Në fokus

May 21, 2019 | 8:43

“A ke një vend ku ndihesh në paqe?”

Njerëzit u ngjajnë lumenjve. Disa rrjedhin qetësisht në shtratin e tyre e po qetësisht derdhen edhe në det. Disa të tjerë vuajnë prej thatësirës. E disa rrjedhin rrëmbyeshëm, sa mund të dalin nga shtrati e të përmbysin ç’gjejnë përpara. Rrjedha e një lumi nuk është e njëjtë përgjatë jetës së tij, ashtu siç jeta jonë nuk i ngjan një vije lineare me fillim e fund. Kur lumi është i thatë, ne ndihemi të shterur, të lodhur, në gjendje depresive. Kur lumi është i rrëmbyer, ne ndihemi tejet energjikë, të pamposhtur, në gjendje maniakale. Asnjëra prej këtyre gjendjeve nuk është e dëshiruar (as prej lumit, as prej njeriut). Të dy duan qetësinë dhe ekuilibrin.

Ajo që, në njëfarë mënyre, na bën të ndryshëm nga lumi, është aftësia jonë për ta ndryshuar gjendjen në të cilën ndodhemi. Edhe pse, në të shkuarën, na kanë ndodhur ngjarje të vogla e të mëdha që na kanë mërzitur, trishtuar apo edhe më keq, lënduar thellë, sërish NE kemi fuqi të brendshme për të zgjedhur ndryshimin. Njëra nga këto rrugë është terapia.

Ka qindra terapi sot në botë, të cilat punojnë me psikën dhe trupin e që janë krahasimisht të efektshme në trajtimin e problemeve të shëndetit mendor. Secili mund të zgjedhë sipas burimeve që ka, pasi terapitë janë të ndryshme në kohëzgjatje, por jo vetëm. Një nga terapitë që përdoret sot nga miliona terapistë në botë dhe që ka rezultuar mjaft efektive për trajtimin e vështirësive emocionale është terapia EMDR. Kjo terapi ka disa protokolle specifike, në varësi të problemit të personit. Në disa prej fazave të saj, ajo përdor stimulimin bilateral (lëvizje të syve nga njëra anë në tjetrën, dëgjim të tingujve përmes kufjeve ose prekje të alternuara të duarve apo këmbëve). Një nga pjesët më të rëndësishme të kësaj terapie është t’i mësosh personit që është në terapi një ose disa teknika relaksimi, të cilat do ta ndihmojnë atë të qetësohet sa herë është e nevojshme.

Një nga teknikat më të zakonshme të relaksimit është “vendi i sigurt” ose “vendi i qetë”. Kjo teknikë përdoret në fazën e dytë, që njihet si “Përgatitja”. Para kësaj faze, ne dëgjojmë historinë e personit, vendosim nëse ai është gati për të punuar me traumat e tij dhe bëjmë një plan trajtimi. Para se të përdorim EMDR, personi duhet të vlerësohet për shëndetin fizik, sistemin e mbështetjes dhe prirjen e tij për të disociuar (për t’u shkëputur). Prandaj, terapia EMDR, si çdo terapi tjetër, duhet të bëhet nga një terapist ose psikoterapist EMDR.

“Vendi i qetë” i ngjan një “shenjtërie emocionale” në të cilën personi mund të shkojë për të rikthyer qëndrueshmërinë e tij të brendshme sa herë ndihet i stresuar. Pasi personi e gjen dhe ne e ndihmojmë për të “instaluar” një vend qetësie, ky vend përdoret përgjatë punës në psikoterapi. “Vendi i qetë” është shumë i rëndësishëm edhe mes seancave, kur personi ndihet i stresuar ose i shqetësuar dhe i nevojitet një mënyrë e shëndetshme përballimi për ngjarjet e jetës së përditshme.

Kur bëjmë ushtrimin e “vendit të qetë”, si fillim, i kërkojmë personit të imagjinojë një vend që i krijon ndjenja qetësie dhe sigurie. Më pas, ai duhet të përqendrohet te ndjenjat dhe ndjesitë që lidhen me atë vend. Përmes zërit të ngrohtë të terapistit, ky vend përforcohet me fjalë dhe më pas me stimulim bilateral. Të gjitha këto shërbejnë për ta brenda-instaluar vendin e sigurt. Në një fazë të dytë, ky vend përdoret për t’u përballur me shqetësime të vogla, pastaj me shqetësime më të mëdha e kështu me radhë. Natyrisht, instalimi i brendshëm i një gjendjeje qetësie e ndihmon personin të përballet më mirë me ndjenja të vështira dhe mendime negative në të tashmen, si dhe të ndihet më i fortë për të përballuar ngjarje shqetësuese në të ardhmen.

Një “sekret” i vogël, por i dobishëm në këtë proces është vetë-përsëritja: personi duhet ta marrë me vete “vendin e sigurt” edhe jashtë dhomës së terapisë, siç breshka merr zhguallin e vet dhe ta praktikojë atë në shtëpi, në punë dhe në vende të tjera në të përditshmen e tij, në mënyrë që çdo ditë nga pak, të ankorojë barkën e tij të qetësisë brenda vetes së tij, atje ku përket vërtet qetësia dhe paqja, që për shumë njerëz është humbur, siç ndodh edhe me lumenjtë, për shkak të thatësirave ose shirave të rrëmbyer. Edhe pse “vendi i sigurt” në EMDR mund të mësohet vetëm nga një terapist i kualifikuar, kushdo mund të praktikojë teknika vetëqetësimi, mjafton të kërkojë dhe t’i ushtrojë te vetja. Çdo teknikë, sado e thjeshtë apo e komplikuar të duket, funksionon vetëm nëse shkon me rrjedhën e natyrshme të energjisë sonë të brendshme, e cila nuk mbaron asnjëherë!

 

Marrë nga faqja e Psikologes, Lediona Braho

https://ledionabraho.wordpress.com/2019/05/20/a-ke-nje-vend-ku-ndihesh-ne-paqe/?fbclid=IwAR0Qxm1e37VVl5w1elVB8HasggbHgQv_VEu7ubDv0JulY2oeKa-ZzgYhcD4

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top