Përgatiti Qamil Gjyrezi, lektor i psikologjisë aplikative dhe terapisë së artit
Shkenca dhe psikoterapia e muzikës
Psikoterapia muzikore është sot disiplinë e fortë shkencore në SHBA dhe Europë. Shumë universitete të njohura në botë zhvillojnë kërkim shkencor të parametrave bashkëkohorë për psikoterapinë muzikore. Gjatë këtyre viteve të hulumtimit të terapisë muzikore, jam përpjekur t’i jap dimension shkencor nëpërmjet studimeve të literaturës , futjes së teorive të reja shkencore në leksione, vëzhgimit, eksperimenteve në qendrat e rehabilitimit dhe spitale dhe pjesëmarrjes në Konferenca shkencore në Shqipëri dhe jashtë vendit.
Psikoterapia tradicionale bën “rezistencë” pa argumente shkencorë (falsifikim), kundër terapisë muzikore, duke e nënvleftësuar me argumentin se nuk ka të dhëna shkencore dhe tingulli është instiktiv. “Kundërshtarët” e terapisë së muzikës tek neve, nuk arrijnë të plotësojnë qartë kriterin e falsifikimit sipas K. Popper, për të vërtetuar pretendimet e tyre për terapinë muzikore.
Së pari “kundërshtarët e terapisë së muzikës”, mund të mos kenë njohuri ose nuk u intereson të marrin njohuri të qëndrueshme për artin muzikor ose kanë “çrregullime” personale, estetike dhe kuptimore me artin, muzikën, pikturën.
Së dyti “kundërshtarët e terapisë së muzikës” duan që psikoterapia të kenë vend të rëndësishëm në librat universitarë dhe në debatin shkencor. Në fakt psikoanaliza tradicionale është fushë e rëndësishme për degën e psikologjisë. Në të vërtetë njerëzit janë përshtatur dhe kanë komunikuar prej “mijëra vjetësh” me gjuhën e folur, duke u kuptuar dhe shkëmbyer mallra, teori, shkencë, komunikim dhe ide.
Së treti është i pashpjegueshëm shkencërisht, qëndrimi pseudo-shkencor i studiuesve të gjuhës, disa psikologëve dhe sociologëve në raport me kuptimin dhe ndikimin që ka muzika si gjuhë jo-verbale tek njerëzit. Po sjell një shembull, Roland Barthez ka qenë një pianist shumë i mirë, njëkohësisht një shkencëtar i gjuhës, semiotikës.
Së katërti, ky qëndrim vjen ndoshta për pasojë mbasi muzika nuk ka rëndësi të madhe në sistemin tonë arsimor. Muzika dhe vizatimi shpesh nënvleftësohen si art dhe dije, nuk i jepet rëndësi dhe shoqëria i ironizon pa dashje.
Së pesti, psikoterapia dhe psikologjia e kanë të vështirë të dalin me konkluzione të mirëfillta shkencore për sjelljen, personalitetin, mendjen dhe shpirtin njerëzor pa ndihmën e artit, muzikës, pikturës, dramës, dancit, lëvizjes, komunikimit jo-verbal.
Në të gjithë këta vite të kërkimit shkencorë për terapinë e muzikës, promovimit në media dhe bisedave të zakonshme, psikoterapia e muzikës nganjëherë nënvleftësohet dhe ironizohet pa argumente nga studiuesit e fushave të tjera dhe dëgjuesit. Njerëzit e duan muzikën, i pëlqen ose jo, marrin kënaqësi nga muzika, por nuk kanë shumë dëshirë të dëgjojnë për teoritë muzikore, dijet për muzikën, duke i konsideruar si diçka abstrakte. Gjuha e folur në botën post-moderne e ka humbur aftësinë ndikuese dhe kuptimore. Prandaj kërkohet ndihma e gjuhës jo-verbale, tingullit, muzikës dhe lëvizjes për të krijuar ndikime dhe kuptime të reja.
Psikoanaliza e muzikës mbas viteve 80-të, ka marrë një zhvillim të rëndësishëm në shumë universitete europiane dhe amerikane.
-Terapia e muzikës studiohet deri në nivelin e doktoraturës në Danimarkë, Kanada, SHBA dhe Gjermani.
-Në Britaninë e Madhe dhe SHBA, psikologjia e artit, psikodrama është një studim i detyruar trevjeçar për studentët e psikologjisë dhe degë të tjera.
