i presim mendoj se bën diferencën.
Kam një komshi, tek ai dëgjohet çdo ditë muzikë dhe duket sikur atje festohet, edhe pse kthehet pas një dite pune të gjatë, që zakonisht janë 10-12 orë këtu. Është vënë re pothuajse nga të gjithë komshinjtë e tjerë, duke thënë: – E dëgjon, atje ka çdo ditë aheng.
Dhe shumica prej nesh vërtetë lodhet shumë. Por si e menaxhojmë lodhjen dhe çfarë presim, është ndryshe tek të gjithë. Dhe sinqerisht, e kam zili komshiun. Ai e pret ditën dhe jetën me muzikë, e tek e fundit shijon udhëtimin e kësaj jete pa kokëçarjen se si mund ta gjykojnë të tjerët. Në gjëra të vogla, të cilat i injorojmë gjatë ditës, ne vërtetë mund të gjejmë kas shumë gëzim.
Në fund, të gjithë do të pyesim veten, nëse jetuam jetën që dëshironim?!
Nëse ka keqardhje për diçka në të cilën e kufizuam veten tonë ose nuk provuam qoftë edhe një herë të vetme?!
Nëse u treguam vërtetë mirënjohës dhe të kënaqur për atë që na solli jeta çdo ditë?!
Keqardhje që e ndërlikuam kaq shumë lumturinë tonë, sepse ndoqëm modelet që priste shoqëria?!
Akoma më shumë keqardhje nëse kemi pritur nga të tjerët të na tregojnë ose konfirmojnë se çfarë quhet “e duhura” për të na bërë të lumtur.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.