FB

August 11, 2022 | 7:45

A mund të cënohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, në funksion të së të drejtës për të jetuar?

Përpjekjet për liri dhe të drejta të shoqërive datojnë që në kohët më të hershme të njerëzimit. Vendosja e sistemeve të qeverisjes ka përkuar me tendencën shoqërore për të vendosur rregulla dhe norma të cilat do arrijnë të mbajnë në limite mos-shkeljen e këtyre të drejtave për hir të pushtetit dhe politikbërjes.

Nga Arsejda GJYLI, Lektore në Shkencat Politike, Analiste

Nga ky kontekst vetë thelbi njerëzor imponon të drejtën themelore të jetës, të drejtën e respektimit të lirisë së tjetrit, të drejtën e ndërgjegjes, të drejtën për të tubuar dhe mbledhur kolektivisht etj. Natyrshëm lind pyetja, nëse munden qeveritë apo e drejta ndërkombëtare t’i tejkalojë këto të drejta, në raste emergjente të mbizotërimit së të drejtës së jetës? A mundet një e drejtë, nga ana shoqërore-morale të prevalojë një të drejtë tjetër? Në një logjikë të ftohtë mund të themi se secila e drejtë nuk cënon të drejtat e tjera dhe rrjedhimisht nuk mund të prevalojë. Të drejtat nuk janë hierarkike për nga rëndësia, por në nivel shoqëror ato operojnë horizontalisht dhe ndërveprojnë në të mirë të funksionimit të jetës së përditshme. Gjithsesi duhet thënë se në rrethana të një gjendjeje të jashtëzakonshme, rregullat ndryshojnë në mënyrë të natyrshme, duke mos u thelluar në analiza dhe transparencë ndaj shoqërisë dhe qytetarëve, të cilët janë themeli i çdo demokracie. Kjo është vërtetuar në momente të caktuara të historisë. Ndër to theksojmë edhe pandeminë globale të Covid 19 dhe nevojën imediate të bazuar tek e drejta për të jetuar në komunitet nga ku ka rrjedhur edhe detyrimi për të vaksinuar thuajse të gjithë popullsinë globale.

Gjithkush ka të drejtë të jetë sovran mbi trupin e tij, në një situatë të tillë eksperimentale, ku vaksinimi kthehet në një nevojë të detyrueshme për çdo qytetar. Në kushtet e mungesës së transparencës qoftë nga Organizatat Ndërkombëtare të Shëndetësisë por edhe Institucionet vendase, krijohet konfuzion dhe vështirësi për qytetarët në marrjen e një vendimi. Konfuzioni konsiston në përmbajtjen e vaksinës, pasojat afatgjata të saj, efektet e mundshme tek target grupet si: gratë shtatzana, fëmijët, të sëmurët kronikë etj. Por mbi të gjitha, tek detyrimi dhe shkelja e të drejtave themelore të çdo qytetari për të qenë i lirë dhe sovran mbi veten e tij në kushtet e një lëmshi të madh global ku frika për jetën bëhet gjithnjë e më e madhe.Të ndodhur në këto rrethana duhet të tregohemi racionalë dhe me intuitë të mprehtë për të bërë atë që është më ë mira për shëndetin tonë e të familjes. Kjo mbetet detyra e çdo qytetari në një situatë a-tipike. Por, çfarë po ndodh me të drejtat? A po respektohen ato dhe a po ruhet horizontaliteti i funksionimit të tyre? Padyshim që jo. Dalim në konstatimin se, në raste të caktuara, disa të drejta duam apo jo, prevalojnë dhe bëhen më të rëndësishme, ky si një rregull i pashkruar i cili vihet në lojë nga qeveritë nëpërmjet politikave që ata ndjekin. Kjo ndodh duke respektuar një linjë të thjeshtë mendimi, se në kushtet e luftës për jetën, njeriu nuk ka të drejtë më të jetë i lirë.

 

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 172

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top