-Studimi i muzikës dhe instrumenteve muzikor është kriter bazë për studentët që duan të studiojnë në degën e shkencave të edukimit dhe degën e psikologjisë në Zvicër dhe Gjermani.
-Terapia e artit, piktura, muzika dhe drama përdoren gjithashtu në qendra rehabilitimi, në spitale për të përmirësuar disa ç’rregullime dhe patologji të caktuara.
Psikologjia e artit, terapia e muzikës duhet ketë një vend të rëndësishëm në degën e psikologjisë dhe studentët e psikologjisë duhet ta studiojnë si lëndët e tjera, këtë disiplinë shkencore. Studimi dhe hulumtimi shkencor në këta disiplina shkencore duhet të mbështet në parimet bazë të kërkimit dhe testimit shkencor.
Rëndësia e kërkimit për disiplinat shkencore
Me anë të kërkimit në një disiplinë të dhënë, arrihet krijimi i një baze shkencore që udhëheq praktikën dhe siguron kredibilitetin e disiplinës shkencore dhe profesionit. Përmes studimit sistematik të fenomeneve, kërkimi çon në zbulime të reja dhe në zgjerimin e fushës së njohjes brenda një disipline të caktuar, duke lehtësuar në këtë mënyrë zhvillimin e kësaj të fundit si shkencë.
Metodat teorike sasiore dhe cilësore në Muzikologjinë Konjitive.
Brenda Muzikologjisë Kognitive, çështjet e përpunimit të informacionit muzikor janë studiuar duke aplikuar një gamë të gjerë metodash teorike, metoda sasiore empirike dhe metoda të modelimit kompjuterik nga shkencat konjitive.
Metodat empirike cilësore janë futur më rrallë në hulumtimin mbi përpunimin e informacionit muzikor. Metodat cilësore janë aplikuar për të studiuar përshtypjet e menjëhershme të folura ose të shkruara për fenomenet specifike muzikore.
Metodat e bazuara në shkencat humane dhe shkencore (ekzakte).
Metodat e bazuara në shkencat humane dhe shkencore, mund të zbusin kufizimet e metodave të tjerave kur ato aplikohen bashkërisht.
Një qasje më holistike (trajtimi i të gjithë personit) do të ishte në gjendje të shpjegonte një ton në një kontekst melodik, një melodi në kontekstin e mendimeve për melodinë, mendimet për melodinë në një kontekst fizik të ndjesive dhe reaksioneve, dhe mendimet, ndjesitë fizike dhe reagimet ndaj një melodie në një kontekst socio-kulturor .
Së dyti, argumentimi në traditat e muzikologjisë të bazuara në shkencat humane mund të ofrojë teori që përcaktojnë muzikën e studiuar. Sidoqoftë, disa teori përbëhen nga hamendje që nuk kanë asnjë bazë empirike.
Sidoqoftë, argumentimi i bazuar në shkencor, vëzhgimet dhe metodat empirike mund të rezultojnë gjithashtu në të dhëna pa fuqi shpjeguese. Pastaj, supozimet e teorisë së muzikës mund të përdoren si një kornizë në të cilën do të interpretohen të dhënat e matura.
Së treti, qasja relativiste e sugjeruar në studimet kulturore të muzikës bazuar në shkencat humane, e cila përqendrohet në ndryshimet midis muzikës nga kultura të ndryshme dhe periudha të ndryshme historike, është e rëndësishme sepse siguron përkufizime që mbulojnë larminë të muzikës në kultura të ndryshme dhe periudha kohore, për ndryshimin e parimeve estetike.
Ende ka sfida metodologjike për muzikologjinë konjitive, dhe kjo i bën pyetjet më interesante në muzikologjinë konjitive ato që janë më të vështirat për t’u përgjigjur.
-Çfarë e dallon muzikën nga tingujt e tjerë?
-A është muzika një gjuhë universale?
-Në ç’masë mësohet apo trashëgohet muzika?
-A është muzika një gjuhë e emocioneve?
-Pse muzika mund të jetë veçanërisht e fuqishme kur bëhet fjalë për komunikimin e emocioneve?
-Cila është mënyra më e mirë për të fituar aftësi muzikore dhe si bëhet një muzikant i aftë?
Hulumtimi ndërdisiplinor në muzikologjinë konjitive krijon mundësi për sinteza të reja të teorive përgjatë teorisë moderne të muzikës, psikologjisë konjitive, psikoanalizën e muzikës dhe neuroshkencën konjitive. si dhe zgjidhjet e ardhshme për problemet metodologjike brenda këtyre disiplinave.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.